TË MBETEMI TË VETVETES, ÇËSHTJA ËSHTË TANI
Në Maqedoninë e Veriut, që nga 1 marsi ka filluar regjistrimi i popullsisë. Ky proces do të zgjasë deri më 21 prill. Fillimisht regjistrimi po realizohet në diasporë, gjë që paraqet një të arritur të rëndësishme të participimit të shqiptarëve në pushtet, pasi që në regjistrimet e mëparshme, kjo nuk ishte e mundur. Me këtë të drejtë shqiptarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, e që më dëshirë kanë t’a quajnë Iliridë, do fitojnë, për herë të parë, mundësinë që me numër ta dalin aq sa janë. Prandaj ia vlen që çdo shqiptarë të apelojë që të mos humbet ky rast. Mendoj se aty nuk nevojitet shumë punë për vetëdijesimin kombëtar, pasi që shqiptarët i dinë rrënjët e veta. Madje, as me ata që kanë humbur rrugën në oborr, të cilët, duke u lidhur me fenë ortodokse, pranuan sllavizmi, apo me ata pak, që duke u identifikuar me islamin, pranuan ndonjë opsion tjetër joshqiptar. Vlerësoj se ata e dinë se ky është një kushtrim për identitet, dhe se në shekullin 21 është krenari të ndihesh e të regjistrohesh shqiptar. Nëse dikur edhe ngurrohej, sepse mund të pritej ndonjë përfitim nga përkatësia një kombit tjetër, sot, për një gjë të tillë nuk ka nevojë. Sot, të jesh ai që je, të jesh shqiptar, është nder dhe privilegj.
Prandaj, vëllezërit e mi, mos ngurroni, e mos e neglizhoni këtë kushtrim kombëtar. Mos e leni për një ditë, apo për një herë tjetër. Ky rast përsëritet pas 10 viteve, dhe atëherë mund të jetë vonë, sidomos nëse sot nuk shfrytëzohet si duhet, që të jemi ata që jemi, Shqiptar, den-baba-den.
Dihet se nga përqindja në regjistrimin e popullsisë varet shumëçka; buxheti, investimet, shkollimi, punësimet, përfaqësimi etj., prandaj, të mos humbet ky rast historik. Shqiptar, duku shqiptar!
Përfundimisht, uroj vëllezërit e motrat nga Ilirida, që të dalin faqebardhë nga ky referendum kombëtar, dhe njëherë i inkurajoj, që të mos ketë lajthitje, por t’i qasën regjistrimit të popullsisë me dinjitet e përkushtim, e të dëshmojnë se Ilirida është aty, e gjallë dhe e fortë.
TË MBETEMI TË VETVETES, KËTU NË FAKT, NUK KA KURRFARË ÇËSHTJEJE!
AJO KUPTOHET!
Nikollë Camaj, kryetar i LDSH