Legjenda e futbollit brazilian Pele është shtruar në spital ku po merr kujdesin e duhur nga një ekip mjekësh pasi trupi i tij nuk i është përgjigjur si duhet kimioterapisë në luftën e tij kundër kancerit të zorrës së trashë.
- Raportet në Brazil thanë se 82-vjeçari u shtrua në spital javën e kaluar dhe janë marrë masat për t’i lehtësuar dhimbjen në një repart të “kujdesit intensiv në fund të jetës”.
Ndërkaq, BBC ka publikuar mesazhe mbështetjeje për të madhin Pele, që janë dërguar nga e gjithë bota.
Ish-klubi i tij Santos, ish-lojtari brazilian Rivaldo dhe sulmuesi francez Kylian Mbappe ishin mes atyre që dërguan meazhe në Twitter, duke iu bashkuar tifozëve në mbarë botën.
“Lutuni për Mbretin”, shkroi sulmuesi francez Kylian Mbappe në Twitter.
Tre herë fituesi i Kupës së Botës iu hoq një tumor nga zorra e trashë në shtator 2021 dhe që atëherë ka pasur trajtim të rregullt mjekësor.
Pele u diagnostikua me një infeksion të frymëmarrjes dhe të premten, Spitali i Sao Paulos, Albert Einstein tha se ai ishte në një gjendje të qëndrueshme.
Duke folur të shtunën, kapiteni i Anglisë, Harry Kane, tha: “Jemi shumë të trishtuar kur dëgjojmë lajmet se ai është i sëmurë, por i urojmë shërim të shpejtë, jo vetëm unë, por gjithë grupi i Anglisë. Ai është një frymëzim, një person i jashtëzakonshëm.”
Ish-sulmuesi gjerman fitues i Kupës së Botës, Jurgen Klinsmann, duke folur në BBC One të shtunën, tha: “Pele është thjesht një person i mrekullueshëm. Personaliteti i jashtëzakonshëm i futbollit botëror. Ne thjesht mund të lutemi dhe të shpresojmë për më të mirën, por është shumë lajm i hidhur”.
Ish-mbrojtësi i Argjentinës Pablo Zabaleta shtoi në BBC One: “Është një lajm shumë i trishtuar të dëgjosh për Pele. Ai ka qenë një frymëzim i vërtetë për të gjithë ne, brenda dhe jashtë fushës. Ai ka qenë gjithmonë një njeri i madh.”
Vendi pritës i Kupës së Botës Katari tregoi mbështetjen e tij për Pele të shtunën, duke ndezur ndërtesat me një mesazh “Shërohuni shpejt”.
- Stadiumi Lusail në Doha, i cili do të presë finalen e Kupës së Botës më 18 dhjetor, dhe Kulla Aspire pranë stadiumit Khalifa, ishin stolisur me fotografitë e Peles në fanellën e tij të famshme me numrin 10.
Ish-sulmuesi është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i Brazilit me 77 gola në 92 ndeshje dhe ka shënuar në katër turne të Kupës së Botës.
Santos, klubi i tij i vetëm brazilian, shkroi në Twitter: “Është e gjithë bota që të uron mbarësi, mbreti Pele”.