Në Prishtinë është hapur shkolla e parë që do t’ju mësojë gjithë të interesuarve instrumentin e lahutës. Për të mbajtur gjallë këtë traditë shekullore është vendosur që kjo shkollë t’ju mundësojë të rinjve dhe jo vetëm të mësojnë lahutën e të kenë në të ardhmen një certifikatë si lahutarë.
Kjo nismë është ndërmarrë nga Qendra për Zhvillimin e Kulturës Tradicionale, “Shkaba”, që organizon edhe festivalin e lahutës. Themeluesi i shkollës, Sokol Plakolli, ka treguar se kjo shkollë do ju krijojë të gjithëve mundësinë që të mësojnë, luajnë në lahutë dhe të mësojnë mbi Eposin e Kreshnikëve.
Programi i shkollës dhe nxënësit e saj
Plakolli ka treguar se për shkollën ka një plan konkret, i cili konsiston në mësimin e lëndëve teorike dhe praktike.
“Në lëndët teorike do të mësojmë mbi eposin e Kreshnikëve, prejardhjen e lahutës, format e lahutës. Do të mësojnë mi pjesën teoriko-praktike, siç është akordimi, ekzekutimi dhe këndimi. Është një program 6 mujor dhe në fund secili nga lahutarët, përveçse do të certifikohet do të ketë një program individual me lahutë”, ka treguar themeluesi i shkollës, duke shtuar se do të mësojnë edhe se si gdhendin lahutën.
Ndërkaq ai është shprehur se shkolla nuk do të funksionojë vetëm në Prishtinë, por edhe në Shqipëri e trevat e tjera, si malësia e Tuzit e në shtete të tjera jashtë. Plakolli ka treguar se ka pasur një interesim në të gjitha vendet dhe pikërisht kjo i ka nxitur që të hapin shkollën e lahutës.
Ai ka treguar se aktualisht kanë 15 nxënës të regjistruar në shkollë që janë të ndarë në tri grupe.
“Kemi fëmijë nga mosha 7 vjeçare me prejardhje nga Dukagjini, por që jetojnë në Prishtinë dhe kemi një nxënës 76-vjeçar që është nxënës në klasën e parë të lahutës”, thotë Plakolli.
Ai ka shtuar se në edicionin e tretë të festivalit të lahutës vitin e ardhshëm do të ketë performanca nga studentët e shkollës.
Lahuta e certifikuar në UNESCO si trashëgimi e serbëve? Ja si qëndron e vërteta
Para pak vitesh bëri bujë të madhe lajmi se serbët kishin certifikuar në UNESCO, si pjesë të trashëgimisë së tyre kulturore, lahutën. Mirëpo kjo është pjesërisht e vërtetë, sepse sipas Plakollit është propozuar vetëm të kënduarit në shoqërim me lahutë dhe në UNESCO nuk është certifikuar lahuta si instrument, por vetëm këndimi me lahutë. Ai shprehet se lahuta nuk i takon në mënyrë ekskluzive asnjë populli, sepse gjendet në Japoni, Kinë dhe shumë shtete të tjera.