MONITOR
Të dhënat zyrtare referojnë se Shqipëria ende është një nga vendet me popullsinë më të re në Europë, por gjatë 20 viteve të fundit ritmet e plakjes ishin më të lartat në Europë.
Në vitin 2023, mosha mediane e Shqiptarëve ishte 38.8 vjeç (nënkupton që 50% e popullsisë janë nën këtë moshë dhe 50% mbi këtë moshë). Të dhënat e krahasueshme nga Eurostat referojnë se mosha mediane e shqiptarëve u rrit me gati 11 vite ndërmjet 2003-2023, niveli më i lartë në Europë dhe me një diferencë shumë të lartë me plakjen e popullatave të tjera të Europës. (shiko grafikun bashkëngjitur)
Pas Shqipërisë, ritmet më të larta të plakjes ndërmjet 2003-2023 i ka Portugalia me 8.5 vite, Rumania me 8.5 vite dhe Maqedonia e Veriut, me 8 vite.
Në krahun tjetër, Suedia ka ruajtur qëndrueshmëri të moshës së popullsisë së saj, pasi gjatë dy dekadave të shkuara popullata e këtij vendi është plakur vetëm me 1 vit, e ndjekur nga Moldavia, Luksemburgu, dhe Belgjika ku mosha mesatare e popullsisë së tyre është rritur më pak se dy vite nga 2003-2023.
Në vitin 2023 vendet me popullsinë më të plakur në Europë ishte Italia, ku mosha mediane e popullsisë ishte 48.4 vjeç nga 41 vjeç që ishte në vitin 2003, e ndjekur nga Portugalia ku mosha mediane ishte 47 vjeç, Bullgaria 46.8 vjeç dhe Greqia me 46.5 vjeç.
Që nga rënia e komunizmit Shqipëria është përballur me një trazicion të fortë demografik që vijon ende me ritme të larta ne dekadën e katërt të rendit demokratik. Cikli rritës i emigracionit së bashku me rënien e normave të fertilietit e kanë plakur Shqipërinë më shpejt se edhe vendet me kushte të ngjashme politikë dhe ekonomike.
- Plakja e popullsisë së vendit nuk po shoqërohet me masa për të zbutur pasojat e fenomenit. Mungesat në fuqinë punëtore tashmë janë bërë aq të forta sa edhe sektori publik po vuan për punonjës, në një kohë që mungesa e të rinjve rrezikon të përkeqësojë cilësinë e jetës në vend.
Ndër të tjera, Shqipëria ka ndër normat më të larta të emigrimit të të arsimuarve në vend. Pakësimi i numrit të studentëve në shumë degë po lë vendin pa ekspertë në shumë fusha, që nga sektorët publik të arsimit dhe shëndetësie deri tek punonjësit e krahut pa njohuri dhe aftësi.
Në terma më afatgjatë, rritja e numrit të moshuarve do të rëndojë mbi shpenzimet publike, do të frenojë rritjen ekonomike dhe do të ushtrojë presion mbi sistemet shëndetësore dhe ato të sigurimeve.