Kush duhet të përgjigjet për këtë gjëndje dhe si do të bëhet me këtë shërbim?
A duhet të ndryshojë organizimi, struktura, drejtimi?
A duhet të kalojmë në një organizim rajonal të këtij shërbimi?
A mund ta trajnojmë dhe modenizojmë këtë shërbim edhe me këtë buxhet?
A mund t’i trajtojmë financiarisht zjarrfikësit në mënyrë dinjitoze?
A duhet të vendoset sistemi i karierës dhe kjo forcë e specializuar të drejtohet nga profesionistë duke e larguar nga drejtimi politik?…
I Sa herë ndodh ndonjë ngjarje e rëndë nga zjarri, apo sa herë digjen pyjet, kullotat, rrezikohen prona e biznese sidomos në stinën e nxehtë të verës ose fatkeqësi të tjera natyrore si: tërmete apo përmbytje, qytetarët i kthejnë sytë nga Shërbimi Zjarrfikës. Menjëherë në media dalin Emergjencat Civile, të cilat raportojnë për situatën, krijimin e shtabeve të emergjencave , punën që bën ushtria në këtë drejtim etj. Po Shërbimi Zjarrfikës Shqiptar ku është? A është ky shërbim e vetmja forcë e specializuar operacionale e përqendruar që duhet të ndërhyjë me të gjitha kapacitetet e saj për përballimin e situatave ? Ku është Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Zjarrfikës Shqiptar që nuk i dëgjohet zëri? A duhet të përgjigjet kjo Drejtori për gadishmërinë, për komandimin dhe drejtimin e forcave dhe mjeteve për shuarjen e zjarreve masive ose me përmasa të mëdha, për gjendjen dhe kompletimin me paisje dhe mjete zjarrfikëse, për trajnimin dhe përgatitjen profesionale të forcave operacionale, për kordinimin bashkërendimin e veprimtarisë së stacioneve zjarrfikëse dhe me strukturat qendrore të shtetit, për trajtimin financiar të punonjësve? Pse duhet të jetë ky shërbim kaq i rëndësishëm i sigurisë kombëtare i lënë pas dore edhe pse Qeveria Shqiptare këto 5-6 vitet e fundit e ka shtuar buxhetin për mbajtjen e këtij shërbimi? Pse ky shërbim duhet të jetë akoma i patrajnuar profesionalisht, pa qendër trajnimi, pa trajnues të specializuar? Pse nuk kemi asnjë petagog ose mësimdhënës për përgatitje speciale zjarrfikëse etj, por kemi mbetur me disa instruktorë primitivë të kohës së monizmit? Pse ky shërbim duhet të jetë akoma me paisje e mjete të pamjaftueshme e primitive, me automjete zjarrfikëse të viteve 70? Pse punonjësit operacionalë të shërbimit zjarrfikës trajtohen financiarisht në mënyrë më diskriminuese të mundëshme? Pse duhet të qëndrojnë të ndara strukturat, ku shërbimi zjarrfikës të jetë në varësi të Bashkive, Drejtoria e Përgjithshme e MZSH-së në vartësi të MB: Emergjencat Civile në vartësi të MM pa lidhje strukturore, manazhimi, drejtimi, komandimi, financimi, përgjegjësie? Për gjendjen dhe prapambetjen që ka dhe trashëgon Shërbimi Zjarrfikës ka vetëm një përgjegjës, i cili është Drejtroia e Pëgjithshme e MZSH-se dhe ish Drejtori “I Përgjithshëm” i saj Alfred Kristuli, i cili e mbajti dhe e drejtoi këtë shërbim për gati 15 vjet.
