Rënia e përgjithshme e popullsisë, emigracioni i lartë i të rinjve dhe puna me sezone jashtë vendit po boshatis me shpejtësi vendin nga të rinjtë, teksa bizneset në të gjithë sektorët kanë shpallur emergjencën për punonjës.
Situata është më kritike në sektorin e turizmit, industrinë e fasonit dhe në ndërtim, të cilat po injorojnë aftësitë, pasi thjesht nuk po gjejnë njerëz.
Tentativat për t’i zëvendësuar me të huaj po rezultojnë me kosto të lartë dhe joefektive, pasi vendi ynë përdoret nga të ardhurit si trampolinë për të ikur në Europë. E ardhmja nuk është optimiste dhe ekonomia nuk mund të ngjitet në zinxhirët më të lartë të vlerës.
Popullsia në moshë pune 15-64 vjeç u tkurr me mbi 32 mijë persona vetëm vitin e kaluar, me rënie vjetore 1.7%, më e thella në 30 vjet.
Rezultatet e Barometrit të Ballkanit 2022 tregojnë se 42% e të anketuarve në Shqipëri planifikojnë të emigrojnë shkruan Blerina Hoxha e Monitor.
Zgjerimi i sektorit të turizmit, volumet më të larta në ndërtim, rritja e kërkesës pas pandemisë dhe luftës në Ukrainë për prodhimin në Shqipëri i ka vënë bizneset e këtyre sektorëve në emergjencë për punonjës.
Deficitet në tregun e punës janë shndërruar në shqetësim pesë vitet e fundit në të gjithë sektorët e ekonomisë pa përjashtim, pasi popullsia e vendit dhe, sidomos, forca e re e punës po tkurret me shpejtësi nga normat e larta të emigracionit dhe rënies së lindjeve, por së fundmi mungesat po pengojnë seriozisht shfrytëzimin e potencialeve për zgjerim të ekonomisë.
Tentativat për të mbuluar këtë nevojë me punonjës nga jashtë, sidomos nga Azia dhe Afrika, po rezultojnë me kosto dhe jo shumë efikase për të përmbushur nevojën urgjente që bizneset kanë në këtë moment, por sidomos ato në sektorin fason, ndërtim dhe turizëm.
- Sipas të dhënave zyrtare nga rishikimi vjetor i popullsisë nga viti 2011, kur u bë censi i fundit deri në fillim të këtij viti, ka emigruar 7.5% e popullsisë së vendit, ose 213,748 persona, ku më shumë se 32 mijë persona janë larguar vetëm vitin e kaluar.
- Fenomeni po thellohet më tej këtë vit, pasi vetëm për tre muajt e parë janë regjistruar gjithsej 2900 aplikime për azil në vendet e BE-së, gati trefish më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2021. Të dhëna më të detajuara tregojnë se, mbi 78% e tyre janë persona nën 34 vjeç.
Rënia e lindjeve me shpejtësi nga më shumë se 85 mijë në vitin 1990 në rreth 27 mijë në vitin 2021, sjellin një perspektivë të zymtë mbi ecurinë e forcës së punës në dekadën në vijim. Të dhënat nga INSTAT tregojnë se popullsia në moshë pune 15-64 vjeç u tkurr me mbi 32 mijë persona vetëm vitin e kaluar, me rënie vjetore 1.7%, më e thella në 30 vjet.
Kjo perspektivë e zymtë demografike ende nuk është pranuar si problem nga qeveria, ndaj zgjidhjet për përmirësimin e situatës mungojnë. Përpos problematikave të tjera, mungesa e fuqisë punëtore po e vë ekonominë përballë një situate, për të cilën bizneset nuk kanë njohuri dhe nuk dinë si të përshtaten. Largimi i të rinjve nga vendi po ndodh si askund tjetër në Europë, në një kohë që modeli në të cilin bazohet ekonomia jonë mbështetet pikërisht te kapitali human dhe krahu i lirë i punës, i cili po shteron me shpejtësi.
- Rezultatet e Barometrit të Ballkanit 2022 që u publikua këto ditë tregojnë se 42% e të anketuarve në Shqipëri planifikojnë të emigrojnë, kjo ishte përqindja më e lartë në rajon, pas Kosovës.
