Nga Anila Hoxha
Arrestimi i 20 personave, midis tyre 16 punonjës, të lë përshtypjen se Porti i Durrësit sapo ka nisur të pastrohet, aq më tepër kur prokuroria shkoi në gjykatë me kërkesa për pezullimin nga detyra të të dyshuarëve kryesisht për shpërdorim detyre.
Por me që kemi privilegjin e dyshimit, le të dyshojmë dhe kësaj radhe.
A bëhet vërtet fjalë për hajdutë bananesh, thënë thjesht dhe pa nene të Kodit Penal?! Apo sërish është një histori kokaine e hetuar keq?!
Mbas aksionesh të dështuara, ku kontenierë frutash ekzotike në kohë të ndryshme kanë rezultuar të hapura dhe ngarkesat që ndiqeshin në distancë, por që dyshohej se kishin kokainë nuk janë gjetur, hetimi i fundit ishte një rast i volitshëm për të vënë pikat mbi i, për të treguar se Porti i Durrësit ka standardet më të larta të kontrollit nga njëra anë apo që si çdo port në Evropë është kthyer edhe ai në rrugë kalimi për ngarkesa kokaine që dërgohen nga Ekuadori dhe Kolumbia.
Në këtë pikë, trafiku ndërkombëtar i kokainës kërkon hetim të thelluar dhe jo hetime gjysmake me fabula, që nuk tregohen as për barsaleta.
Por me që kam qasjen t’i besoj institucionet, sapo sheh shkresat, në pamje të parë të krijohet ideja se askush nuk i rrëshqet dot ligjit dhe se dijenia është e plotë edhe ndaj punonjësve që hapin kontenierë e vjedhin banane dhe që shpërdorojnë detyrën duke mbyllur sytë e duke mos i parë bananet.
Preferoj t’i qëndroj strikt, versionit të dokumentuar që tregon se të 20-ë ata u arrestuan se kryen kontrabandë dhe se thyen e zëvendësuan shenjat e autoriteteve doganore.
Por ky version më trishton, mbasi pyetja normale që vjen pas kësaj është: po mirë, sa do të fitonin 20 të akuzuarit mbasi vodhën 49 arka me banane?
Me llogari të thjeshtë, i bie secili fitoi gati 2 arka e gjysmë me banane!
Pra, ata rrezikuan dhe i hodhën sikur s’vlejnë një grosh, dinjiteti, integriteti, karriera, detyra, liria për vetëm gati 2 arka e gjysmë me banane!!!
Dhe këto banane ishin aq “atraktive”, sa doganierë të super-paguar as që pyetën për gjurmët që mbetën si plumbçja që mungonte.
Dokumenti tregon se arkat mungonin dhe padyshim dikush apo disa janë përgjegjës.
Ose… ka diçka më të madhe që nuk po hetohet siç duhet. Nuk e di nëse është paaftësi.
Por me qënëse ka ndodhur që Antidroga ka mbetur me gisht në gojë dhe disa herë kur ka hapur kontenierë sepse “mjeshtrat” e kishin rrëmbyer kokainën, e drejtë është të dyshojmë se aty është vjedhur kokainë.
Në këtë pikë, përgjegjës nuk janë vetëm 20 punonjës e punëtorë, por çështja bëhet akoma më e madhe
Sepse në një rast, hetimi për një kompani se nxori nga Porti, kamionin me banane po pastaj i mungonin disa arka dhe pastaj u njoftua Policia dhe pastaj u arrestua shoferi, ende ka të panjohura
Në një rast tjetër, Njësia Speciale e Vëzhgimit priti me ditë të tëra dhe kur e hapën kontenierin, gjetën aty vetëm GPS.
Më tej, shembujt janë të larmishëm. Një shtetas vijon të jetë në kërkim sepse dyshohet që organizoi vjedhjen e pakove me kokainë që në fakt nga DEA ishin mbushur me oriz dhe allçi, duke qënë se rruga e gjatë e gris thesin me miell.
Po për Portin e Durrësit, me gjithë këto dosje, nuk ka ende një strategji të re që t’i hedhë kartat mbi tavolinë. Kush e garanton trafikun e kokainës nga Porti i Durrësit? Ka vetëm një pyetje.
Për t’u kthyer tek të 20-ë të arrestuar për kontrabandë. Si shembull optimist që është mbi hetime të detajuara duke ngritur akuzën e kontrabandës, jam e detyruar të lexoj se çfarë thotë Ligji për Kontrabandën:
“Importimi, eksportimi ose tranzitimi i mallrave nëpërmjet kalimit jashtë pikave doganore, fshehjes së plotë ose të pjesshme, mosdeklarimit të saktë në doganë, deklarimit të rremë për natyrën, llojin, cilësinë, çmimin, destinacionin e mallit ose të tjera forma, që kanë për qëllim shmangien nga detyrimet doganore ose përfitimin pjesor a tërësor të një përjashtimi, rimbursimi ose reduktimi nga tarifat doganore, taksat, tatimet, akciza ose të një avantazhi të çfarëdoshëm, që ka të bëjë me importin ose eksportin e mallrave, dënohet me burgim deri në pesë vjet. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.”
Me siguri, secili prej të dyshuarëve që u implikua në këtë krim për 2 arka e gjysmë banane, nuk e ka ditur që dënimi shkon në pesë vjet burg.
Dhe ne rast se disa prej të dyshuarëve mundën të kryejnë kontrabandë nën bekimin e punonjësve që shpërdoruan detyrën (gjithmonë duke i qëndruar versionit hetmor), çfarë do të bënin ata nëse këto arka do të ishin me kokainë?