Megjithatë, ish zëvendësi i tij nuk zmbrapset. Përkundrazi! Sa herë del në media hap një faqe të re dëshmie, të cilën të gjithë presim ta shkruajë drejtësia…
Arben Ahmetaj ia prishi sërish idilin e lumturisë Edi Ramës. Pikërisht në momentin kur Babloku mendoi se do të mund ta mbulonte ‘diellin me shoshë’ dhe do të zbuste disi të vërtetat e emisionit italian “Report” në RAI 3, ish-zëvendësi i tij u rishfaq.
“Kot lodheni, mafien në Shqipëri e drejton Edi Rama. Nga zyra e tij madje…” Ky ka qenë pak a shumë mesazhi i ish- zv/Kryeministrit dhe ai është një zë që duhet dëgjuar.
Kambanat bien për kë ka veshë dhe kambanat e Arben Ahmetajt bien fort. Ai është shënuar në historinë e Shqipërisë si i vetmi politikan shqiptar që ka folur konkretisht për sundimin mafioz të Edi Ramës.
Babloku ka frikë nga Arben Ahmetaj dhe këtë e dëshmojnë kërcënimet me jetë që Kryeministri i ka bërë më shumë se një herë zëvendësit të vet. E ka kërcënuar atë, fëmijët e tij, partneren me të cilën bashkëjeton, ish bashkëshorten dhe këdo që ai e di ku Ahmetajt i dhemb.
Megjithatë, ish zëvendësi i tij nuk zmbrapset. Përkundrazi! Sa herë del në media hap një faqe të re dëshmie, të cilën të gjithë presim ta shkruajë drejtësia.
Por drejtësia nuk flet. Ajo përndjek ikanakun dhe bën sikur nuk i dëgjon ato çfarë ai ka për të thënë. Drejtësia betohet ta kapë dhe fusë në burg ikanakun, anipse ky i fundit ka dhënë më shumë se një herë prova se asgjë nuk do të ndodhte, asnjë qindarkë nuk do të ishte vjedhur nëse Edi Rama nuk do të ishte pjesë.
Dikur Arben Ahmetaj doli e tha se ai e ka të dëshmuar me dokumente se nuk ka lidhje me skandalin e inceneratoreve. Edhe sikur, nuk do të kishte mundësi të kishte lidhje sepse Rama kishte edhe firmën edhe vulën. Megjithatë, edhe pse ashiqare ai është vetëm një pjesëz e vogël e pazëllit të kësaj vjedhjeje, një nga më të mëdhatë në vend, për Arben Ahmetaj doli urdhri i arrestit dhe pas mos gjetjes në Shqipëri, u shpall në kërkim.
Drejtësia i mbylli sytë përballë provave të ish zv/Kryeminsitrit dhe në këmbim dha “spektakël” me kontrollin e shtëpisë së bashkëjetueses së tij dhe urdhra sekuestroje. Për herë të parë në historinë e drejtësisë shqiptare, te re e te vjetër, në rastin e Arben Ahmetajt, po hetohej personi dhe jo çështja.
Pavarësisht se hajdutët kishin emra dhe adresa, SPAK vazhdonte të kërkonte gjurmën, edhe pse ujkun e kishte përpara.
Kur e pa se donin ta shkatërronin plotësisht, Ahmetaj u shfaq sërish në ekran dhe për herë të parë dëshmia e një ish-pushtetari të lartë si ai, pati emër: Edi Rama!
Atëherë nisi gjuetia e shtrigave. Rama mori rolin që di të luajë më mirë në jetë, atë të kriminelit dhe nisi sagën e kërcënimeve.
Arben Ahmetaj dhe familja e tij vazhdon të kërcënohet. Kjo nuk ndodh për herë të parë për një njeri që thotë të vërtetën. Ajo çfarë e bën shumë të rëndë situatën është se kësaj radhe bëhet fjalë për ish-krahun e djathtë të tij, një ish zv/Kryeminsitër. Dhe kjo nuk është pak.
- Por, fatmirësisht, Arben Ahmetaj nuk është objektiv fort i lehtë për tu kapur nga mafiozët e Ramës e as shënjestër e lehtë për tu gjuajtur ditën për diell. Prandaj ai vazhdon dhe tregon nga një të vërtetë të tmerrshme për pushtetin e Edi Ramës sa herë shfaqet në ekran dhe po kaq herë vazhdon të kërcënohet.
Këtë radhë gazetari ishte një italian, në një emision dhe ekran të famshëm. Lojërat e fjalëve të Edi Ramës përballë Giorgio Mottola-s nuk pinë ujë. Ahmetaj ia dridhi themelet sërish. Ndoshta herën e parë dëshmia e tij nuk u mor për bazë. Ndoshta të njëjtin fat do të ketë edhe kjo e kësaj here. Por sa kohë mendon Edi Rama se do të shpëtojë?/Pamfleti