Dhjetëra banorë të fshatit Shtiqen në Kukës kanë shfaqur simptoma helmimi, i cili dyshohet të ketë ardhur nga uji i pijshëm.
Banorët janë paraqitur në urgjencën e spitalit të Kukësit me diarre dhe shenja të tjera helmimi, teksa pasi kanë marrë shërbim mjekësor, janë larguar përsëri për në banesë.
Nga ana tjetër, me një njoftim në rrjetet sociale, ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime në Kukës njoftoi se mostrat e marra nga uji paraprakisht duken pa ngjyrë dhe erë.
Megjithatë, për sigurinë e banorëve, është ndërprerë furnizimi me ujë deri në përgjigjen e analizave të tij nga ISHP.
Nga Kukësi mjeku Albert Shehu tregoi se vetëm gjatë ditës së djeshme në Spitalin e Kukësit janë paraqitur 125 pacientë.
“Dje janë kryer diku te 125 vizita gjatë gjithë ditës nga ora 08:00 deri në 20:00, diku tek 80 përqind janë paraqitur me intoksikacion, çfarë përfshin diarrenë dhe të vjellat dhe një pjesë e tyre kanë pasur dhe temperaturë”, u shpreh Shehu.Syri.net