- Kristuli si antar i grupit të hartimit të projektligjit 152/2015 “Për shërbimin e MZSH-së” e trumpetoi si një arritje të madhe kalimin e shërbimit në Bashki në kuadër të decentralizimit. E hartoi këtë projektligj duke mos marrë asnjë mendim nga drejtuesit dhe specialistët e shërbimit zjarrfikës në bazë. Sipas mendjes së këtij “ filozofi, drejtuesi të madh” Shërbimin Zjarrfikës që Shteti se bëri dot siç duhej për 25 vjet demokraci do ta bëjnë kryetarët e Bashkive në pak kohë?! Të gjitha detyrat dhe përgjegjësit si gadishmëria, komandimi, drejtimi, bashkërendimi i forcave dhe mjeteve, parandalimi, ispektimi që u takojnë drejtuesve dhe specialistëve zjarrfikës i kaloi te kryetarët e Bashkive. Drejtoria e Përgjithshme sipas ligjit të “Kristulit” i shmanget çdo lloj përgjegjësie për vete, por vetëm bën emërimet, gradimet, prodhon metodologji, akte, udhëzime. Kanë kaluar gati 6 vite dhe Shërbimi Zjarrfikës vazhdon të mbahet me lekë nga buxheti i shtetit. Dhe Bashkitë me përjashtime të vogla jo vetëm që nuk kanë investuar për këtë shërbim, por e kanë përkeqësuar gjendjen e tij. Kalimi i Shërbimit Zjarrfikës në varësi të Bashkive, lënia në dorë të Kryetarëve e drejtimit, komandimit, organizimit, strukturës, burimeve njerëzore, trajnimit, modernizimit është një skenar i denjë për një film me metrazh të gjatë njësoj si te filmi “ Vdekja e Kalit” Si drejtues i Shërbimit Zjarrfikës në Gjirokastër prej 8 vitesh, m‘u desh të identifikoja domosdoshmërinë e reformimit të tij, rrugët për ndryshimin e gjendjes së rëndë ku ai ndodhet, modernizimit dhe prespektivën e zhvillimit, me kosto të ulët për buxhetin e shtetit. Pasi paraqita projektin për reformimin e Shërbimit Zjarrfikës Shqiptar,- ish Min. Lleshaj e vlerësoi seriozisht duke përcaktuar dhe 5 prioritete për implementimin e përshpejtuar të procesit ku u ngritën dhe grupet e punës. Në vijim Min. Çuçi nxori urdhërin 282 dt. 8 korrik 2021. Pasioni për këtë shërbim, rritja e buxhetit nga Qeveria gjatë 6 viteve të fundit më rritën besimin për realizimin e reformës, por të gjitha u sabotuan dhe ngelën rrugës në mënyrë të qëllimtë. Unë u gjenda para një hakmarrje dhe diskriminimi nga Drejtori “ I Përgjithshëm “ MZSH-së i vetëemëruar Alfred Kristuli, deri në lirimin tim nga detyra vetëm pse unë kundërshtova paligjshmërinë e tij dhe kërkova Reformim të këtij shërbimi. E kam vendosur në thonjëza “ I Përgjthshëm”, sepse z. A.Kristuli në kundërshtim me ligjin 152/2015 ka mbajtur këtë detyrë ( 2016-2021) në mënyrë të paligjshme pa u emëruar nga Kryeministri. Ai nuk u emërua kurrë si Drejtor i Përgjithshëm, por e ” vodhi” dhe e mbajti këtë post pa u emëruar sipas ligjit. Pa urdhër emërimi nga Kryeministri në paligjshmëri të plotë ka arritur të marrë edhe gradë madhore. Të anashkalosh autoritetin e Kryeministrit për emërim në detyrë dhe të drejtosh shërbimin, të prodhosh akte, udhëzime , urdhëra është skandal. E pabesueshme, por e vërtetë. Instaloi paligjshmërinë në shërbimin zjarrfikës duke bërë emërime dhe gradime në masë jashtë kritereve dhe ligjit sipas interesave të tij si dhe u ka lënë dorë të lirë kryetarëve të bashkive të bëjnë ç‘të duan me këtë shërbim.
