Nga Sidita Kushi, Newsweek
Asistent Profesore e Shkencave Politike në Bridgewater State University
Vizioni i administratës Biden për promovimin e demokracive po dergjet në shtratin e vdekjes në Ballkan. SHBA i ndaloi përpjekjet për të bërë ligjin në regjimin autoritar të Serbisë, të lidhur me krimin, ndonëse regjimi e përafroi politikën e jashtme me atë të Rusisë dhe shkeli liritë qytetare. Për të mbajtur rendin, SHBA forcoi dhe ndëshkoi aleatin e saj më të përkushtuar, Kosovën e orientuar drejt demokracisë – vendin që mbrojti dhe ndërtoi pas fushatave të spastrimit etnik serb kundër shumicës shqiptare në vitet ‘90.
Ndërkohë, Serbia mori mbështetje nga Rusia dhe Kina për të vazhduar provokimet.
Pse SHBA po mbështet ato regjime në Ballkan që janë më pak të përkushtuara ndaj vlerave demokratike, ndërkohë që braktis aleatët e saj me mendësi liberale? Vlerat liberale amerikane janë të domosdoshme për zgjidhjen e krizës, por aktualisht ato nuk shihen gjëkundi.
Në Kosovë nevojitet urgjentisht një ndryshim drastik i politikës së SHBA.
Të trimëruar nga marrja me të mirë nga Perëndimi, nxitësit e drejtuar nga Beogradi, me maska, shkopinj dhe të armatosur me armë dhe kokteje molotov, sulmuan së fundmi paqeruajtësit e NATO-s dhe gazetarët në veri të Kosovës.
- Një ditë para sulmeve ndaj trupave të NATO-s, Sekretari i Shtetit Antony Blinken dënoi Kosovën për vënien në jetë të rezultatit të zgjedhjeve të mbështetura nga Perëndimi në veri. Por ishte Serbia ajo që vendosi forcat e saj të armatosura në gatishmëri luftarake në kufirin me Kosovën. Blinken nuk tha asnjë fjalë dënimi për raundin e parë të protestuesve të dhunshëm të urdhëruar nga Serbia, të cilët dogjën makinat e policisë. Pa dënim ndërkombëtar, agjitatorët serbë u bënë më të guximshëm dhe sulmuan dhe plagosën trupat e NATO-s, dëmtuan automjetet e mediave dhe pikturuan simbolet Z në automjetet e paqeruajtësve. Si kundërpërgjigje ndaj dhunës serbe, SHBA anuloi pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjen e NATO-s Defender 23.
Vitet e fundit, kjo verbëri e qëllimshme ndaj shkeljeve të Serbisë u bë normë në marrëdhëniet diplomatike SHBA-Ballkan dhe po çon përsëri në rrugën e marrjes me të mirë të të fortëve të Ballkanit.
- Modeli është i qartë. SHBA kthen kokën nga ana tjetër, ndërsa lideri serb Aleksandar Vuçiç tund shpatën dhe ul e ngre tensionin në Kosovë sa herë që opozita e brendshme bëhet më e zhurmshme. Edhe pas disa ditë dhunë të udhëhequr nga Serbia kundër NATO-s, Perëndimi kërkon me ngulm më shumë nga Kosova dhe thjesht “inkurajon Presidentin Vuçiç që të bëjë thirrje për qetësi mes serbëve të Kosovës”.
SHBA duhet të vendosë për vizionin e saj për Ballkanin. A do të bëhet një rajon i drejtuar nga autokratë etno-nacionalistë, apo një rajon i përkushtuar ndaj multikulturalizmit dhe demokracisë? Në fund të fundit, Kosova është aleati më demokratik i SHBA në rajon. E megjithatë, tani SHBA merr me të mirë liderët etno-nacionalistë si Vuçiç dhe dënon ata që kërkojnë të zbatojnë struktura të vërteta liberale si pengesa për “stabilitetin”.
Në vitet e fundit, Serbia mobilizoi tanke dhe avionë luftarakë në kufi në përgjigje të një politike reciprociteti për targat në Kosovë, pa asnjë dënim ndërkombëtar. Këtë herë, Serbia përshkallëzoi si përgjigje ndaj qeverisë së Kosovës që futi katër kryetarë komunash të sapozgjedhur në zyrat e tyre në veri të Kosovës. Popullata me shumicë serbe në veri bojkotoi zgjedhjet me urdhër të Serbisë, por më pas u përpoq të bllokonte fizikisht kryetarët e rinj në marrjen e detyrës.
Kur policia e Kosovës i shoqëroi politikanët para turmës së protestuesve, pasuan përleshjet mes serbëve dhe policisë, duke shkaktuar përshkallëzim ushtarak serb.
- SHBA mbështeti rezultatet e zgjedhjeve komunale të prillit. Por, kur Kosova u përpoq të vinte në zbatim rezultatin e zgjedhjeve mes barrikadave serbe, SHBA ndryshoi kurs dhe fajësoi Kosovën për guximin për të zbatuar ligjin.
Ndërsa investoi dekada fondesh dhe trupash për të promovuar Kosovën si shtet, tani SHBA përdor diplomacinë kundër sovranitetit të Kosovës dhe kundër interesave perëndimore dhe demokratizimit në rajon.
Ndërkohë, Serbia blen armë të sanksionuara nga Rusia dhe sponsorizon bandat kriminale dhe qeverinë ilegale në veri të Kosovës pa penalitet.
Nuk ka asnjë logjikë apo vlera në pozicionin aktual diplomatik të SHBA në Ballkan. Ka vetëm një jehonë të frikshme të një epoke kur Perëndimi e lidhi qerren me autokratët më të fuqishëm në rajon, çka çoi në gjenocid, spastrim etnik dhe ndërhyrjen e NATO-s.
Duke dënuar Kosovën dhe lavdëruar Serbinë kur bën hapa prapa, SHBA miraton pa asnjë mëdyshje paligjshmërinë në veri. Ajo e hedh sovranitetin e Kosovës mbi tavolinë si plaçkë pazari – pavarësisht dekadave të vendosmërisë së Perëndimit për të mbështetur përparimin demokratik të Kosovës.
Nëse “fuçia e barutit” shpërthen edhe një herë, gjaku do të jetë në duart e diplomatëve amerikanë për ndëshkimin e aleatëve të tyre demokratë teksa merrnin me të mirë autokratët. Por ka ende kohë për të rinisur dhe rinovuar investimet në demokratizimin e Ballkanit – jo në një tjetër stabilokraci. Ndërhyrja humanitare dhe misioni më i suksesshëm për demokratizim i SHBA në epokën pas Luftës së Ftohtë është në rrezik serioz, bashkë me atë çka ka mbetur nga kredencialet e saj liberale.