Dyert e SPAK-ut u hapën sot për ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Bardhyl Kollçaku, i cili prej 2019 është deputet i Partisë Socialiste.
- Kollcaku hyri në ambientet e Prokurorisë së Posaçme pak pas orës 11:00 të paradites dhe po merret në pyetje lidhur me çështjen e privatizimit të pronave të ushtrisë, pasi ai është kallëzuar nga ish-gjenerali Artur Meçollari në vitin 2021 për “shpërdorim detyre”.
Meçollari, i cili gjithashtu hyri më herët në ambientet e SPAK gjatë kësaj të enjte, akuzon Kollçakun për tjetërsimin e pronave ushtarake dhe shkelje të rënda në kohën kur ai ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Kallëzimi në fjalë ka të bëjë me dhënien me qira të bazës detare të Limionit në Sarandë, ku përveç Kollcakut, ish-komandanti i Forcës Detare akuzon edhe ish-ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.
Kollçaku po merret në pyetje dhe po jep sqarime lidhur me këtë kallëzim, si person që ka dijeni për rrethanat e hetimit, ndërsa Meçollari pretendon se pronat e bazave ushtarake në Shëngjin dhe Sarandë janë dhënë me qira te biznesmenë, me qëllim përfitimi.
- Ndërkohë, sipas MCN ishte njoftuar me një fletë-thirrje për t’u paraqitur këtë të enjte në Prokurorinë e Posaçme edhe ish-ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.
Organi i akuzës ka mbledhur të gjitha provat shkresore për këto prona dhe tashmë pritet dëshmia e personave përgjegjës që kanë firmosur për to, ku përfshihet edhe Xhaçka.
- Por, deputetja socialiste që mban aktualisht postin e Ministres së Jashtme nuk është paraqitur në SPAK, pasi ndodhet jashtë Shqipërisë. Mësohet se Xhaçka por merr pjesë në Forumin e Ballkanit, që zhvillohet në Budapest.