Në tremujorin e parë të vitit 2022, punësimi u rrit në terma vjetorë 8,0% në sektorin e industrisë, me 1,7% në sektorin e shërbimeve, dhe me 2,8% në sektorin e bujqësisë, por rritja do të ishte edhe më e madhe nëse disa sektorë do të kishin mjaftueshëm punonjës.
Fasoni tenton të marrë punonjës nga Azia, nuk ka siguri dhe kostot janë të larta
Industria e tekstileve dhe këpucëve kishte deklaruar rreth 56 mijë të punësuar në vitin 2019, para pandemisë, por Unioni i Fasonëve pohon se, nëse do të kishte mjaftueshëm punonjës, kërkesa është e mjaftueshme për të punësuar deri në 100 mijë persona.
Eksportet e industrisë tekstile u rritën me shpejtësi këtë vit me mbi 23% në tremujorin e parë. Fabrikat u përballën me vështirësitë e para me punonjës në vitin 2016, ku nuk kishte më interes nga të rinjtë për t’u angazhuar në këtë sektor, teksa vendi u përfshi në një valë emigrimi ku ikën në azil, rreth 60 mijë persona.
- Disa fabrika në rrethe u boshatisën dhe në 7 vitet e fundit emigrimi sistematik, tashmë edhe me familje, e ka dobësuar forcën punëtore në këtë sektor. Përpjekjet për të përmbushur kërkesën me fuqi të huaj punëtore dështuan. Disa punonjës që u sollën nga Bangladeshi para pandemisë e përdorën Shqipërinë si trampolinë për në Europë.
Ndërkohë bizneset e fasonit, duke qenë se në shumicë punojnë me material porositësi dhe norma të ulëta fitimi, nuk mund të përdorin pagat si mjet për të stimuluar punonjësit. Vitin e kaluar, pagat në sektorin e industrisë u rritën mesatarisht me 5.3%. Paga bruto në industri gjatë vitit kaluar arriti në 38,445 lekë nga 35,887 lekë që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë. E gjithë rritja prej 5.3% ndodhi në tremujorin e parë të vitit 2022.
- Largimi i punëtorëve nga fabrikat po ndodh aq shpejt, sa bizneset nuk kanë kohë të përshtaten. Shumë fabrika po hyjnë në ciklin e mbyllur dhe po tentojnë të përzgjedhin, ndërmjet kërkesës së lartë, produkte me vlerë të shtuar.
Gjithashtu inovacioni po shihet si zgjidhje kyçe. Fabrikat shqiptare kanë nisur të blejnë teknologjinë e fundit të makinerive të prodhimit. Njësitë e tekstilit po investojnë në prestaritë automatike me laser. Një makineri e tillë kushton nga 150 deri në 500 mijë euro, por përfitimet që rrjedhin nga përdorimi i saj janë të mëdha. Një makinë e tillë zëvendëson së paku katër punonjës, tha Zekja, i cili pohoi se fabrikat i kanë shtuar blerjet e këtyre pajisjeve.
Makineritë e zakonshme të prerjeve po zëvendësohen me makineritë “Computer stitching”. Zonja Eva Laro, e cila drejton fabrikën e prodhimit të këpucëve “ProDyn”, një nga më të mëdhatë në vend, tha se, vitin e kaluar investoi në blerjen e këtyre makinerive. Një makinë qepëse kompjuter përdoret për të kontrolluar procese të ndryshme pune.
Mungesa e punonjësve nxit automatizimin
Largimi i punëtorëve nga fabrikat po ndodh aq shpejt, sa bizneset nuk kanë kohë të përshtaten. Shumë fabrika po hyjnë në ciklin e mbyllur dhe po tentojnë të përzgjedhin, ndërmjet kërkesës së lartë, produkte me vlerë të shtuar. Gjithashtu inovacioni po shihet si zgjidhje kyçe. Fabrikat shqiptare kanë nisur të blejnë teknologjinë e fundit të makinerive të prodhimit. Njësitë e tekstilit po investojnë në prestaritë automatike me laser.
Hotelet dhe restorantet ulin pretendimet për aftësinë, nuk ka fare punonjës
Bizneset e bareve, restoranteve dhe hoteleve, ishin në vështirësi për punonjës edhe para pandemisë, jo vetëm se nuk ka punonjës të kualifikuar, por nuk ka fare punonjës, tha Enri Jahja, Kryetar i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve. Ai shpjegoi se, ka nevojë duke filluar që nga sanitaret e deri te shefat e kuzhinës apo menaxherët e hoteleve.
