Burri i parë shtatzënë në Spanjë, Ruben Castro, ka lindur fëmijë.
Emrin ia la Luar.
Shtatzënia e personit transgjinor 27-vjeçar mori vëmendje të madhe të medieve lokale, sepse ishte rasti i parë publik i këtij lloji në Spanjë.
Ishte vetë Rubeni që e ndau lajmin e lindjes së fëmijës. Këtë e bëri duke shkruar në rrjetet sociale të dielën: “Luar ka ardhur”. Postimit ia bashkëngjiti një fotografi të dorës së fëmijës duke ia mbajtur gishtin, shkruan “20 Minutos”.
“Më falni për heshtjen, mungesën dhe që nuk u jam përgjigjur mesazheve tuaja, isha duke e mirëpritur në këtë botë këtë gjë të çmuar që e kam vajzë”, tha ai.
Ai i falënderoi njerëzit për mesazhet e përkrahjes dhe për urimet dhe pranoi se lindja e fëmijës ka qenë gjëja më e vështirë por edhe më e dëshiruar që ka përjetuar deri më tani.
“Kjo aventurë sapo ka filluar” shkroi Rubeni
Disa javë më parë, Castro kishte dhënë një intervistë, në të cilën kishte thënë se ka pasur vështirësi gjatë shtatzënisë.
“Ka shumë injorancë, sidomos në sistemin shëndetësor, m’u desh të shkoja në një komision shëndetësor për etikë.
Ata paraqesin shumë sfida si regjistrimi civil, sepse unë e kam lindur foshnjën, por unë jam babai”, kishte deklaruar Castro.