Mori “fytyrën” e një vajze tjetër në rrjete sociale, arrestohet “hakerja”

Skena të ngjashme me filmat duket se po ndodhin shumë shpesh në realitet. Një 37-vjeçare në Tiranë është arrestuar nga policia gjatë operacionit “Account” , pasi përdorte të dhënat e një shtetaseje tjetër, për të hapur llogari false në rrjetet sociale.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Kompjuterik të DVP Tiranë, pas kallëzimit të bërë nga shtetasja M. K. se një person i paidentifikuar hapte llogari në rrjetet sociale, me të dhënat dhe fotot e saj personale dhe të fëmijës së saj të mitur, si dhe shkruante statuse ofenduese dhe kërcënuese ndaj saj, në mënyrë të vazhdueshme, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Account” u ndalua, për veprën penale “Falsifikimi kompjuterik”, shtetasja: – A. K. 37 vjeçe, banuese në Tiranë.

Pas verifikimeve të kryera nga specialistët e Krimit Kompjuterik ka rezultuar se kjo shtetase ka përdorur në mënyrë të vazhdueshme, gjeneralitetet dhe fotot e shtetases M. K. dhe të fëmijës së saj të mitur, për të hapur llogari false në rrjetet sociale, në të cilat shkruante statuse ofenduese dhe kërcënuese ndaj shtetases M. K- njofton policia.

Materialet procedurale për këtë rast i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

 

Author: jehona