Nga Basile Dekonink, LES ECHOS
E përditshmja franceze Les Echos i ka kushtuar një reportazh të zgjeruar Shqipërisë, fokusi i të cilit është braktisja masive e vendit nga të rinjtë, varfëria, plakja e shpejtë e popullsisë, dhe disa tentativa të dëshpëruara ringritjeje nga turizmi.
-
Jemi mësuar të shohim çdo verë artikuj të paguar nga qeveria nëpër mediat botërore që tregojnë një realitet që nuk ekziston.
Reportazhi i së përditshmes franceze Les Echos është një skaner i plotë i situatës reale në Shqipëri, përtej propagandës me artikuj të paguar
Që nga rënia e komunizmit në vitin 1991, shteti i vogël ballkanik është zbrazur ngadalë por në mënyrë të pashmangshme në ritmin e valëve të pandërprera të emigrimit. Me një popullsi në plakje dhe një lindshmëri në rënie, ajo ndërthur të gjitha sfidat.
Është ora 13:00, e shtunë korriku dhe vetëm lehja e një qeni thyen heshtjen e rrugëve të Memaliajt. Shkëlqimi i çastit që ndriçon sheshin Minatori nuk ndryshon asgjë: nuk takoni një shpirt të gjallë në këtë ish-qytet minerar në jug të Shqipërisë. Në shkallët që të çojnë në “pallatin” e kulturës nuk sheh askënd. Pas perdes së tërhequr (të mbyllur) të dyqanit të vjetër të këpucëve italiane “Këpucë italiane”, nuk ka njeri. Në ndërtesat me tulla të kuqe që rrezikojnë të bien në gërmadha: nuk ka njeri.
“Këtu nuk ka asgjë, as punë, as para, as bukë. Të gjithë u larguan pas përfundimit të diktaturës”, flet, me një greqishte pak të ndryshkur, Stefan Ariani, një gjashtëdhjetë vjeçar i ulur në kafenenë Qazimi, një nga dyqanet e pakta ende të hapura. Është e vështirë të imagjinohet se ky lokalitet i braktisur ishte, jo shumë kohë më parë, një qendër e madhe punëtorësh në Shqipërinë komuniste: e ndërtuar nga e para në vitin 1946 për të vënë në punë minierën e qymyrit aty pranë, qyteti numëronte deri në 12.000 banorë në kulmin e tij. Kanë mbetur, mezi, më shumë se një mijë.
-
Memaliaj, por edhe Kukësi, Zogaj, Përmeti, Narta… qytete e fshatra të këtij lloji, në Shqipëri ka me dhjetëra. Nga veriu në jug, shteti i vogël ballkanik përshkohet nga territore gjysmë fantazmë, pa banorë ose pothuajse, banorët e fundit të cilët ndonjëherë jetojnë në pothuajse autarki.
Më shumë se një në tre shqiptarë jeton jashtë.
“Emigracioni është kthyer në një mentalitet në Shqipëri, edhe për ata që fitojnë një rrogë të mirë”, shpjegon Ledion Krisafi, studiues i think tank-ut më të vjetër në vend, Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare.
“Gjëja më e rëndësishme për të kuptuar është se njerëzit kanë humbur shpresën: pas tridhjetë vitesh tranzicion, ata prisnin shumë më tepër dhe nuk duan të humbin më kohën e tyre”.
Shqipëria është një objekt i veçantë në botën e vogël të specialistëve të migracionit. Nga viti 1946 deri në vitin 1991, popullsia u mbajt e mbyllur nga një prej regjimeve më gjakatare dhe më represive në botë: viktima të Sekretarit të Parë të Partisë Komuniste, Enver Hoxha, ‘shokët’ shqiptarë nuk kishin as të drejtën e zotërimit të një makine dhe duhej të merrnin autorizim të shprehur nga administrata për t’u larguar nga rajoni i tyre.
Çdo vit, mesatarisht rreth 50,000 njerëz, kryesisht të rinj nga mosha 18 deri në 40 vjeç, largohen për të kërkuar një jetë më të mirë.
Pastaj erdhi rihapja e kufijve, një tranzicion anarkik, kolapsi ekonomik i vitit 1997, kryengritjet, lufta në Kosovë: fillimi i një eksodi. “U larguam një natë të vitit 1999, nëna ime më mbajti kokën poshtë gjunjëve të saj që të mos merrja një plumb nga dritaret e autobusit”, kujton kjo grua që jeton prej vitesh në Francë dhe që nuk dëshiron të japë emër nga frika e reprezaljeve, më shumë se njëzet vjet më vonë.