“Situata është shumë kritike pasi dita-ditës numri i punonjësve në stafe pakësohet, çmimet rriten dhe po ashtu, kërkesat e stafit për paga më të larta. Kjo është një nga situatat më të këqija të sektorit në këto kohë”, – tha zoti Jahja.
Për strukturat në bregdet pritet të rritet numri i turistëve. Në Durrës ka pasur fluks turistësh që në muajin maj, dhe kjo është pozitive për sektorin e turizmit, por edhe për baret dhe restorantet. Strukturat e mëdha hoteliere po marrin kuzhinierë nga Turqia dhe punonjës pastrimi nga Filipinet. Bizneset pranojnë se kostot janë disafish më të larta se për një punonjës nga Shqipëria. Përveç pagave, që minimumi janë 500 euro për të huajt, atyre ju sigurohet edhe ushqimi dhe fjetja.
Këto shpenzime kalojnë gati me dy herë më shumë shpenzimet për një punonjës shqiptar. Sektori i akomodimit dhe bareve punësonte para pandemisë mbi 40 mijë punonjës kundrejt pagës, sipas të dhënave nga INSTAT, por tani, me rritjen e numrit të turistëve në një kohë që emigrimi po tkurr numrin e punonjësve, sektori ka shpallur emergjencë për punëtorë të të gjitha niveleve.
Baret dhe restorantet, edhe pse janë biznese mjaft të popullarizuara, historikisht kanë vuajtur për punonjës të aftë, pasi gjithmonë punonjësit në këto njësi vinin nga profesione të tjera dhe kultura e punës dhe shërbimit linte për të dëshiruar. Por këtë vit, bizneset janë vënë në alarm thjesht për njerëz, pasi nuk gjenden.
Paga mesatare në këtë sektor, sipas deklarimeve zyrtare, arriti në 47 mijë lekë në 3-mujorin e parë 2021 me një rritje vjetore rreth 9%. Por tani, kur kostot e të gjitha lëndëve të para dhe furnizimeve janë rritur, bizneset nuk kanë shumë burime për të rritur pagat e punonjësve.
- Fatos Çerenishti, i cili zotëron FAFA Group, ndër grupet hoteliere më të mëdha në vend, tha se gjetja e punonjësve është shndërruar në një nga problematikat madhore në sektor. Për shkak të mungesave të punonjësve nga tregu vendas, z. Çerenishti dhe shumë të tjerë në sektor u janë drejtuar tregut aziatik. “Jemi munduar të bëjmë rritje pagash, pasi na duhet të mbajmë stafin e trajnuar që na mundëson shërbim me standard.
Gjithsesi, pavarësisht rritjes së pagave, mjedisi mbetet sfidues, pasi hapen struktura të reja dhe nevoja për staf është e vazhdueshme. Situata është e njëjtë edhe në zonën e Shëngjinit, Velipojës dhe në Jug ku strukturat hoteliere janë vënë në presionin e tkurrjes së numrit të punonjësve dhe rritje së turistëve.
- Agroturizmi merr përsipër trajnimin, por nuk gjen punonjës
- Industria ushqimore në vështirësi, nuk po gjejnë zgjidhje
- Fabrikat e përpunimit të qumështit, të cilat nuk po tentojnë të zgjerohen me punonjës për shkak të mungesës së lëndëve të para dhe kostove të larta nga rritja e çmimit të energjisë, po përballen me largimin e punonjësve ekzistues. Në vitin 2020, punësimi në sektorin e agropërpunimit ishte rreth 13 mijë persona, ose 2.6% e totalit, ndërsa në sektorin e peshkimit dhe në industrinë e përpunimit të peshkut ishin të punësuar, në të njëjtin vit, mbi 9000 persona.
- Ndërtimi, në kolaps për krah pune
Aktualisht, sektori i ndërtimit, po vuan mungesë të theksuar për gjetjen e punëtorëve dhe specialistëve. Fenomeni është thelluar që me hapjen e ekonomisë nga pandemia, ku shumë punëtorë punojnë me sezone në Kroaci, Itali dhe Gjermani. Aktualisht, një specialist pllakash kërkon pagesë 2 deri në 3 herë më shumë se më parë, ndërsa pagesat ditore të punonjësve variojnë nga 2,000 deri në 2,500 lekë nga 1,500 lekë më parë, tha më herët kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve, Arben Dervishi.
