“New York Times”: Ja lidhjet e Ramës me McGonigal

Gazeta e njohur amerikane, ‘New York Times’ hedh akuza të forta ndaj kryeministrit shqiptar, Edi Rama, se ka përfituar nga agjenti i diskredituar i FBI, Charles McGonigal. Një ditë pasi kryeministri shqiptar, Edi Rama mohoi këto akuza, një nga mediat më të rëndësishme amerikane i jep një goditje të fortë pretendimeve të tij.

Ndërsa ishte ende në FBI, ai (McGonigal) zhvilloi një marrëdhënie me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe ndërmori hapa në dobi të politikanit, sipas prokurorëve në Uashington,” shkruan gazeta.

Gatishmëria e zotit McGonigal për t’u takuar me kreun e shtetit në Shqipëri, një vend që ka një prani diplomatike amerikane, sugjeron se ai nuk po e mbante të fshehtë përfshirjen e tij nga kolegët, thanë ish-zyrtarët. Ai gjithashtu përdoret adresën e emailit të FBI dhe telefonin zyrtar për çështjet që lidhen me Shqipërinë, tha një person me njohuri për hetimin,” shton ‘New York Times.

PJESE NGA SHKRIMI

Aktakuza e Uashingtonit detajon se si gjatë dy viteve, zoti McGonigal paraqiti informacione të rreme financiare te FBI. Formularët nuk paraqisnin pagesën nga një biznesmen nga Nju Xhersi, i cili ishte ish-punonjës i inteligjencës shqiptare, si dhe udhëtime ndërkombëtare falas. Prokurorët thonë se zoti McGonigal gënjeu gjithashtu për destinacionet e tij të udhëtimit dhe ndërveprimet me të huajt në formularët që ai duhej të plotësonte, dhe ndërmori veprime që duket se kanë rënë në kundërshtim me detyrat e tij qeveritare. Në gusht të vitit 2017, thanë prokurorët, ai u takua me Agron Nezën, prokurorët e Nju Xhersit e përshkruajnë biznesmenin në akuzë si Personi A. Gazeta arriti ta identifikojë atë përmes të dhënave publike dhe intervistave me njerëz të njohur me rastin.

Në takimin e gushtit 2017, zoti McGonigal i kërkoi para zotit Neza, thanë prokurorët. Ata nuk dhanë detaje se si u takuan personat, nuk e karakterizuan marrëdhënien e tyre ose nuk zbuluan arsyen e kërkesës. Por në aktakuzën e Nju Jorkut, zoti Neza përmendet si miku i zotit McGonigal. Në muajt vijues, pasi zoti McGonigal kërkoi para, të dy personat bënë udhëtime të shumta në Europë, ku zoti McGonigal mesa duket përdori pozicionin e tij në përpjekjet për të krijuar biznes për zotin Neza, sugjeruan prokurorët në padinë e Uashingtonit.

  • Në shtator të vitit 2017, të dy udhëtuan për në Shqipëri, thanë prokurorët, ku zoti Neza e prezantoi zotin McGonigal me Dorian Duçkën, një ish-zyrtar shqiptar që shërbente si këshilltar informal i kryeministrit Rama. Zoti Duçka, i përshkruar në aktpadinë e Uashingtonit si Personi B, e solli zotin McGonigal që të takohej me Ramën.

Bashkë me dhënien e parafernelive të FBI-së për zotin Rama, zoti McGonigal është përpjekur që të nxisë kryeministrin Edi Rama për të dhënë një licencë për shpime nafte te një subjekt i lidhur me Nezën dhe Duçkën, sugjeruan prokurorët.

  • Zoti McGonigal gjithashtu duket se u përpoq të ndihmonte zotin Neza për të bërë marrëveshje me një politikan dhe biznesmen shqiptar, që donte që FBI të hetonte për atë që ai thoshte se është një komplot për jetën e tij.

Pasi takoi këtë person, McGonigal organizoi një udhëtim të mëvonshëm jashtë shtetit që një prokuror amerikan ta intervistonte në Austri, duke përdorur zotin Neza si përkthyes të tij. Prokurorët sugjeruan se takimi ishte një mashtrim; nuk kishte asnjë procesverbal zyrtar të intervistës dhe zoti Neza nuk ishte paguar për punën. Në të njëjtën ditë, zoti McGonigal dhe zoti Neza fluturuan për në Shqipëri, ku u takuan me politikanin dhe diskutuan mundësitë për biznes, thuhet në aktakuzë.

Atë vjeshtë, zoti Neza i dha zotit McGonigal 225 mijë dollarë në cash në tre këste, sipas aktakuzës. Zoti Neza bëri një nga pagesat brenda një makine të parkuar në Nju Jork dhe të tjerat në shtëpinë e tij në Nju Xhersi. McGonigal premtoi se do t’i kthente paratë, sipas aktakuzës. Prokurorët nuk e kanë akuzuar McGonigal për ndërmarrjen e ndonjë veprimi zyrtar në këmbim të pagesave.

  • Në nëntor, pasi zoti McGonigal u takua përsëri me kryeministrin dhe zotin Duçka në Shqipëri, ai kontaktoi të njëjtin prokuror, që kishte qenë me të në Austri, për një hetim të mundshëm ndaj një lobisti që kundërshtari politik i zotit Rama kishte punësuar për të pasur akses dhe mbështetje nga presidenti Donald Trump.

