Vetëm pak javë më parë themeluesi i Microsoft, Bill Gates, konfirmoi se është ndarë nga bashkëshortja e tij, Melinda Gates. Në një postim në Twitter ai u shpreh se vendimi për t’i dhënë fund martesës kishte qenë i përbashkët.
“Pas një mendimi të gjatë dhe shumë pune, ne kemi marrë vendimin për t’i dhënë fund martesës sonë. Gjatë 27 viteve të fundit, ne kemi rritur tre fëmijë të mrekullueshëm dhe kemi ndërtuar një fondacion që punon në të gjithë botën për t’i mundësuar të gjithë njerëzve të bëjnë jetë të shëndetshme dhe produktive”, shkroi Bill Gates.
Ndërkohë që nuk dihen të sakta shkaqet e ndarjes, në media kanë dalë disa histori që tregojnë se Bill Gates nuk ka qenë i qëndrueshëm gjatë martesës së tij.
“The New York Times” ka publikuar dy histori sipas së cilave themeluesi i Microsoft ju ka kërkuar dy grave, që kanë punuar për të, që të dalin në takime romantike, por nuk ka marrë përgjigje pozitive prej tyre. Thuhet se njëra prej këtyre ngjarjeve ka ndodhur gjatë kohës që ai ishte i martuar me Melinda Gates.
Sipas raportimeve të “NYT”, Bill i ka dërguar menjëherë një email në vitin 2006 një punonjëseje pasi e pa në një prezantim dhe i ka kërkuar që të dilnin bashkë për darkë. Mirëpo punonjësja në fjalë nuk i ktheu kurrë një përgjigje dhe Bill i kërkoi që të bënte sikur nuk kishte marrë kurrë një email prej tij.
Gjithashtu thuhet se Bill ka udhëtuar dikur drejt New York-ut me një grua që punonte për fondacionin e tij dhe të Melinda Gates. Të dy ata kanë marrë pjesë në një party dhe gruaja në fjalë pretendon se me zë të ulët në mes të festës, Bill i ka kërkuar që të darkojnë bashkë. Ajo ka treguar se atëherë vetëm ka qeshur për t’ju shmangur përgjigjes.
Duke cituar disa punonjës dhe ish-punonjës së tij, “Times” shkruan se Bill Gates përshkruhet si një person që i bën njerëzit të mos ndihen rehat pranë tij, por të gjithë kanë theksuar se ai nuk ka abuzuar kurrë me fuqinë që ka.