Aktiviteti politik dhe kapitali politik për garën, matet me sfidat e kaluara politike, jo vetëm nga individi, por edhe familja. Mbase, tradita e Lidhjes Demokratike, në këto 31 vjet ekzistencë, ka dëshmuar se koherenca është kapital i madh dhe me vlerë që nuk harrohet.
Një kapital të tillë, e ka Lutfi Haziri, nisur nga prindi i tij, Emrush Haziri, i shpallur “Hero i Kosovës”, si një atdhetar i orëve të para të rezistencës aktive nga mërgata, deri te kapitali i krijuar në qeverisjen lokale të vet Lutfi Hazirit.
Lutfi Haziri, jetëshkrimin e tij politik e filloi si kryetar i Forumit Rinor të LDK-së, apo rinia e partisë më të madhe, si kryetar i kësaj dege në Gjilan, duke u shquar për guxim, sinqeritet, atdhetarizëm dhe konsekuencë, në rrugën e Dr. Ibrahim Rugovës.
Z. Haziri, si student, kishte aktivitet të ngjeshur studentor, ndërsa me krijimin e LDK-së, u bë kryetar i FR të LDK-së, duke u bërë njëkohësisht pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes nga fillimi i viteve ’90.
Z. Haziri, për kontributin e tij duke përkrahur UÇK-në, është paraburgosur në tetor të vitit 1998, dhe lirohet në gusht të vitit 1999, ndërsa në zgjedhjet e para të lira pas çlirimit, u zgjodh kryetar i komunës së Gjilanit, si një nga kryetarët më të rinj në krye të komunave të Kosovës.
Më 2004, z. Haziri është zgjedhur Ministër i Pushtetit Lokal dhe zëvendës kryeministër, duke dëshmuar performancë të lartë dhe besueshmëri tek institucionet vendore e ndërkombëtare.
Kapitull me rëndësi në jetën politike të Lutfi Hazirit, kandidat për kreun e LDK-së, është kryesimi i delegacionit të Kosovës për Marrëveshjen përfundimtare të Kosovës me Serbinë, të mbajtura në Vjenë, më 2006, që sollën pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Tri herë i zgjedhur në krye të komunës së Gjilanit me vota plebishitare, duke dëshmuar njohje të thellë të pushtetit lokal dhe ekspert i bashkëpunimit për qeverisjen lokale në nivel ndërkombëtar. Disponon shumë mirënjohje dhe diploma të aftësimit dhe edukimit të tij superior, ku veçohen ato nga ShBA-ja.
Paraqitja e kandidaturës së tij për ta udhëhequr LDK-në, është garanci e siguri se konceptet qeverisëse dhe trajtimi i çështjeve politike, do të ketë vijimësi të atyre të trashëguara nga Dr. Ibrahim Rugova, i cili për të gjallë të tij, kishte vlerësim maksimal për z. Haziri dhe profilin e tij politik.
Deri më tash, është edhe një kandidaturë e z. Lumir Abdixhiku, aderim i vonshëm në LDK, me shumë mungesa substanciale, madje, aspak të përafërta me traditën, filozofinë dhe trashëgiminë e Dr. Ibrahim Rugovës.
Mbetet të shihet se a do të ketë edhe kandidatura të reja për kreun e LDK-së, por, përvoja, performanca dhe biografia politike, z. Lutfi Haziri e shpie përpara kandidaturave tjera, të cilat pos guximit për të kandiduar, nuk shquhen për ndonjë vlerë tjetër.
Mbase, gojëkëqinjtë do t’i quajnë edhe kandidaturat tjera jo vetëm të padobishme por edhe kthimin në skenë moti të larguar, atë të frymës së cicibanëve, koketimin me të kaluarën pa qasje kritike për të arriturat e LDK-së dhe Republikës së Kosovës nga çlirimi e këndej.