E la shërbimin me punonjës të pashkolluar e trajnuar profesionalisht: pa qendër trajnimi, të pa modernizuar me teknikë dhe paisje të pakta dhe primitive, me një trajtim financiar qesharak për zjarrfikësit, me një strukturë “haxhiqamiliste”, që s‘e ka asnjë vend në botë. Tani që z.Kristul iku nga shërbimi me paturpësi akuzon Qeverinë Shqiptare në rrjete sociale si më poshtë: “ Kur do të ndërrojë mendësinë Qeveria Shqiptare për të vlerësuar siç e vlerëson gjithë bota e qytetëruar këtë shërbim kaq jetik?“ Sipas kërkesës tënde në vitin 2018 Qeveria Shqiptare akordoi nj buxhet afro 1 milion dollarë për blerje automjetesh zjarrfikëse për stacionet e reja. Sipas ligjit dhe udhëzimeve mjetet e emergjencave civile si zjarrfikëse, ambulanca etj, lejohet të blihen vetëm të reja me lekë nga buxheti i shtetit. Të përdorura pranohen vetëm ndihmat ose dhuratat. Me këtë buxhet në vend të automjeteve të reja ti i orientove Bashkitë të blinin makina zjarrfikëse të vjetra, karakatina të kalbura, pa paisje të sjella me urgjencë nga varrezat e makinave të Evropës. Si mund të blihen automjete zjarrfikëse të vjetra kur shërbimi zjarrfikës që t‘i drejtoje vuan dhe nuk i përmbush dot detyrat nga teknika e vjetër, që ka në përdorim? Si e lejove këtë blerje të paligjshme apo kishe ndonjë lidhje apo përfitim personal nga shitja e këtyre makinave? Ta keqpërdorësh shërbimin, të devijosh reformën për interesa personale, madje në tejkalim kompetencash, të shpërdorosh detyrën, pastaj të akuzosh qeverinë pasi je larguar? Ky fenomen e ka emrin A. Kristuli, i cili e drejtoi këtë shërbim dhe e katandisi në gjendje të mjerë dhe më të prapambeturin në rajon. Largimi i tij nga ky shërbim nuk ka rregulluar gjë, sepse stafi i paaftë dhe i paligjshëm që la pas nuk mund të vetëformohet. Drejtoria e PMZSH-së pranë MB është një Drejtori parazite që nuk i shërben Shërbimit Zjarrfikës, sepse gjithë përgjegjësitë ja ka faturuar Bashkive, ndërsa për vete ka mbajtur emërimet dhe gradimet. Ata dinë të bëjnë vetëm emërime, lirime të paligjshme ose të krijojnë komisione për t‘i dhënë grada të larta e madhore njeri tjetrit pa veshur kurrë uniformë e papunuar asnjë ditë në bazën e shërbimit zjarrfikës. Edhe rregulloren, urdhërat, udhëzimet, projekt vendimet etj i bëjnë sipas interesave të tyre dhe jo në interes të shërbimit dhe punonjësve operacionalë që rrezikojnë jetën për shpëtimin e jetës dhe pronave të qytetarëve shqiptarë, bile shumë herë as vetë nuk dinë t‘i shpjegojnë ato që shkruajnë. Për vendosjen e ligjshmërisë në Drejtorinë e PMZSH-së, për reformimin dhe riorganizimin e Shërbimit Zjarrfikës, për anullimin e urdhërave të paligjshëm të A. Kristulit jam drejtuar te MB zoti Çuçi,jam drejtuar te Portali i Bashkëqeverisjes, Kryeministrit, por asnjë përgjigje apo angazhim- indiference e pakuptueshme. Kam kërkuar dhe kërkoj një komision verifikimi për problematikën që unë ngre dhe është evidente në mënyrë që shërbimi zjarrfikës të bëhe, sepse vendi ynë “Shqipëria Turistike „ e meriton një Shërbim Zjarrfikës dinjitoz, profesionist.
Pjesa e II
Pse duhet të ndryshojë ligji 152/2015 “ Për Shërbimin e MZSH-së”?
A duhet të reformohet totalisht ky shërbim kaq i rëndësishëm i sigurisë kombëtare?
Cili model është i përshtatshëm?
