UT nuk ka nevojë të mbrohet nga askush, sepse atë e mbron më së miri historia e lavdishme e tij, e mbushur me përpjekje titanike të arsimdashësve tanë nga Likova deri në Manastir.
Megjithatë, UT ka nevojë të mbrohet vetëm nga disa varrmihës të brendshëm, të cilët duke dashur të forcojnë pozitat e tyre abuzive, mund ta rrënojnë edhe më tepër imazhin e këtij tempulli të lavdishëm të dijes dhe emancipimit shqiptar këtu ndër ne.
Nga Emin AZEMI
Kur isha student në fillim të 80-tave në Prishtinë, kisha fatin të mësoj edhe zanatin e gazetarisë dhe ngjarjet dramatike që ndodhnin përcilleshin edhe me reagime nga Beogradi. Ajo që më bënte përshtypje ishte lehtësia për t’i relativizuar gjërat, që vinte e paketuar përmes propagandës zyrtare, që atëherë shpërndahej nga agjencia e lajmeve Tanjug dhe kapilarizohej nëpër media të kontrolluara nga Beogradi, siç ishin Televizioni i Serbisë, gazetat Politika, Borba dhe Vecernje Novosti, si dhe disa revista (Duga, NIN etj).
Për rrjedhojë, kishim dy realitete paralele: në njërën anë kishim pakënaqësinë kolektive të shqiptarëve, që manifestohej përmes demonstratave dhe, në anën tjetër, kishim inxhinjeringun publik që e projektonte propaganda e Beogradit, duke i paraqitur shqiptarët si destablizues të Jugosllavisë (lexo:Serbisë) dhe minues të ‘harmonisë së lumtur’ midis kombeve e kombësive.
Ata që ishin nën ndikimin e kësaj propagande, kuptohet që përfundonin në kazanat e indoktrinimit, ku zihej qulli i prishur i kuzhinës serbomadhe.
Pse po e tregoj këtë histori dhe a ka nevojë të shpjegohet ndonjë zhvillim aktual, duke iu referuar disa efekte që prodhon propaganda, sidomos kur ajo është joprofesionale dhe tendencioze.
Këtyre ditëve është aktual një skandal në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tetovës, që lidhet me disa profesorë të cilët kanë vjedhur pjesë të punimeve të huaja shkencore dhe i kanë përvetësuar si të veta. Ky skandal është bërë publik nga mediat, ndonëse strukturat drejtuese të këtij universiteti ka kohë që kanë qenë të ndarë në dy grupe: në njërin grup janë ata që kanë kundërshtuar avancimin e profesorëve mbi bazën e punimeve të vjedhura shkencore, të cilët pastaj ekspres u shkarkuan nga pozitat drejtuese, dhe grupi i dytë – ata që kanë dashur ta kalojnë në heshtje këtë problem, duke rritur artificialisht nivelin e thirrjeve akademike e shkencore.
Mënyra se si reagoi UT lidhur me këtë skandal, duke e paraqitur problemin si të paqenë, kurse gjithë ata që e bënë publik këtë skandal, u kualifikuan si të padenjë, ta përkujton propagandën e mësipërme e cila jetonte në një botë bardh e zi dhe pak a shumë ireale, ndërkohë që në terren vlonte nga pakënaqësia.
“Edhe pse nuk është në detyrën e institucionit tonë që t’i komentojmë “zbulimet” e “revistave” me autorë anonim, e njoftojmë opinionin publik se veprimtaria arsimore, hulumtues, e shkencore e njësive akademike në Universitetin e Tetovës, zhvillohet në përputhje dhe respekt të plotë të kritereve shkencore. Avancimet akademike, mbrojtja dhe publikimi i punimeve shkencore u nënshtrohen mekanizmave filtrues, që e verifikojnë apo e s’kualifikojnë një kontribut të caktuar hulumtues”-thonë nga Universiteti i Tetovës.
Ky është reagimi zyrtar i Universitetit të Tetovës pas publikimit të skandalit mbi plagjiaturat e disa profesorëve në Fakultetin e Mjekësisë.
Sikundër mund të shihet, autorët e këtij reagimi, nuk brengosen fare për shkallën e shqetësimit të opinionit publik për këtë skandal dhe për efektet e dëmshme që mund të prodhohen nga relativizmi dhe fshehja e deformimeve që hasen brenda kuadrit akademik të këtij universiteti. Madje autorët e reagimit, në vend që të faleminderojnë publikisht denoncuesit e kësaj hajnie akademike, ata merret me krediblitetin e tyre, duke i quajtur “zbulime” të “revistave” me autorë anonim (!)