Ngjarjet e detajuara në aktakuzë dhe të dhënat e tjera publike duket se përputhen me përshkrimin e lobistit Nicolas D. Muzin.

Vetëm disa ditë përpara se McGonigal të kontaktonte me prokurorin, më 14 nëntor, Muzin paraqiti një raport në Departamentin e Drejtësisë, duke zbuluar lobimin e tij për Partinë Demokratike të Shqipërisë, partinë politike të qendrës së djathtë që sfidonte zotin Rama. Partia drejtohej nga Lulzim Basha, i cili e quante veten si një mbështetës të zotit Trump.

Në fillim të vitit 2018, zoti Neza vazhdoi t’i transmetonte zotit McGonigal informacione- disa prej të cilave erdhën direkt nga zyra e zotit Rama- për zotin Muzin, sipas aktakuzës së Uashingtonit. McGonigal më pas do ua përcillte këto informacione të tjerëve në zyrën e FBI në Nju Jork.

Në fund të shkurtit, FBI hapi formalisht një hetim për lobistin me kërkesën dhe udhëzimin e McGonigal. Neza ishte ndër burimet konfidencialë që dhanë informacione gjatë hetimit dhe zoti Duçka pagoi dëshmitarët në Europë për udhëtimet dhe takimet e tyre me FBI-në, thuhet në aktakuzë.

Gjatë kësaj kohe, McGonigal dështoi të zbulonte kontaktet e tij me zotin Duçka apo marrëdhëniet e tij financiare me zotin Neza, thanë prokurorët. Nuk është e qartë nëse Departamenti i Drejtësisë ndërmori hapa shtesë për të hetuar zotin Muzin dhe kundër tij nuk u ngrit akuzë. Zoti Muzin tha në një deklaratë se ai ‘nuk kishte arsye të besonte se ishte viktimë e një hetimi të rremë’.

“Por nëse do të isha, kjo është për të ardhur keq dhe shpresoj se drejtësia do të vihet në vend”.

Zoti Rama e ka portretizuar veten si një reformator dhe kundërshtar i luftës së Rusisë në Ukrainë. Por pas daljes në pension në vitin 2018, zoti McGonigal punoi në anën tjetër, për listën e pagesave të një oligarku rus të sanksionuar, Oleg Deripaska, që dikur shihej si anëtar i rrethit të ngushtë të presidentit Vladimir Putin, sipas aktakuzës ndaj McGonigal dhe një tjetër personi, Sergej Shestakov…

Pasi u largua nga FBI, zoti McGonigal shkoi të punonte për zotin Deripaska, oligarku i sanksionuar, sipas aktakuzës së Nju Jorkut. Por nuk ishte takimi i tij i parë me rrethin e zotit Deripaska.

Prokurorët sugjerojnë se zoti McGonigal filloi të afrohej me zotin Deripaska përpara daljes në pension. Në vitin 2018, ai ndihmoi vajzën e një punonjësi të zotit Deripaska të fitonte një stazh në Departamentin e Policisë së Nju Jorkut, sipas aktakuzës së Nju Jorkut. Zoti McGonigal i shpjegoi një zyrtari tjetër të FBi se babai i vajzës ishte një oficer i inteligjencës ruse që donte ta rekrutonte, thanë prokurorët.

Në vitin 2019, pas daljes në pension, zoti McGonigal i prezantoi zotit Deripaska një firmë ligjore, e cila do të kërkonte heqjen e sanksioneve dhe zoti McGonigal do të paguhej 25 mijë dollarë në muaj deri në mars 2020 nga zoti Deripaska përmes firmës ligjore si konsulent, thuhet në aktakuzës. Puna u ndal me fillimin e pandemisë.

Në vitin 2021, zoti McGonigal dhe bashkëpunëtori i tij, zoti Shestakov, negociuan një marrëveshje- me punonjësin e Deripaskës, vajza e të cilit mori praktikën në polici- për të punuar për zotin Deripaska për të hetuar një oligark rival.

Zoti McGonigal dhe zoti Shestakov, që akuzohen se kanë dhunuar sanksionet e SHBA dhe kanë pastruar para, u paguan 218 mijë dollarë për tre muaj nga një kompani guaskë në Qipro përmes një banke ruse. Zoti McGonigal e rregulloi që pagesat të merreshin përmes kompanisë së një miku në Nju Xhersi, duke falsifikuar nënshkrimin e mikut në kontratë, thanë prokurorët.

Ai mik ishte zoti Neza, biznesmeni me origjinë shqiptare që është në qendër të akuzave të ngritura nga prokurorët e Uashingtonit, sipas një personi që ka njohuri për hetimet.

Por miku i zotit McGonigal, mesa duket nuk ishte në dijeni të punës së tij për zotin Deripaska. Kur zoti Neza e pyeti për burimin e transfertave bankare, zoti McGonigal u përgjigj se kishte bërë një punë të ligjshme për një djalë të pasur rus.

Zoti Neza pranoi transferimin e parave, thanë prokurorët.

Author: jehona