Prokurori i Antimafias Italiane, Nicola Gratteri duke folur në diplomimin e tij ‘Honoris Causa’ në Universitetin Politeknik të Marche, në degën e ‘menaxhimit të ligjit’, në diskutimin e tij për krimin ekonomik dhe mafian, ka folur edhe për Shqipërinë.
Në fjalën e tij, Gratteri shprehet se mafia shqiptare është fuqizuar shumë vitet e fundit, pasi qeveria në Shqipëri është e korruptuar deri në kokë.
Gratteri shprehet se mafia shqiptare pastron në Shqipëri paratë e mbledhura nëpër Europë nga aktivitetet kriminale dhe i çon këto para sërish në BE, por këtë herë të legalizuara.
‘Mafia shqiptare është e fortë sepse vjen nga një vend me nivel shumë të lartë korrupsioni, jo nivel i lartë, por nivel shumë të lartë korrupsioni’, është shprehur prokurori i Antimafias Italiane, Nicola Gratteri.
‘Brenda pak kohësh, Holanda e sheh veten me tre mafie: ‘Ndrangheta, mafia shqiptare dhe maffia, me dy F, e brezit të tretë të afrikano-veriorëve, e tunizianëve, që janë futur me egërsi në Holandë.
Kur flas për mafie shqiptare, nuk e kam fjalën për ata të uritur që në vitet e shkuara grabisnin vila në bregdet, në Toskana, Piemont. Mafia shqiptare tashmë është një mafie e fortë.
E fortë sepse vjen nga një vend me nivel shumë të lartë korrupsioni, jo nivel i lartë, por nivel shumë i lartë korrupsioni, ku një e treta e Shqipërisë, është mbjellë me marijuana, ku sekuestrojmë deri në 78 tonë njëherazi marijuanë të ardhur përmes kanalit të Otrantos.
Dhe këtë mafie që fuqizohet e pasurohet në vendin e saj tashmë prej dy vitesh e shohim në sipërmarrje të përbashkët me ‘Ndrangheta, me Santa Marta në Kartagjena e Bogotà, duke blerë tonelata kokaine’, deklaron Prokurori i Antimafias Italiane, Nicola Gratteri gjatë diplomimit të tij ‘Honoris Causa’ në Universitetin Politeknik të Marche.