A duhet të angazhojmë ata pak specialistë që kemi për ta reformuar këtë shërbim, apo do ta bëjnë burokratët nga zyrat e Ministrisë së Brendshme, që s’kanë asnjë lidhje dhe dije për këtë shërbim?
- Reformën në Shërbimin e MZSH-së , unë bashkë me disa kolegë të mi e kemi iniciuar qysh në vitin 2019. Më poshtë po ju bëj me dije projektin për Reformimin e Shërbimit Zjarrfikës Shqiptar dërguar ish.Ministrit Sandër Lleshaj. Ky projekt reformimi është dhe arsyeja pse unë mora kosto të panevojshme profesionale si “officer kariere” në formatin e një diskriminimi të njëpasnjëshëm nga Drejtori i vetëemëruar A. Kristuli deri në lirim nga detyra.
Z.Ministër !
Duke parë angazhimin tuaj për një shërbim zjarrfikës cilësor dhe me standarte të larta mendova t‘u jap një projekt ide për organizimin dhe funksionimin e këtij shërbimi. Detyrat dhe prioritet e lënë nga ju në takimin me drejtuesit e shërbimit zjarrfikës u la në harresë: sepse DPMZSH-se nuk është e interesuar për reformimin e këtij shërbimi. – PMNZSH-ja ose “Shërbimi Zjarrfikës” është krijuar më 9 dhjetor 1946. Deri në vitin 2002 ishte pjesë e efektivave të Rendit në Policinë e Shtetit. -Në këtë periudhë problemet me zjarret në vendin tonë ishin më të pakta -Nga 2002-2015 ky shërbim ju dha Prefekturave dhe nga viti 2016 e në vazhdim ky shërbim kaloi në varësi të Bashkive ku problemet me zjarret u shtuan. Shërbimi zjarrfikës në vend të rritej, të perfeksionohej, të modernizohej mbeti në vendnumëro nga: – ndryshimi i vartësisë, nga një ministri te tjetra, nga policia në prefekturë, e pastaj në bashki! – Mungesa e një Drejtorie të Përgjithshme të Shërbimit Zjarrfikës me kompetenca të plota për drejtim, manaxhim, shkollim, emërim, financim etj. – Kompletimi i strukturave zjarrfikëse me punonjës shërbimi ( çdo nivel) të papërshtatshëm dhe të pa trajnuar. – Buxheti i dhënë nga shteti për shërbimin zjarrfikës nuk është manazhuar mirë nga ata që kanë drejtuar këtë shërbim. – Mbajtja në përdorim i një teknike dhe paisje zjarrfikëse të pakët dhe shumë të vjetër.
Me ligjin e ri 152/2015 ky shërbim kaloi në vartësi të Bashkive. Për mendimin tim dhe e shumë drejtuesve të tjerë zjarrfikës ky kalim ishte i nxituar dhe me pasoja për vazhdimësinë e këtij shërbimi. Për të dalë nga kjo gjendje dhe për t‘u bërë vërtet një forcë e ndërhyrjes së shpejtë Shërbimi Zjarrfikës kishte nevojë të centralizohej dhe të vihej në kontroll të plotë të Drejtorisë së Përgjithshme dhe jo të kalonte në varësi të Bashkive. Nuk mund ta nxjerrin Shërbimin Zjarrfikës nga kjo prapambetje që trashëgojnë kryetarët e bashkive, bile e kundërta ndodh. Shërbimi i MZSH-së është strukturë e specializuar e gadishmërisë së përhershme, dhe duhet të qëndrojë e centralizuar, kurse bashkitë të krijojnë shërbimin vullnetar zjarrfikës, siç e kanë vendet Evropiane të cilët përdoren edhe si zjarrfikësa sezonalë me pagesë kur është e nevojshme, por janë edhe kontigjente të gatshëm për t‘u pranuar në shërbimin zjarrfikës të gadishmërisë së përhershme. Bashkia nuk ka asnjë mundësi ta mbajë, ta drejtojë dhe ta kontrollojë profesionalisht këtë strukturë të specializuar. Ka gati pesë