Në Shqipëri, mungesa e kontratave, niveli i ulët i pagave si dhe dinamika politike, në nivel vendor dhe qendror, vazhdojnë të shoqërohen me rritjen e shkallës së pasigurisë për vendet e punës duke nxitur edhe emigracionin, kryesisht të të rinjve.
Pasiguria për vendin e punës vazhdon të jetë një shqetësim serioz për shoqërinë shqiptare. Ritmi thuajse i përdyvitshëm i zgjedhjeve vendore dhe politike, mungesa e kontratave të rregullta të punës, zvarritja e proceseve gjyqësore administrative mes punëdhënësve dhe punëmarrësve, pagat e ulëta apo niveli i ulët i mbrojtjes sindikale kanë ndikuar në shkallën e pasigurisë për vendin e punës, duke tkurrur fuqinë punëtore dhe nxitur emigracionin, kryesisht të të rinjve. Pedagogia Elvisa Drishti, autore e studimit mbi pasigurinë në punë, thotë se kjo është një nga shkaqet e pakënaqësisë që shfaqet në shoqërinë shqiptare.
“Shqiptarët prej natyre nuk janë të pakënaqur në mënyrë të brendshme. Nuk jena të ndryshëm nga pjesa tjetër e botës për këtë fakt. Jemi të pakënaqur sepse jemi të pasigurt në punë dhe kjo pasiguri lidhet kryesisht me institucionet. Nuk lidhet vetëm me standartin e jetesës, që mendohet se është një prej shkaqeve. Në momentin që kontrollon për këtë efekt, atëherë dalin efektet e tjera negative, të cilat vijnë prej pasigurisë në punë”.
Rajoni Shkodrës është një nga zonat me nivelin më të lartë të papunësisë në Shqipëri. Gjatë konferencës rajonale mbi tregun e punës, drejtoresha rajonale e punësimit, Rozafa Zmijani, tha se në këtë rajon ushtrojnë veprimtarinë e tyre 2388 subjekte, por pjesa më e madhe prej tyre kanë të punësuar 1-5 punëtorë, një gjë që ndikon edhe në numrin e ulët të të punësuarve.
“Rajoni ka 5470 punëkërkues të papunë. Në sistemin tonë kemi rreth 8 mijë persona të regjistruar, sepse pjesa tjetër ose janë studentë, që janë regjistruar në zyrat tona, por nuk e marrin statusin e punëkërkuesit të papunë, sepse nuk mund të punojnë 8 orë pasi nuk e lejojnë studimet, ose mund të jenë edhe nxënës shkollash, pasi në zyrat e punës regjistrohet çdo person që është mbi 15 vjeç”.
Sipas drejtoreshës rajonale të punësimit, në rajon ka vende të lira pune, por niveli i ulët i pagave dhe kushtet e punës ndikojnë në pasigurinë e punëtorëve.
“Shumica e ofertës vazhdon të jetë në sektorin e fasonerisë, i cili është një sektor ku pagat janë të ulëta dhe niveli që kërkohet është i ulët”.
Pasiguria në punë është më e lartë në sektorin privat, për shkak se në një masë të madhe punësimi i punëtorëve dhe punonjësve të administratës bëhet pa kontratë pune. Por edhe administrata shtetërore, sipas pedagoges Drishti, ndjehet e pasigurtë për vendin e punës për shkak të rotacionit politik, që krijohet nga zgjedhjet.
Kjo situatë ka ndikuar në rritjen e nivelit të emigrimit nga Shqipëria. Sipas të dhënave të INSTAT, vetëm nga viti 2016 deri në fund të vitit 2020 janë larguar nga vendi drejt emigracionit 139 mijë persona, pjesa më e madhe të rinj. Largimet e padrejta të punonjësve nga administrata shtetërore dhe gjyqet e fituara prej tyre, i kanë shkaktuar, vitet e fundit, buxhetit të shtetit një dëm ekonomik që llogaritet në rreth 130 milionë euro, shifër kjo mjaft e lartë për buxhetin e varfër të shtetit shqiptar.
“Ekziston pritshmëria që, nëse jam në punë në shtet nuk kam me kenë i rrezikuar, por në momentet që futet cikli politik i biznesit në lojë, atëherë për çdo 4 vjet, ose sa herë ka zgjedhje, fillon pjesa e pasigurisë në punë për shkak të preferencave politike, të cilat prap futen tek institucionet”.
Sipas të dhënave të Departamentit të Administratës Publike, vetëm gjatë vitit 2019 pati një rritje të lirimeve nga puna në masën 57.7%. Pjesa më e madhe prej tyre, sipas raportit të DAP, janë me motivacionin “ristrukturim i vendit të punës”, tregues ky që dëshmon se edhe në administratën shtetërore niveli i pasigurisë për vendin e punës është i lartë dhe kjo reflektohet në vetë funksonimin e kësaj administrate./VOA/