Kompleks, në zhvillim të vazhdueshëm, emigracioni shqiptar, ka ndryshuar që nga viti 1991.
Destinacionet e preferuara nuk janë më fqinjët Greqia dhe Italia, por Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Shtetet e Bashkuara; largimet nuk janë më të paligjshme, por më së shpeshti me vizë të përkohshme; emigrantët nuk janë më vetëm të rinj të varfër, por shqiptarë nga të gjitha shtresat. Si rezultat, 1.68 milionë emigrantë jetojnë tani jashtë vendit… më shumë se një në tre shqiptarë.
- Që nga 1 janari 2023, vendi kishte zyrtarisht 2.76 milionë banorë, sipas Instat, Instituti Shqiptar i Statistikave – këto përllogaritje, të bazuara në një census të vitit 2011, konsiderohen përgjithësisht optimiste. Kjo është 13% më pak se në censusin e fundit të kryer në diktaturën komuniste, në vitin 1989, edhe pse shtimi natyror i popullsisë (balanca e lindjeve në krahasim me vdekjet) ka qenë pozitiv prej tridhjetë vitesh.
Nëse shtojmë shkallën më të ulët të lindjeve në historinë e vendit (1.32 fëmijë për grua) dhe kthimet jashtëzakonisht të rralla në vend, Shqipëria përballet me një “koktej demografik toksik të përbërë nga emigracioni masiv, kthimeve të ulëta, potencialit të lartë të migrimit në të ardhmen dhe nivelit të ulët dhe në rënie të lindjeve”, përmblodhën studiuesit Ilir Gedeshi dhe Russell King në një studim të vitit 2018. Ky, i kryer në më shumë se 1400 familje në mbarë vendin, arrin në përfundimin se 52% e shqiptarëve të moshës 18 deri në 40 vjeç ndjejnë dëshirën për të emigruar jashtë vendit.
Shqipëria e paguan shtrenjtë këtë eksod, sidomos në aspektin e zhvillimit ekonomik. “Një nga inxhinierët e mi shkoi tek Facebook në Irlandë, një tjetër në WorldPay, m’u deshën muaj për t’i zëvendësuar. U ofrojnë paga dhjetëfish më të larta, nuk mund t’i lidhim në karriget e tyre”, thotë Bora Ferri, e cila themeloi një kompani të vogël pagesash dhjetë vjet më parë, Mpay, dhe drejton gjithashtu Dhomën e Tregtisë dhe industrisë Francë-Shqipëri.
Në shëndetësi, largimet janë të tilla që qeveria po punon për një ligj të kontestuar: nëse mjekët e sapodiplomuar nuk ia kushtojnë Shqipërisë tre vitet e para, do të duhet të rimbursojnë tarifat e shkollimit.
Ndër më të varfrit në Europë
Por mungesat e fuqisë punëtore nuk kanë të bëjnë vetëm me profesione të kualifikuara, shumë larg kësaj. Në turizëm, bujqësi dhe veçanërisht tekstile, mungesa e fuqisë punëtore është e dukshme dhe duhet të prekë të gjithë sektorët deri në vitin 2030, parashikojnë studimet më të errëta. “Mund të ofroj paga shumë më të larta se mesatarja, pesë javë pushime me pagesë, dhurata për Krishtlindje dhe një udhëtim vjetor, nuk gjej njeri”, shpreh keqardhjen ky sipërmarrës francez i vendosur prej pesëmbëdhjetë vitesh në jug të Shqipërisë.
- Këtu ka një paradoks. Pavarësisht largimeve masive dhe plakjes së përshpejtuar të popullsisë së saj, shoqëria shqiptare mbetet mjaft e re, me një moshë mesatare 38 vjeç. Megjithatë, tek moshat 15-29 vjeç, shkalla e papunësisë kalon 22%, me një pjesë të konsiderueshme të të papunëve afatgjatë… Oferta nuk plotëson kërkesën. Për shumë bashkëbisedues, ai është rezultat i një reforme të vitit 2005 që autorizon trajnime private: krahas universiteteve publike, të lira dhe cilësore, tani ka një mori “biznesesh” që ofrojnë kurse të shtrenjta dhe pa mundësi punësimi.
