Moti i keq i shoqëruar me reshje të dendura shiu ka sjellë përmbytje në disa qytete të vendit.
Situata paraqitet problematike edhe në Elbasan, ku siç shihet nga këto pamje të siguruara nga gazetari i “Panoramës” përroi i Zaranikës rrezikon të dalë nga shtrati.
Situata paraqitet më e rënduar në lagjet “Dyli Haxhire” dhe në lagjen “Vullnetari” ku edhe shkarkohet përroi në fjalë.
Përroi i Zaranikës shtrihet 4.8 km në Perëndim të Elbasanit, dhe dalja e tij nga shtrati ka qenë një rrezik i vazhdueshëm përmbytje për Elbasanin gjatë viteve të fundit.
IGJEUM ka paralajmëruar përmbytje në vend si pasojë e rreshjeve të shiut që priten gjatë këtyre ditëve. Sipas llogaritjeve të IGJEUM, përgjatë datave (6 -11 Janar 2021) priten reshje shumë intensive, pothuajse në të gjithë territorin.
Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM, këto reshje do të sjellin rritje të rrezikshme të prurjeve në lumenjtë e mëdhenj dhe të mesëm Drin-Buna, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë.