Aktualisht gjashtë kuqezinj janë lojtarë të lirë dhe në pritje të ofertave. Secili prej tyre e ka veshur fanellën e ekipit kombëtar dhe në këtë dritare merkatoje janë në kërkim të një aventure të re.
- Disa prej tyre kanë qenë edhe në kontakte me klube si brenda dhe jashtë Shqipërisë, por deri tani nuk ka asgjë zyrtare. Nga porta deri në sulm, për çdo repart ka nga një kuqezi të lirë.
Gentian Selmani pak ditë më parë ndërpreu kontratën me ekipin turk të Bolusporit. Pas një gjysmësezoni në stol, ndryshe nga vjet ku portieri ishte titullar, ai ka dalë lojtar i lirë dhe do të vazhdojë karrierën në një klub tjetër, ku nuk përjashtohet edhe mundësia e rikthimit në Superiore. 24-vjeçari luajti 100 takime në Turqi me Bolusporin dhe Menemen.
Bekim BALAJ– Këtë sezon Balaj e nisi me Keciorengucunë në nivelin e dytë të Turqisë, ndërkohë që prej 27 dhjetorit ai ka dalë lojtar i lirë. Sulmuesi i Kombëtares ka qenë në bisedime me Partizanin, por gjithashtu është përfolur edhe për një kalim te Shkëndija e Tetovës. 32-vjeçari nuk luan në Shqipëri që prej sezonit 2011-2012, ku ishte pjesë e Tiranës.
Kristal ABAZAJ– Dëmtimet e shpeshta nuk e lejuan Kristal Abazajn që të shfaqte potencialin e tij në arenën europiane. Pa u mbyllur viti 2022, Istanbulspori njoftoi se ka shkëputur marrëdhëniet me 26- vjeçarin. Sulmuesi është i lirë dhe më parë u përfol edhe për një simpati të Tiranës rreth tij.
Lorenc TRASHI– Mbrojtësi, i cili numëron 15 ndeshje me përfaqësuesen, është një lojtar pa skuadër. Pak ditë në parë bashkëpunimi mes tij dhe Al Qadsias në Kuvajt u ndërpre. Për anësorin e majtë një mundësi është Partizani.
Eros GREZDA– Mesa duket Grezda vazhdon të mos gjejë rehati. I harruar nga kuqezinjtë, por 12 ndeshje mbi shpinë, mesfushori është i lirë sërish pasi është larguar nga Manisa në Turqi.
Kristi QOSE– Që prej muajit gusht ai është një futbollist pa ekip. Plzen i ndërpreu kontratën për arsye disiplinore dhe ish-mesfushori i Kombëtares është në kërkim të një ekipi. Disa kohë më parë u përfol për një interesim të Tiranës