Nga Agron Shehaj
Vjedhja e Portit të Durrësit nëpërmjet një kompanie të sapo krijuar, pa fonde dhe pa historik është afera korruptive më e madhe e këtij 30 vjeçari.
- Rama mashtroi shqiptarët kur tha se në Durrës do investonte kompania gjigande shtetërore Emaar.
Eagle Hills Real Estate Development shpk është e krijuar nga pronarë offshore para 1 viti. Sot Eagle Hills vlen rreth 80 euro, por pasi Parlamenti t’i japi FALAS tokën dhe lejen për të ndërtuar rreth 13.000 apartamente në një nga zonat më të lakmuara të bregdetit shqiptar, vlera e kësaj kompanie do kalojë nga 80 euro në rreth 1 miliardë euro.
- Ky është thelbi i gjithë kësaj afere. Është firma e Edi Ramës për faljen e taksave, dhënien e 820 mijë metrave tokë falas dhe leja e ndërtimit, që ja rrit vlerën kompanisë nga hiçi në 1 miliardë euro.
Një kompani, e cila deri para disa muajsh ishte me pronarë të panjohur në ishujt Cayman, ndërsa sot sipas qeverisë është në pronësi të një njeriu të vetëm, kapitalizohet me 1 miliardë euro vetëm falë vendimeve të Edi Ramës.
- Ky është korrupsioni shtetëror në megaaferën e Durrësit i gatuar përmes negociatave sekrete dhe vizitave të qeveritarëve shqiptarë në Dubai. Sepse në të vërtetë, pas kompanisë që po merr Portin e Durrësit qëndrojnë vetë qeveritarët shqiptarë, të fshehur nëpër guackat offshore. Prandaj po hedhin firmat që t’u grabisin shqiptarëve të paktën 1 miliardë euro nga pasuria e tyre publike.