Gjetja e punëtorëve, përveçse po vështirësohet, po ndikon në rritjen e kostos së punës. Punonjësit në ndërtim po bëhen gjithnjë e më të shtrenjtë, pohojnë ndërtuesit, të cilët thonë se po aplikojnë rritje të pagave çdo 6 muaj për të nxitur mbajtjen e punonjësve që po joshen çdo ditë nga emigracioni.
Vetë ndërtuesit pohojnë se e kanë keqtrajtuar forcën punëtore me paga të ulëta, teksa tani, shumë prej tyre po marrin punonjës nga rajoni, Bosnja dhe Kosova, me paga shumë më të larta se punonjësit shqiptarë.
Perspektiva e punësimit në ndërtim është pozitive këtë vit. Në tremujorin e parë, pagat zyrtare në sektorin e ndërtimit ishin 47 mijë lekë në muaj, me rritje vjetore 10%, por sektori karakterizohet nga një nivel i lartë informaliteti. Sektori i ndërtimit, përveçse po vuan nga mungesa të fuqisë punëtore, mosha mesatare e punonjësve aktualë është më shumë se 50 vjeç sipas të dhënave nga industria.
- Shumë ndërtime, pak punonjës
Operatorët në sektorin e ndërtimit kanë nevojë për punonjës shtesë, për shkak të projekteve të reja që pritet të nisin këtë vit, por tregu i punës ka mungesa, sidomos me profesionistë. Kompanitë që zgjodhën të ruajnë anonimatin pohuan se, sektori po zgjerohet nga rritja e lejeve për ndërtim dhe kërkesa e lartë për rikonstruksione dhe arredim.
- Industria automative po tenton “të furnizohet” me indianë dhe pakistanezë
Shqipëria do të bëhej një treg tërheqës për industrinë e automative si Serbia dhe Maqedonia e Veriut, por mungesat e fuqisë punëtore, përpos të tjerave, po kthehen në problem. Një ndër kompanitë më të reja në tregun e industrisë automotive në vendin tonë, SEWS Cabind Albania, po zgjerohet vazhdimisht sipas planit të saj të biznesit.Teksa më herët kompania shprehej se nuk shihte probleme për fuqinë punëtore, largimi i vrullshëm nga tregu vendas i të rinjve, sidomos pas heqjes së kufizimeve të pandemisë, ka nisur të shqetësojë edhe këtë biznes.
- Po shteron forca e punës, mungojnë zgjidhjet
Bizneset në të gjithë sektorët pohojnë se mungesa e punonjësve është problem serioz, për zgjidhjen e të cilit nuk kanë përvojë dhe as mjete. Ekonomia shqiptare, kurrë më parë, nuk është përballur me këtë fenomen. Qeveria e konsideron emigrimin si një fenomen normal dhe, nga ana tjetër, nuk i ka bërë më të lehta procedurat për sjelljen e punonjësve të huaj në mënyrë të organizuar. Disa biznese që e kishin konsideruar si një mjet zëvendësimin e punonjësve shqiptarë me të huaj, tani po shikojnë që është e pamundur.
Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, popullsia në moshë pune ka përfshirë rreth dy të tretat e së gjithë popullsisë së vendit. Në forcën e punës janë përfshirë 63.6% të popullsisë në moshë pune, rreth 1.3 milionë individë, ndërsa pjesa e mbetur përbën popullsinë ekonomikisht joaktive.
Rënia e popullsisë nën 34 vjeç po shënon edhe rënien totale të forcës së punës në vend. Sipas projeksioneve të reja të popullsisë 2019 – 2031, për tri nënndarje të grupmoshës së të rinjve, për vitet 2018-2021, sipas të dhënave të mbledhura dhe projeksioneve të INSTAT-it, shihet qartë që prurjet e moshave 15-19 dhe 20-24 vjeç paraqesin rënie të dukshme në vijim.
Në fillim të vitit 2022 të dhënat zyrtare mbi popullsinë tregojnë se në grupmoshën 15-29 vjeç pati një tkurrje me 27,707 persona vetme në një vit.
Vendi ynë vitin e kaluar për herë të parë shënoi një shtesë natyre negative, ku vdekjet ishin më të shumta se lindjet, duke e bërë të parikuperueshme humbjen e popullsisë./MONITOR