Pedagogët/ Sot protesta e radhës

Pas një jave injorim nga qeveria, ka marrë jetë lëvizja universitare për të çuar përpara misionin akademik për vendosur në vendin e duhur figurën e pedagogut.

  • Tanimë në javën e dytë të bojkotit, pas replikash e kundër replikash me qeverinë e Ministrinë e Arsimit, Sindikata e Punonjësve të Arsimit në vend është më e vendosur se kurrë në atë që kërkon. Pedagogët kanë vendosur të mbushin sot sheshin përpara Universitetit Politeknik në të dytën protestë kombëtare, me qëllim për të vendosur në vend dinjitetin e tyre. Nuk kërkojnë as më shumë e as më pak se homologët e tyre në Kosovë. Kërkesat e tjera, veç pagës, duhet të ishin realizuar me kohë, e po ashtu edhe trajtimi financiar duhet të ezaurojë inflacionin në vite. Niveli i pagave të pedagogëve është ndryshuar për herë të fundit në vitin e largët, 2004.

Protesta kombëtare

Pedagogë të universiteteve në Tiranë e atyre në rrethe mblidhen sot në orën 11:00 përpara Universitetit Politeknik të Tiranës. Ndonëse kërkesat janë me karakter financiar, stafi pedagogjik këmbëngul që nuk është veçse çështje parash, por po protestohet për mbrojtjen e universitetit. “Ditët e protestës kanë qenë dhe janë sinjali më i mirë, ditët më të bardha që ka përjetuar Shqipëria pas protestës studentore.

  • Është e frikshme heshtja kur punët nuk shkojnë mirë. Unë jap tri lëndë. Kjo nuk është protestë për 30 % e lekëve, sepse duan ta vulgarizojnë. Jam i sigurt që asnjë anëtar i qeverisë nuk ka nivelin e asnjërit nga ata profesorë që protestojnë. Ne po protestojmë për arsimin shqiptar, por protestojmë mos të na ikin studentë, profesorë. Me gjithë këtë shantazh e përçarje, përveç ikje së studentëve do të ikin edhe pedagogë”, thotë Lesh Susaj, pedagog në Universitetin Bujqësor, teksa shton se është specialist i lartë dhe sërish me të ardhurat që siguron nuk mbyll dot muajin.

Ndër të tjera, Susaj përmend edhe raste pedagogësh që fusin duart në xhepat e studentëve, ndaj nuk vijnë në protestë, pasi kauza dhe trajtimi është i njëjtë për të gjithë. Për pedagogen e Drejtësisë, Enkelejda Olldashi, aktivizimi në të tilla kërkesa është më shumë se sa një e drejtë. Këtë e ka pasur më të vështirë t’ua shpjegojë studentëve që saj që do të jenë në krye të drejtësisë në të ardhmen e afërt. “Kam dëgjuar se pedagogët nuk duhet të ishin në protestë, por në auditor. Më është dashur të hyj për t’i thënë studentëve që unë jam në këtë protestë. Kjo ka qenë një javë e pazakontë për të gjithë ne. Pata një ngasje shumë të madhe akademike. nëse studentët e mi nuk do jenë nesër juristë kurajozë, nuk do të kërkojnë të drejtat e tyre, nuk kanë se si të mbrojnë të drejtat e tyre, pra unë isha në këtë dilemë të madhe”. Prej një jave, në shumicën e universiteteve nuk zhvillohet mësim. Pedagogët shkojnë në fakultet, por nuk hyjnë në auditorë, në shenjë proteste nga shpërfillja e tyre nga ana e qeverisë.

Qendrimi

Një tjetër organizim të rinjsh studentorë del në mbështetje të pedagogëve të tyre. Është Bordi Kombëtar Studentor që shpreh hapur qëndrimin e tyre, ndërkohë që inkurajon studentët të jenë pjesë e protestave të pedagogëve të tyre, por edhe të “ngrenë krye” për çfarëdolloj padrejtësie apo diçka që nuk shkon me situatën ku ndodhen. “Bordi Kombëtar Studentor mbështet plotësisht protestën e pedagogëve dhe fton të gjithë studentët të bëhen pjesë e saj, rritja e pagave të pedagogëve sjell më shumë cilësi për studentët. Gjithashtu, ne u bëjmë thirrje studentëve të kërkojnë vazhdimisht kushte më të mira, mbështetje aktive nga qeveria dhe të protestojnë për plotësimin e kërkesave të studentëve”, shkruhet në deklaratën e tyre, e cila qarkullon në rrjete sociale.

Shtesa e qeverisë

Në 30 gusht, një muaj e gjysmë përpara se të niste mësimi normalisht, pedagogët i dërguan një peticion qeverisë dhe ministrisë së arsimit me nëntë kërkesa (në tabelën përbri shkrimit), por asnjë nuk e vuri ujin në zjarr deri në momentin që ata dolën në shesh për të protestuar. Një muaj më vonë, u bë një shtesë prej 15%, barrë që ndahej me universitetin, i cili të ardhurat kryesore i ka nga tarifat e studentëve, por një gjë e tillë nuk u pranua nga pedagogët.

Kerkesat e pedagogeve

  1. Rritja e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës

Rritja e financimit për kërkimin shkencor Rivendosja e shtesave mbi pagë për ‘Dëshmi shëndeti në punë’

  1. Rritja e shtesës mbi pagën për vjetërsinë në punë Rritja e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare
  2. Rivlerësimi i orës mësimore, pasi ka zbritje prej 50% të pagesës së orës mësimore si rezultat i mosdiferencimit të orës mësimore të leksionit.
  3. Rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës suplementare
  4. Të pezullohet deri më 2026 zbatimi i pikës c) të paragrafit të 3, i Kreut III të VKM Nr.112, datë 23.2.2018 për kriteret e marrjes së titullit “Profesor”.
  5. Të bëhet transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universiteteve publike.

Author: jehona