Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç nuk po beson se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha të shtunën se Ballkani i Hapur e ka kryer misionin e vet dhe se tani duhet vazhduar me Procesin e Berlinit.
Vuçiç gjithashtu u shpreh kundër asaj që tha se Rama se ‘duhet të futemi me kokë tani në Procesin e Berlinit’ dhe tha se shpreson që së shpejti do ta takojë atë.
‘Nuk besoj se Rama e ka thënë këtë. Shpresoj të kem mundësi ta shoh së shpejti. Ballkani i Hapur është një ide autonome dhe autoktone e njerëzve nga Ballkani’, tha Vuçiç në TV Prva.
Ai tha se do të konsiderojë gjithmonë se çdo ide e krijuar në rajon është ‘më e mirë se ato që vijnë nga jashtë’.
‘Kjo është shprehje e dëshirave dhe marrëdhënieve tona, jo diçka që e bëjmë nën sundimin e dikujt tjetër’, tha Vuçiç.
- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha dje nga Ulqini se nisma ‘Ballkani i Hapur’ e ka përfunduar misionin për të cilin ka lindur, e që tha se ka qenë për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit.
‘Procesi i Berlinit është tani më aksi ynë kryesor. Ballkani i Hapur ishte një iniciativë e cila lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit, dhe e ka kryer tani atë mision për të cilin lindi. Ne duhet të futemi me kokë tani në Procesin e Berlinit, sepse e kemi këtë mundësi, e kemi në Tiranë. Kemi mundësinë ta zotërojmë si proces, me mbështetjen e madhe që kemi nga Gjermania, nga Kancelari Scholz por edhe nga gjithë të tjerët’, ka thënë Rama në një intervistë për Euronews Albania.
- Vuçiç do të ketë mundësi ta takojë Ramën, pasi kryeministri i Shqipërisë paralajmëroi vizita në të gjitha shtetet e rajonit për t’i takuar kryeministrat dhe presidentët për t’i informuar për përgatitjet për Samitin e Procesit të Berlinit që mbahet në Tiranë këtë vit.
‘Procesi i Berlinit është e ardhmja jonë’, ka thënë Rama.