MURGESHA SHQIPTARE NË KUFIRIN E POLONISË ME UKRAINËN, TË LUFTËS DHE DASHURISË.
Më tronditi, por më shumë më dha frymë të shenjtë dhe besim te dashuria njerëzore ajo që më shkruajte motër Moza, murgeshë Salvatoriane. Jam shumë e lidhur më të. Mesazhin e radhës e prisja me merak të madh. Më kishte shkruar se do të nisej per ne Poloni, në kufi me Ukrainen për të çuar ndihma e ushqime për burrat e gratë në luftê si dhe per te marrë me vete në shtepinë e tyre të murgeshave salvatoriane në Itali familje të ikura nga lufta.
Teksa shkoja për në punë më mbërriti mesazhi i saj. Po prisja të hapej drita jeshile e semaforit dhe s’m’u durua të lexoj:
“Përshëndetje Eda!
Kam dëshirë të bashkëndaj me ty këtë përvojë të mrekullueshme…
E lexova disa herë më vonë dhe as unë s’mund të rri pa e ndarë me ju:
“Gjuha e dashurisë”
… Akoma e ndiej dorën tënde të vogël, kur më preke në shpatull ndërsa po udhëtonim nga Medyka, Poloni. U solla e të shikova ishe ti i vogli Artiom, me buzëqeshje në fytyrë e me sy të trishtuar. As unë nuk e di si mund të qëndronin së bashku këto dy gjëra. U ule ndenjur në prehrin tim dhe filluam të luanim me shuplakat e duarve, e pak nga pak komunikimi i ynë u bë më i kuptueshëm. Limitet e gjuhes i kaluam falë dashurisë që Zoti ka vendosur në ne. Pastaj më shtrëngove fort me krahët e tua, më shikove thellë në sy, sikurse doje të më thoje: ndihem mirë me ty, por kam edhe frikë. Autobusi vazhdonte udhëtimin e dielli i pas drekës depërtonte xhamat e me rrezet bëri që të të kaplonte gjumi. Ngadalë e ule kokën në prehrin tim e me dorën tënde të vogël më more në grykë, e me dorën tjetër më shtrëngove dorën time. Moment magjik. Të shikoja ndërsa ti po flije, çfarë mrekullie! Falenderova Zotin për ty dhe për mrekullinë që je. Mendosha prindërit e tu: në veçanti nënën tënde e cila me siguri po të mendon në këto çaste… Po vuan për largimin tënd, ajo nuk e di akoma se ku ndodhesh ti, ajo di vetëm se ti nuk je me te. Çfarë sakrifice për atë grua, që për të ta shpëtuar jetën nga lufta ka pranuar të ndahet prej teje, me shpresën e madhe se do ti japë jetë bebes që po pret në kraharorin e saj.
Kështu e tretur në mendimet e mia për ty, kaluan 2 orë, ndërsa ti po flije e unë të mbaja në duart e mia si një thesar të paçmuar i cili kërkon liri e shpëtim…”
Sytë i kisha te mbushur me lotë nga dashuria per motër Mozën. Në trup është e vogel, ja ashtu si Shenjtja Nënë Tereza. Dhe m’u kujtua një porosi e Nënë Terezes që “edhe nëse bëjmë gjera te vogla, duhet t’i bëjmë me dashuri te madhe”, ndërsa Motër Moza me dashuri të madhe bën gjëra të mëdha.
Zoti të bekoftë për shërbimin tënd, Motër!
Ti flet gjuhën e dashurisë! Sa kohë ka njerëz si ty në këtë botë, e Mira e pambaruar do të fitojë mbi të keqen dhe vuajtjet , mbi urrejtjen dhe luftën do të fitojë dashuria…/Nga Eda ZHITI./GazetaDielli.