vjet që ky shërbim kaloi te bashkitë, asnjë investim, 0 (me përjashtime të vogla) dhe nuk bëhet fjalë që bashkitë ta modernizojnë këtë shërbim me teknikë dhe paisje të kohës. Edhe një buxhet i dhënë nga qeveria për bashkitë e reja gjatë vitit 2018 për blerje automjete zjarrfikëse u blenë automjete të përdorura në kundërshtim me rregullat dhe normat e shërbimit zjarrfikës, në vend që kjo blerje të bëhej e përqendruar nga MB për makina të reja. Paisjet zjarrfikëse, që tregtohen nga subjekte tregëtare të ndryshme në vendin tonë janë të cilësisë së dobët, pa standarte dhe të pacertifikuara nga shërbimi zjarrfikës. Nuk mund të realizojë blerje teknike dhe paisjesh zjarrfikëse bashkia, pa kontrollin e shërbimit zjarrfikës në nivel qendror, sepse nuk ka infrastruktuën përkatëse. Psh: Si mund të kontrollohet cilësia e shkumës zjarrfikëse ose fikseve të llojeve të ndryshme, uniforma, tubo, paisje speciale nga shërbimi zjarrfikës i një bashkie? Në interes të shërbimit, paisjet dhe çdo material i shërbimit zjarrfikës duhet të blihen në mënyrë të përqendruar dhe të kontrolluara nga Drejtoria e Përgjithshme e MZSH-së. Nuk mund të përgatiten efektivet zjarrfikës në bashki nga ana profesionale, sepse nuk të mbështet ajo as në infrastrukturë e as me buxhet. Stërvitja është elementi më i rëndësishëm për zjarrfikësit. -Zjarret masive dhe zjarret me përmasa të mëdha si dhe ndërhyrje të tjera të specializuara, nuk mbulohen dot nga stacionet e Bashkive. Ato duan ndërhyrje nga Drejtoritë zjarrfikëse të Bashkisë Qendër Qarku. Në këto ndërhyrje bien të gjitha elementet e gadishmërisë, sepse s‘ka koordinim, komandim nga qendra si dhe shpejtësi në veprime. Nuk mund të organizohet funksionimi i sallës informacionit në çdo bashki, se nuk ka kapacitete. Kjo funksionon vetëm në bashkitë qendër qarku.
Për çdo ndërhyrje jashtë bashkisë duhet të merret leje nga kryetari e bashkisë dhe bashkitë të paguajnë njera tjetrën për punën e bërë. –Edhe për të thirur grupin e gatshëm zjarrfikës në rast zjarri ose ndërhyrje emergjence duhet të marrësh leje nga kryetari i Bashkisë ( absurditet). Del jashtë misionit të shërbimit, sepse zjarrfikësit përdoren edhe për punë të tjera, si punonjës komunalë e deri te ruajtës të rendit publik në stadiumin e futbollit sipas orekseve të kryetarëve të bashkive. Efektivat zjarrfikëse politizohen dhe një pjesë e tyre ndërrohen sa herë që ndryshon Kryetari i Bashkisë. Në disa bashki drejtuesit e shërbimit janë shkarkuar padrejtësisht nga kryetarët e bashkive dhe nga Drejtoria e MZSH-se jo vetëm që nuk janë mbrojtur ligjërisht, por janë liruar nga detyra. Kush duhet t‘i mbrojë zjarrfikësit nga veprimet dhe vendimet arbitrare të kryetarëve të bashkive? Bërja e strukturës së shërbimit zjarrfikës është lënë në dorë të kryetarëve të bashkisë, të cilët e ndryshojnë sa dhe si duan. Shtojnë numrin e punonjësve me gradë, ndryshojnë pozicione sipas dëshirës, si dhe rritin numrin e punonjësve me nivel të mesëm në dëm të numrit të punonjësve me nivel bazë jashtë normave të përcaktuara me ligj dhe VKM. Drejtoria e Përgjithshme e MZSH-së është kthyer në një zyrë burokratike (noteri) ku miraton çdo propozim të kryetarëve të bashkive dhe nuk do t’ja dijë fare për problemet që ne kemi me stërvitjen, gadishmërinë, buxhetin dhe mbarëvajtjen e punëve duke na lënë nën arbitraritetin e kryetarëve. Edhe pse emërimet e çdo lloj niveli dejure janë në dorë të drejtuesve të shërbimit zjarrfikës, defakto bëhen sipas interesave të kryetarëve të bashkive jashtë çdo rregulli e ligji. Nuk mund të funksionojë shërbimi zjarrfikës duke pasur mbi krye 61 kryetarë bashkish, drejtues/shef me të drejtë të emërojë, të lirojë, të përjashtojë zjarrfikësit, 61 komisione gradimesh, 61 komisione disipline, 61 komisione miratim projekti për MZSH-së Nuk mund të bëhet shërbimi zjarrfikës ku 61 kryetarët e bashkive kanë të drejtën e përzgjedhjes së punonjësve të nivelit të mesëm e të lartë, sipas preferencave, kur ata duhet të jenë punonjeës kariere në varësi të plotë të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Zjarrfikës, si i vetmi organ që i vlerëson se janë apo jo të aftë t‘i kryejnë detyrat e ngarkuara. Nuk mbulohen zona të tëra të një bashkie nga largësia me stacionin zjarrfikës të Bashkisë kur stacioni i Bashkisë fqinje është më afër.
- Ka probleme me ndërhyrjet në rrugë kombëtare, ujë, tërmete, rrëshqitje, tynele dhe objekte me rëndësi kombëtare etj (kush i mbulon, çfarë teknike kanë, sa to specializuar janë këto stacione për t’i përballuar). A mund të mundësojë ndërhyrje dhe teknikë të tillë një stacion zjarrfikës i një bashkie? JO. Këto ndërhyrje mund t‘i realizojë vetëm Drejtoria Rajonale MZSH-së, e cila ka mundësi të kompletohet me mjete, paisje dhe efektiv për këto lloj ndërhyrje. Edhe kjo me vështirësi, sepse nuk ka njerëz të specializuar dhe teknikë të kohës. Ka bashki që nuk justifikojnë hapjen e stacionit zjarrfikës. Nuk mund të mbajnë këto bashki stacione zjarrfikëse të gadishmërisë së përhershme se ka dy muaj punë në verë për zjarret në pyje, kullota dhe gjatë gjithë vitit s‘kanë asnjë zjarr! Stacioni zjarrfikës i një Bashkie nuk manaxhon dot dy zjarre njëkohësisht ose të njëpasnjëshme, sepse mundësia në teknikë dhe efektiva është e kufizuar. Nuk investohet për teknikën dhe pajisjet , shkollimin, uniformat e deri te kushtet e jetesës nga bashkitë. Paraqitja e jashtme e zjarrfikëseve (uniforma) le për të dëshiruar, ndryshon nga një stacion te tjetri. Zjarrfikësit në shumë bashki trajtohen ndryshe nga ana financiare, edhe pse ka VKM të veçantë për trajtimin në pagë dhe shtesa. Paga bazë e punonjësve operacionale shumë e vogël dhe pa shtesa për orë nate, ditë pushimi apo festash etj. Nuk mund të trajtohet zjarrfikësi nga ana financiare në këtë mënyrë.
- Sektori i Parandalimit, si sektor i rëndësishëm për parandalimin e zjarrit, nuk funksionon siç duhet. Ka mangësi nga ana ligjore dhe nënligjore për mënyrën e funksionimit të tij, kompetencat si dhe i pakompletuar me literaturë përkatëse . Urdhërat dhe udhëzimet që vijnë nga lart, shpesh janë të pakuptueshëm saqë dhe ata që i bëjnë nuk dinë t‘i shpjegojnë. Punonjësit që punojnë në këtë sektor janë pa asnjë lloj trajnimi dhe një pjesë e mirë e tyre të pashkolluar me arsimin përkatës që kërkon ligji.