“Të gjithë kanë një diplomë në Shqipëri, është një krenari e vërtetë për familjet. Por të gjithë duan edhe një punë të kualifikuar në sektorë të bllokuar (tejmbushur), ndërkohë që nuk ka shkolla teknike për industritë e kërkuara. Nëse i shtojmë kostot e larta shëndetësore, dështimin e shërbimeve publike, korrupsionin, këta të papunë bëhen kandidatë natyralë për t’u larguar”, thekson Eno Ngjela, kreu i departamentit ekonomik të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim.
- Ashtu si ai, të gjithë vëzhguesit vërejnë edhe pagat e ulëta të ofruara, shpesh nën pagën minimale prej 40 mijë lekësh (381 euro). Tridhjetë vjet pasi i ktheu shpinën komunizmit dhe ndërkohë që u nis në të njëjtën linjë me Poloninë, Kroacinë apo Slloveninë, Shqipëria mbetet një nga vendet më të varfra në Europë. GDP-ja për frymë arrin kulmin në 6.800 $, sipas Bankës Botërore, kundrejt më shumë se 37.000 $ mesatarisht në Bashkimin Evropian.
Këto çështje dhe shumë të tjera, Bora Muzhaqi pretendon se i di. Në zyrën e saj në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, në zemër të Tiranës, ku punon edhe kryeministri Edi Rama, Ministrja e Rinisë rendit masat e nisura që nga viti 2021: program trajnimi të përshpejtuar në informacionin teknologjik për mijëra të papunë afatgjatë, çerdhe falas, partneritete mes universiteteve shqiptare dhe atyre ndërkombëtare. “Ne nuk po mundohemi të pengojmë largimin e njerëzve, por po përpiqemi të kthejmë ata që ikin, sepse pasurojnë vendin”, tregon ministrja, e cila pohon se shembujt e kthimit në vend janë duke u shumuar – “më shumë se” nuk mund të numërosh’ – megjithatë pa dhënë shifra të sakta.
Megjithatë, disa shenja nuk mashtrojnë. Si ky 1 korrik, në Gjirokastër, ku bëhet e vështirë të kalosh nëpër qendrën historike: një turmë e zhurmshme dhe e gëzuar, shqiptare dhe e huaj, nxiton drejt kalasë për mbylljen e festivalit folklorik. “Është çmenduri, nuk kisha parë kaq shumë njerëz në Gjirokastër”, merr frymë Jori Muho, këshilltarja bashkiake e këtij qyteti të zhytur në histori, i klasifikuar si trashëgimi botërore e UNESCO-s dhe ku janë rritur, pak rrugë larg njëra-tjetrës, diktatori Enver Hoxha dhe kundërshtari i tij më i famshëm, shkrimtari Ismail Kadare.
Qendër e qarkut më të madh në Shqipërinë e Jugut – njësoj si Memaliaj, qyteti i shkatërruar i punëtorëve, i cili është vetëm rreth tridhjetë kilometra larg – Gjirokastra megjithatë ka vuajtur nga eksodi shumë i rëndë në rajon, e cila ka humbur 55 % të popullsisë që nga rënia e komunizmit.
Turizmi, “një zgjidhje”
Por vitet e fundit, qyteti është ringjallur: nga 10.000 vizitorë në 2015, ai tani mirëpret më shumë se 200.000 çdo vit. Në vitin 2019, qeveria kushtoi miliona euro për rinovimin e plotë të lagjes historike të pazarit të vjetër, rinovimin e fasadave, instalimin e ujit të rrjedhshëm në të gjitha ndërtesat. Turistët kanë ndjekur… dhe mërgimtarët po ndjekin shembullin.
“Po të shikosh përreth, gjithçka ishte bosh para disa vitesh”, pohon Juri Muho, duke treguar ndërtesat e larta prej guri që janë treqind vjeçare. Tani të gjitha këto biznese drejtohen nga shqiptarë të kthyer nga jashtë. Këtu, në çdo rast, turizmi është një zgjidhje për problemet tona.”
Ringjallja e qytetit nuk e lë pa lëvizur Xhanis (Giannis) Zhapën. Në kopshtin (oborrin) e shtëpisë së familjes, ky i ri tridhjetë vjeçar, i cili tani jep mësim për shkenca inxhinierike në Skoci, vjen vetëm “për dasma, pagëzime dhe funerale”. Por ai është i bindur: “Do të kthehem të jetoj këtu për ditët e mia të bukura. Dhe ndoshta edhe më parë!