ME BORXHE DHE PA MAKINË, A KA PASURI PRESIDENTJE E RE E KOSOVËS?

Vjosa Osmani mbrëmjen e djeshme u zgjodh Presidente e Kosovës.

Osmani është gruaja e dytë, e cila merr postin e Presidentes në Kosovë.

Prej saj pritet të ketë rol unifikues në mesin e skenës së përçarë politike.

Vjosa Osmani u zgjodh me 71 vota pro saj.

Por, cila është pasuria që ka deklaruar Vjosa Osmani në Agjencinë Kundër Korrupsionit?

Në seksionin e “Pasurisë së Paluajtshme”, znj. Osmani Sadriu ka deklaruar tetë lloje të pasurisë së paluajtshme me vlerën e përgjithshme 552 mijë e 500 euro.

Ajo ka deklaruar dy banesa, njëra prej të cilave është e papërfunduar, dhe njëra prej të cilave është e bashkëshortit të saj.

Po ashtu, ajo ka deklaruar edhe dy shtëpi, të cilat i përkasin bashkëshortit të saj.

Vlera e këtyre dy shtëpive të blera me “kursime dhe kredi” është 300 mijë euro.

Janë deklaruar po ashtu edhe dy garazhe, njëri prej të cilëve i përket bashkëshortit dhe tjetri Osmani-Sadriut.

Më tej, janë paraqitur edhe 10 hektarë tokë, njëra prej të cilave i përket Osmani-Sadriut dhe tjetra bashkëshortit të saj.

Në seksionin e pasurisë së luajtshme, ajo ka deklaruar vetëm një veturë të bashkëshortit me vlerë 7 mijë euro.

Ajo del se është aksionare edhe në kompaninë “First Legal Solutions, ku ka 20 për qind të aksioneve.

Si para të gatshme, Osmani-Sadriu ka rreth 12 mijë e 400 euro, ndërsa burri i saj ka rreth 10 mijë.

Sa i përket seksionit të detyrimeve financiare, ajo ka deklaruar një borxh prej 115 mijë e 300 eurove në Lagjen Marigona Hill. Por, edhe 10 mijë euro borxh për një parcelë tokë në Lagjen e Gjelbër.

Kush është Vjosa Osmani

Vjosa Osmani, 38 vjeçare është juriste e diplomuar që është inkuadruar në politikë që në adoleshencë si aktiviste e LDK-së.

Ajo ka lindur në qytetin e Mitrovicës, është e martuar dhe ka vajza binjake. Më 27 gusht të vitit 2009, Vjosa Osmani – Sadriu u zgjodh shefe e stafit të Presidentit të atëhershëm të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Tash e tri mandate, Osmani është deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, me ç’rast në dy mandatet e fundit, ishte deputetja grua më e votuar në Kosovë.Ndryshe, Osmani-Sadriu është profesoreshë në Universitetin e Prishtinës.

Vjosa Osmani – Sadriu u lind më 17 maj të vitit 1982, në qytetin e Mitrovicës, Kosovë. Shkollën fillore dhe atë të mesme, e përfundoi me sukses të shkëlqyeshëm në qytetin e saj të lindjes. Studimet themelore i përfundoi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa studimet master dhe doktoraturën e përfundoi në Universitetin e Pitsburgut, në SHBA, ku u dallua në mesin e qindra studentëve ndërkombëtarë. Përgjatë të gjitha fazave të studimit, ajo ishte bursiste. Si profesoreshë universiteti, në Kosovë ajo ligjëron lëndë nga fusha e së Drejtës Ndërkombëtare, ndërkaq në Amerikë ligjëron lëndën “Shtet-ndërtimi dhe e Drejta: Përvoja e Kosovës”.

Aktualisht është kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike. Më herët ka shërbyer si Kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane dhe nënkryetare e Komisionit për Reforma Kushtetuese në Kosovë. Krahas ndërtimit të karrierës së suksesshme, Vjosa është martuar dhe është nënë e dy vajzave binjake.

Angazhimi politik i familjes së Vjosës, ndikoi në formimin dhe angazhimin e saj politik. Karriera politike e Vjosës filloi qysh në adoleshencë, kur edhe ishte aktiviste e LDK-së, për t’u ngritur më pas ndër vite. Më 27 gusht të vitit 2009, Vjosa Osmani – Sadriu u zgjodh shefe e stafit të Presidentit të atëhershëm të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Ndonëse në moshë të re, ajo njihet për kontributin e saj të dhënë për pavarësimin e Kosovës, saktësisht njihet kontributi i saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), ku në atë kohë ishte pjesë e palës kosovare në mbrojtjen e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, rast të cilin Kosova e kishte fituar kundrejt Serbisë. Në këtë proces jetik për pavarësimin e vendit, Vjosa ka shërbyer si përfaqësuese e Kosovës.

Vjosa i përfundoi studimet e nivelit bachelor në Kosovë me bursë, e cila iu nda nga Ministria e Arsimit, duke u vlerësuar nga e njëjta si studentja më e mirë e Fakultetit Juridik në Kosovë.

Njëherësh, ajo u zgjodh edhe një ndër pesë studentët më të mirë të vendit nga të gjitha fakultetet.

Në vitin 2004, ajo ishte përfituese e bursës për përfundim të studimeve të nivelit master në Universitetin e Pitsburg-ut në SHBA. Në vitin 2005 është shpërblyer dy herë me Çmimin

“Excellence For The Future Award”, nga Universiteti i Pitsburgut. Në vitin 2009, falë suksesit të treguar, kishte fituar përsëri bursë të plotë studimi, për përfundim të studimeve të doktoraturës në të njëjtin universitet, ku u fokusua përsëri në fushën e Juridikut, konkretisht në fushën e së Drejtës Ndërkombëtare. Po ashtu, për kontributin e saj në fushën e të drejtave të njeriut, ajo u vlerësua me Çmimin “Sheth International Achievement Aëard”, nga Universiteti i Pitsburgut.

Fokusi politik i Vjosës është në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe për sigurimin e një juridiksioni të pavarur. Po ashtu, ajo është e fokusuar edhe në politikën e jashtme, veçanërisht në procesin e integrimit Euro-Atlantik të Kosovës dhe në ruajtjen e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. Përveç gjuhës amtare, flet edhe anglishten, turqishten, spanjishten dhe serbishten.

Ka publikuar libra, artikuj, monografi dhe punime nga fusha e të Drejtës Ndërkombëtare dhe Komerciale, si në gjuhën shqipe, ashtu edhe në atë angleze.

Author: admin