– Nuk mund të miratojë dot Projekte të Mbrojtjes nga Zjarri një stacion zjarrfikës Bashkie.
– Nuk mund të japi Cerfitikatë të Sigurisë nga Zjarri një stacion zjarrfikës Bashkie.
– Nuk mund të organizojë kontrolle për parandalimin me, ose pa autorizim ispektimi një stacion zjarrfikës Bashkie.
– Nuk mund të ndëshkojë Shërbimi Zjarrfikës i një Bashkie subjektet dhe objektet në varësi të Bashkisë.
– Parandalimi në Bashki krijon konflikt interesi me kryetarët e Bashkive.
– Edhe gjobat që vendos Shërbimi Zjarrfikës janë lënë në dorë të kryetarëve të Bashkisë për t‘u vlerësuar (nuk mund të funksionojë kështu).
– Ndërtimet , rikonstruksionet, që kryen Bashkia në disa raste bëhen pa marrë miratimin e Shërbimit Zjarrfikës.
-Nuk mund të dalë kundër vendimeve të bashkisë Shefi i Sektorit të MZSH-së gjatë k firmosjeve për leje zhvillimore apo leje ndërtimore kur vetë ai varet nga kryetari i Bashkisë.
– Ka edhe probleme të tjera, por këto mjaftojnë për të dalë në një konkluzion: Shërbimi zjarrfikës nuk duhet të drejtohet dhe manaxhohet nga kryetarët e Bashkive, dhe nga një Drejtori e “Përgjithshme” si kjo që është sot.
Për të ardhmen mendoj këto ndryshime:
Ndryshimi i ligjit Nr.152/2015
Të krijohet Drejtoria e Përgjithshme Zjarrfikëse (e vogël efikase)
Të bëhet kalimi i shërbimit zjarrfikës i gadishmërisë së përhershme nga Bashkitë në varësi të plotë të Drejtorisë së Përgjithshme.
Të gjitha kopetencat që kanë Bashkitë të kalojnë tek Drejtoria e Përgjithshme.
Të ndryshojë (rikthehet) emërtimi i strukturës zjarrfiëkse dhe të bëhet: Policia Zjarrfikëse dhe Shpëtimit “ PZSH „ ose Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë Zjarrfikëse „FNSHZ“.
Të krijohen Zonat Zjarrfikëse ose Drejtoritë Rajonale për gjithë territorin e Shqipërisë.
Një ( Zonë) Drejtoria Zjarrfikëse Rajonale të mbulojë territorin e një qarku, me shumë se një qark, ose më pak se një qark (Tirana), sipas territorit, popullsisë dhe terrenit që mbulon. Brenda (Zonës) Drejtoria Zjarrfikëse Rajonale të ketë disa stacione zjarrfikëse.
Sektori i Parandalimit të jetë i përqendruar dhe të mbulojë gjithë (Zonën), Drejtorinë Zjarrfikëse si dhe të jetë në vartësi të saj.
Struktura e Shërbimit Zjarrfikës të gadishmërisë të përhershme të bëhet nga Drejtoria e Përgjithshme dhe të miratohet me VKM.
- Të hiqet kriteri i vjetërsisë vetëm në shërbimin zjarrfikës për emërim në detyrë ose marrje grade për punonjësit e nivelit të mesëm e të lartë, por të alternohet edhe me vitet e shërbimit në polici dhe ushtri. Këtë kriter nuk e plotësojnë gati 98% e tyre, sepse politika nuk i ka lejuar të bëjnë karierë në shërbimin zjarrfikës, por i ka ndryshuar sa herë ndryshon pushteti. Këtë kriter A.Kristuli e ka vendosur vetëm për veten e tij.
– Të ulet numri i punonjësve dhe stacioneve zjarrfikëse të gadishmërisë së përhershme që u krijuan në vitin 2017-2018 dhe të fuqizohen stacionet ekzistuese.
