Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një intervistë për radion britanike LBC ka folur për fenomenin e largimit të shqiptarëve me gomone drejt Britanisë së madhe.
- Meta thotë se shkaqet kryesore që shqiptarët po ikin nga vendi i tyre janë mungesa e mundësive dhe e shtetit të së drejtës.
Ndër të tjera ai thekson se standarti i jetesës për shumicën prej shqiptarëve që largohen ka ardhur duke u përkeqësuar.
Gjithashtu Meta i ka kërkuar kryeministrit Rama të mos provokojë por të bashkëpunojë me autoritetet britanike, pasi sipas tij, e gjithë kjo situatë ka ardhur për shkak të qeverisë së tij të korruptuar.
Intervista e Ilir Metës për radion britanike LBC
Përse po ikin shqiptarët ?
Meta: Fatkeqësisht kjo po ndodh
- për shkak të mungesës së mundësive që u ofron qeveria autokratike e kryeministrit Rama, i cili është në detyrë prej 10 vitesh.
- dhe prej mungesës së shtetit të së drejtës në vend.
Janë këto, dy arsyet kryesore që kanë vrarë shpresat e të rinjve shqiptarë dhe po i detyrojnë ata të largohen nga vendi.
Por, pse duhet të kërkojnë azil në Mbretërinë e Bashkuar? E kuptoj që ka njerëz që duan të jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar, por pse të kërkojnë azil?
Meta: Sepse për shumicën prej tyre, standardi i jetesës që kishin në vendin tonë ka ardhur duke u përkeqësuar.
Por Shqipëria nuk është në luftë, nuk është në gjendje lufte, janë kushtet ekonomike që padyshim janë shumë të vështira. Gjermania për shembull deklaron se Shqipëria është një vend i sigurt.
Meta: Po ke të drejtë, por gjendja ekonomike, gjendja sociale, përjashtimi social është në nivele të tilla, sa janë gati të marrin çdo rrezik dhe të kalojnë La Mansh me gomone, sepse qeveria shqiptare është aktori kryesor përgjegjës për vrasjen e shpresave të tyre për të ndërtuar të ardhmen në vend.
Nëse krahasojmë numrin e shqiptarëve që kërkojnë azil në Britaninë e Madhe, me të rinjtë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina, është aq i madh sa që nuk mund të krahasohen.
Meta: Kryeministri Rama të mos provokojë por të bashkëpunojë me autoritetet britanike, situata për shkak të qeverisë së tij të korruptuar.
Por a mendoni atëherë se autoritetet britanike duhet të pranojnë kërkesat për azil të të rinjve shqiptarë, nisur nga rrethanat që po përshkruani?
Meta: Mendoj se së pari është shumë e rëndësishme që kryeministri Rama të shmangë tonet provokuese me autoritetet britanike, sepse kjo situatë është rezultat i qeverisë së tij të dështuar dhe të korruptuar dhe së dyti, ai duhet të punojë dhe të bashkëpunojë me qeverinë dhe autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar, por edhe me autoritetet franceze, dhe agjencitë ligjzbatuese europiane, sepse jemi thellësisht të shqetësuar për jetën e mijëra shqiptarëve, që janë ngujuar në fakt në pyjet e Francës, në pritje të ardhjes në Britani të Madhe.
Pse situata në Shqipëri duhet të nënkuptojë që Britania e Madhe duhet të marrë më shumë kërkesa për azil?
Meta: Ne mendojmë se autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar duhet të punojnë me autoritetet shqiptare, në mënyrë konstruktive për të adresuar këtë fenomen. Dhe së dyti, fatkeqësisht ka shumë prej tyre që ndihen të përjashtuar dhe të persekutuar për arsye politike nga qeveria shqiptare. Ne nuk i inkurajojmë ata të largohen nga vendi. Ne i inkurajojmë ata të luftojnë këtu për të drejtat e tyre dhe të bëjnë gjithçka për të hequr qafe këtë qeveri të papërgjegjshme, në mënyra demokratike.