Gjithkush ka mundësi të klikojë mbi linqet e revistave ku janë bërë vjedhjet, kështu që për një punë të tillë nuk ka nevojë për ndonjë përgatitje superiore profesionale.
Pra, siç mund ta vërejmë, morali publik i një universiteti po mbroka duke shantazhuar denoncuesit dhe duke shkarkuar dekanin dhe prodekanin e Fakultetit të Mjekësisë që nuk janë pajtuar me avancimin e profesorëve përmes punimeve të vjedhura shkencore, e jo duke detektuar fajin dhe fajtorët për këtë njollosje që i bëhet këtij universiteti që, fundja, u ngrit mbi gjakun dhe sakrificën e shqiptarëve të Maqedonisë dhe jashtë saj.
Çka është më e shenjtë për UT-në – disa profesorë plagjiatorë që nuk meritojnë të jenë model i edukimit universitar, apo distancimi nga ata , duke krijuar parakushte për zhvillimin e vlerave akademike tek profesorët dhe fakultetet tjera, që nuk mungojnë në këtë universitet?
Çka është më e shenjtë për UT-në – të mbrosh një profesor librashitës që i kushtëzon studentët në stilin “ma blen librin, ta jap notën”, apo të krijosh standarde brenda të cilëve do të sillet me disiplinë dhe me ndërgjegje intelektuale gjithë stafi akademik?
Çka është më e shenjtë për UT-në – “të ndash shapin nga sheqeri”, duke diferencuar punën e shkëlqyer të disa profesorëve dhe disa fakulteteve, nga puna shkel e shko e disa të tjerëve, të cilët kanë monopolizuar familjarisht disa lëndë, duke u shndërruar kështu në klane abuzive, nga të cilët studentët dhe universiteti nuk gëzojnë kurrfarë përfitimi?
Autorët e reagimit të mësipërm po shihet ashiqare se nuk duan të pranojnë që në UT paska profesorë që vjedhin copë të tëra nga punimet e huaja shkencore dhe i përvetësojnë si të vetat, thua se kjo qenka dukuri vetëm e këtij universiteti.
Po i bie që më tepër po turpërohen autorët e reagimit, se sa vetë autorët e punimeve të vjedhura shkencore (!) Këta të fundit, madje, po ndjehen shumë komod sepse punën e huaj, që e kanë përvetësuar nga punimet e vjedhura shkencore, po duan të na e paraqesin si pjesë të veprave të tyre autoriale që ata me kushtëzime ua shesin studentëve.
Universiteti i Tetovës është vepra më sublime e sakrificave të shqiptarëve në Maqedoni, që filloi si nismë e prof. Fadil Sylejmanit dhe u zhvillua pastaj në një gjigant akademik, duke nxjerrë gjenerata tëra juristësh, mjekësh, profesorësh, ekonomistësh.
Gjithkush që mundohet të njollos UT-në, duke dashur t’i stërmadhoj rastet e deformimeve e keqpërdorimeve të caktuara, i bën një shërbim të keq kauzës arsimore të shqiptarëve, për të cilën janë sakrifikuar breza të tërë arsimdashësish.
Por, në anën tjetër, të gjithë ata që i mbyllin sytë para problemeve që shfaqen, siç është rasti me plagjiaturat e disa profesorëve dhe avancimi i tyre i pamerituar mbi bazën e këtyre plagjiaturave, monopolizimi i lëndëve mësimore mbi nepotizma familjare si dhe shndërrimi i disa profesorëve në librashitës, paraqet aktin më të shëmtuar moral e qytetar.
Fundja, UT nuk ka nevojë të mbrohet nga askush, sepse atë e mbron më së miri historia e lavdishme e tij, e mbushur me përpjekje titanike të arsimdashësve tanë nga Likova deri në Manastir.
Megjithatë, UT ka nevojë të mbrohet vetëm nga disa varrmihës të brendshëm, të cilët duke dashur të forcojnë pozitat e tyre abuzive, mund ta rrënojnë edhe më tepër imazhin e këtij tempulli të lavdishëm të dijes dhe emancipimit shqiptar këtu ndër ne.