E ardhmja e Armando Brojës duket se është tek Chelsea. Pas publikimit të numrave për sezonin e ri, ku binte në sy prania e sulmuesit kuqezi, i cili do të mbante fanellën me numër nëntë mbi shpinë ka ardhur edhe konfirmimi nga trajneri i skuadrës londineze, Thomas Tuchel në konferencën e sotme për shtyp para ndeshjes me Everton në Premier League.
I pyetur fillimisht për emrat që mund të largohen e huazohen, Tuchel nuk ka përmendur sulmuesin shqiptar. Ndërsa i pyetur më pas për opsionet në sulm dhe nëse Raheem Sterling mund të ishte numri 9 i ri i Chelsea-t, duke luajtur në majë të sulmit, trajneri gjerman ka përfshirë edhe Brojën në mes të alternativave të tij.
“Nëse luajmë me të njëjtën strukturë të vitit të kaluar me tre lojtarë ofensivë, mund të jetë fluide. Ndaj mund të jetë Kai (Havertz), mund të jetë ai (Sterling), mund të jetë Timo Werner. Mund të jetë gjithashtu edhe Armando Broja i cili tani është në skuadër”, theksoi trajneri rreth alternativave që mund të përdorte në sulm.