Me rastin e Programit për reforma ekonomike 2021-2023, i cili u dërgua në KE në datë 29 janar të vitit 2021 dhe që ka për qëllim që përmes masave konkrete reformuese të reagojë ndaj sfidave kryesore për konkurrencën e vendit, në kuadër të dialogut me Bashkimin Evropian për të përmbushur kriteret ekonomike, sot u mbajt një takim i nivelit të lartë ndërmjet ministrave të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe drejtorëve të Drejtorive të Përgjithshme për zgjerimin dhe politikën fqinjësore dhe për punë dhe politikë sociale, si dhe përfaqësues nga Drejtoria e Ekonomisë dhe Financave të Komisionit Evropian. Fokusi në vitin 2021 do të jetë në ballafaqimin dhe tejkalimin e pasojave nga kriza e shkaktuar nga pandemia me Covid-19, si dhe vendosja e bazave për një rritje të përshpejtuar dhe të qëndrueshme ekonomike, ekonominë e gjelbër, dixhitalizimin e proceseve dhe përmirësimin e përgjithshëm të të gjitha proceseve dhe gjendjeve në shoqëri.Në takim, përveç ministrit të Financave Fatmir Besimi, koordinator i procesit të përgatitjes së Programit për reforma ekonomike, morën pjesë edhe zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi, ministri për Transport dhe Lidhje Blagoj Boçvarski, ministri për Bujqësi, Pylltari dhe Ekonomi të Ujërave Arjanit Hoxha, ministrja për Arim dhe Shkencë Milla Carovska, ministrja për Punë dhe Politikë Sociale Jagoda Shahpaska, ministri për Shëndetësi Venko Filipçe, ministri për Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor Naser Nuredini, drejtori i Fondit për Inovacion Kosta Petrov, zëvendësministri për Ekonomi Zoran Manevski dhe sekretari shtëror i EÇE-it Kalinka Gaber. Nga Komisioni Evropian, në takim morën pjesë drejtoresha e Drejtorisë për Strategji në DG NEAR (Drejtoria e Përgjithshme për Zgjerim) Mirjam Feran, drejtoreshë e Drejtorisë për Mobilitet të Fuqisë Punëtore në DG EMPL (Drejtoria e Përgjithshme për Punësim dhe Politikë Sociale) Xhordi Kurel, Uve Shtam, udhëheqës i Njësisë për vendet-kandidate për anëtarësim në BE në DG EKFIN (Drejtoria e Përgjithshme për Ekonomi dhe Financa) dhe euro ambasadori në vend Dejvid Gir.Komisioni Evropian në Raportin e tij për zbatimin e reformave ekonomike nga viti i kaluar identifikoi tre sfida kryesore strukturore që duhet të tejkalohen në mënyrë që të nxitet konkurrenca dhe rritja gjithëpërfshirëse në vend. Këto janë përmirësimi i konkurrencës së kompanive vendore dhe integrimi në zinxhirët globalë të vlerave, përmirësimi i cilësisë dhe rëndësisë së sistemit arsimor dhe zyrtarizimi i ekonomisë.Në Programin për reforma ekonomike 2021-2023 janë të përfshira 20 masa me prioritet për reforma, të cilat duhet të zbatohen në tre vitet e ardhshme në drejtim të reformimit të tregut të energjisë dhe transportit, zhvillimit të sektorit bujqësor, përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe zvogëlimin e ekonomisë gri, mbështetje e hulumtimeve, zhvillim dhe transformim digjital, lidhje ekonomike rajonale, arsimin dhe aftësitë, mbrojtjen dhe gjithë përfshirjen sociale, si dhe kujdesin shëndetësor.Programi përmban masa për rritjen e konkurrencës në tregun e energjisë elektrike, për promovimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë, për përmirësimin e efikasitetit të energjisë dhe zbatimit të një sistemi inteligjent të transportit përgjatë Korridorit Pan-Evropian 10. Programi gjithashtu përmban masa që synojnë përmirësimin e mjedisit të biznesit, si dhe racionalizimi i detyrimeve parafiskale dhe krijimi i një regjistri të vetëm për të njëjtat, krijimi i tregut elektronik për furnizime me vlerë të ulët dhe mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të sapo-themeluara në rajonet më pak të zhvilluara.Në mënyrë që të zvogëlohet ekonomia jo-formale, do të ndërmerren mekanizma për të nxitur aktivitetet dhe transaksionet e regjistruara ekonomike, duke u përqendruar në sektorët ku ka ekziston mundësia më të lartë e punës së padeklaruar. Programi përmban edhe masa për përmirësimin e rezultateve nga procesi arsimor dhe zvogëlimin e mospërputhjes së aftësive dhe kualifikimeve me nevojat e tregut të fuqisë së punës. Njëkohësisht, do të punohet për zbatimin e Ligjit të ri për Mbrojtjen Sociale, veçanërisht në lidhje me kategoritë më të prekshme të qytetarëve, si dhe aktivitetin më të madh të popullatës së aftë për punë. Për herë të parë, ky program përfshin sektorin shëndetësor, ku parashihen aktivitete për përmirësimin e mbrojtjes shëndetësore primare të popullatës.Takimi i nivelit të lartë u mbajt në kuadër të misionit vlerësues të Komisionit Evropian të Programit 2021-2023. Në maj të vitit 2021, do të zhvillohet një dialog në kuadër të Këshillit të BE-së, me ministrat e financave dhe guvernatorët e bankave qendrore të vendeve kandidate të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë. Rezultati i dialogut është miratimi i konkluzioneve të përbashkëta bazuar në vlerësimin e Programit, me të cilin jepen rekomandime për përmirësimin e politikave ekonomike, me qëllim të përshpejtimit të konvergjencës ekonomike, rritjen e aftësisë konkurruese të sektorit të biznesit dhe krijimin e vendeve të reja të punës.