Një lajm i bujshëm është raportuar së fundmi nga Italia. Sipas “Tutto Atalanta”, Milani është futur në garë për të siguruar shërbimet e Berat Gjimshitit.
Kampionët e Italisë prej kohësh kanë hedhur sytë në mbrojtje për të plotësuar boshllëkun e lënë nga Alessio Romagnioli dhe 29-vjeçari shihet si i duhuri nga drejtuesit.
Sipas raportimeve, shumë shpejt pritet që Maldini të paraqes një ofertë për shqiptarin dhe zyrtarisht në merkato për Gjimshitin mund të zhvillohet një derbi për të siguruar shërbimet e tij.
Interi gjithashtu ka shprehur interesim për qendërmbrojtësin dhe futja në garë e Milanit mund të bëjë që interesimi të përkthehet në oferta konkrete nga dy klubet e Milanos.
Pas në garë nuk mbetet dhe Monza e Berlusconit, pasi edhe Galliani ka shprehur interes për ta transferuar futbollistin e kombëtares, por fjala e fundit për të ardhmen e Gjimshitit i takon trajnerit Gasperinit.
29-vjeçari që prej vitit 2018 është bashkuar me Atalantën dhe mbrojtësi ka qenë një nga pikat më të forta në ekip për trajnerin Gasperini.
Shqiptari ka pasur një rol kryesor për Atalantën në sukseset e arritura në vitet e fundit dhe eksperienca në Seria A dhe Champions League ka bërë që të jetë një ndër më të kërkuarit në merkato.
Në sezonin e fundit të Serie A, Gjimshiti zhvilloi 31 ndeshje dhe shënoi 1 gol.