Kandidatja për Bashkinë e Tiranës, Lajla Përnaska i prezanton banorëve të kryeqytetit propozime konkrete se si mund të lehtësohet dhe të shmanget trafiku në kryeqytet. Këto projekte sipas zonjës Përnaska vijnë pas diskutimeve me ekspertë të urbanistikës në vendtin. “I themi IK TRAFIKUT, që ka krijuar një rëndesë të jashtëzakonshme në jetesën tonë të përditshme.
Prioritet madhor i platformës sonë për Tiranën, është aplikimi i tre Projekteve emergjente: 1- Ndërtimi i një Nënkalimi me dy korsi, që fillon nga Bulevardi Dëshmorët e Kombit (pranë Galerisë së Arteve), që përshkon gjithë Sheshin Skënderbej (duke kaluar nën parkingun aktual), vazhdon poshtë rrugës së Durrësit, duke kaluar dhe rrethrrotullimin e Zogut të Zi, me dalje në fillim të rrugës Dritan Hoxha. Ky nënkalim do të ketë dhe një rampë me një korsi në anën e djathtë, që del në Rrugën e Kavajës, për të çliruar dhe qarkullimin e mjeteve drejt kësaj arterie të rëndësishmë të qytetit. 2-Ndërtimi i një Mbikalimi në vazhdimësi të Rrugës Ibrahim Rugova, që do ndërtohet nga zona e Gardës, mbi rrugën Kristo Luarasi dhe lidhet direkt me unazën e madhe. 3-Ndërtimi i një mbikalimi në Rrugën e Elbasanit, mbi rrethrrotullimin aktual tek Fakulteti Ekonomik. Mbas diskutimeve me ekspertë të urbanistikës, këto ndërhyrje do të lehtësojnë ndjeshëm rrjedhshmërinë e qarkullimit në Tiranë”-shkruan në rrjetin social FB, kandidatja për bashkinë e Tiranës, Lajla Përnaska.