Si artiste më ndodh shpesh të shkoj në vendet më të pa imagjinueshme; në burg për shembull. Këto kohë kam shumë “hyrje dalje” në psikiatrinë e Tiranës për motive që nuk do zgjatem të shpjegoj.
Sot, në pavionin e grave të shtruara, vura re një grua, rreth 45 vjeç, me flokë kaçurrela, pis të zeza. E bukur. Më bëri përshtypje sepse uli kokën dhe po qante fshehurazi, në heshtje. Doja të merrja vesh çfarë kishte dhe futem te dhoma e saj.
Në këto raste nuk di nga ta fillosh bisedën por të jesh artiste, ndonjëherë ndihmon. “Ku të kam parë unë…”, më tha. Mua kaq m’u desh; biseduam gjatë dhe…(po e quaj Mira, emër fantazie për t’i ruajtur privatësinë).
Mira kishte përfunduar në një shtrat të psikiatrisë si pasojë e një lidhje dashurore me një burrë manipulues, i cili e kishte dhunuar për shumë kohë psikologjikisht. Një burrë i divorcuar, tek të 50-tat, nga ata që as të “zënë e as të lënë” thotë populli.
Mendova që nuk do dilja nga ajo dhomë pa e bërë Mirën për të qeshur dhe ashtu ndodhi. Kaluam 2 orë të mira duke folur dhe duke qeshur me të madhe. Mira kishte “etje” për të qeshur.
Kjo histori më solli në mend një shprehje: “kush vuan nga dashuria, nuk ka provuar çdo të thotë të jesh kaps”. Mira nuk vuante aspak nga dashuria sepse manipulimi dhe dhuna psiqike vetëm dashuri nuk janë por kjo shprehje e solli “në terezi” në një farë mënyre, e bëri për të qeshur me gjithë shpirt.
Nga lotët e Mirës, kaluam te “recetat” kundër kapsllëkut dhe u ndamë duke i premtuar se do takohemi sërish. Bëhej fjalë për një histori “sipërfaqësore” po ta shikosh nga jashtë, por dhimbja e Mirës ishte totale dhe absolute.
Të vuash për një “burrë” është thjesht humbje kohe. Ajo që mund të ndihmojë kur jeni në një “hall” të tillë është të flisni; flisni, flisni, flisni me këdo. “Vuajtje” të tilla konsumojnë jetën. Jetën tënde. E pashë sot nga afër, në një krevat spitali.