- Bashkitë për zjarret në pyje, kullota dhe emergjenca të ndryshme të krijojnë shërbimin vullnetar zjarrfikës (SHVZ), të cilët trajnohen dhe komandohen nga shërbimi zjarrfikës në rast nevoje. Kjo rrit edhe numrin e përgjithshëm të punonjësve zjarrfikës për përballimin e situatave dhe ul koston e mbajtjes së këtij shërbimi.
Buxhetet që përfitohen nga ulja e numrit të stacioneve dhe numrit të punonjësve të përdoren për një trajnim financiar dinjitoz të forcave operacionale zjarrfikëse, sepse sot ata marrin më pak se një arshivist, sekretare në Bashki.
- Të ndalohet blerja e automjeteve dhe paisjet zjarrfikëse të përdorura me leke nga buxheti i shtetit, sepse na kushtojnë më shumë për mirëmbajtje e karburant sesa të blejmë të reja.
Paisjet zjarrfikëse që tregëtohen në vendin tonë të jenë të certifikuara nga shërbimi zjarrfikës (Drejtoria e Përgjithshme e MZSH-së)
- Të lejohen vetëm teknika dhe paisjet e dhuruara nga homologët tanë evropianë, dhe ato me kusht që të plotësojnë standarte të kohës.
Të krijohet shkolla e përgatitjes së efektivave zjarrfikëse në nivel bazë dhe i mesëm.(Brenda Akademisë së sigurisë të ketë një departament të përgatitjes zjarrfikëse, ku të gjithë efektivat të kalojnë nga kjo shkollë.)
- Hapi i parë që duhet hedhur para se të hapet shkolla e përgatitjes zjarrfikëse duhet të përgatiten kuadrot mësimdhënës, sepse ne nuk kemi personel të përgatitur për këtë qëllim.
Ku dhe si do të përgatiten ?
Në Shërbimin Zjarrfikës të zbatohet sistemi karierës sipas meritës dhe të mos jetë e nevojshme marrja në punë e punonjësve të nivelit të mesëm e të lartë nga jashtë shërbimit.
Për nivelin bazë hyrja në shërbim vetëm nëpërmjet shkollës zjarrfikëse.
Brenda Drejtorive Rajonale ( Zonave) Zjarrfikëse të futet edhe Hetimi i Zjarrit: element kyç në zbulueshmërinë e zjarreve.
Hetimi i zjarrit është një praktikë e mirë që e praktikojnë homologët tanë Europjanë.
Në këtë sektor (i cili mund të jetë brenda sektorit të parandalimit) duhet të punojnë juristë ose zjarrfikës me eksperiencë, të cilët do të kenë atributet e policisë gjyqësore dhe për çdo rast zjarri të hapin çështjen dhe ta çojnë deri në ndëshkimin e fajtorëve nëqoftëse ka.
Në çdo Zonë Zjarrfikëse të ketë sallë informacioni (operative) për marrjen e sinjaleve dhe manazhimin e situatave.
Brenda një (Drejtorie) Zone Zjarrfikëse të krijohet një skuadër e veçantë ( për ndërhyrje të specializuar emergjence të të gjitha llojeve, e cila paiset me teknikë dhe paisje moderne për kërkim-shpëtim dhe përgatitet profesionalisht me program të veçantë. Kjo skuadër mbulon të gjitha ndërhyrjet speciale të Zonës Zjarrfikëse. Nevoja e këtyre skuadrave u pa qartë në tërmetin e nëntorit 2019 në Durrës.
Të gjitha këto skuadra po t‘i mbledhësh bashkë nga të gjitha drejtoritë përballojnë me sukses një emergjencë kombëtare.
Skuadrat speciale zjarrfikëse mund të organizohen edhe në Stacione Speciale Zjarrfikëse ku të formohen 3-4 stacione të tilla në gjithë territorin e vendit dhe të jenë në vartësi të DPSHMZSH-së
Ky ndryshim ka këto anë pozitive:
Buxheti i shtetit përfiton një pjesë të shumës që paguan sot, duke ulur numrin e stacioneve dhe punonjësve të gadishmërisë së përhershme të panevojshëm.
Punonjësit zjarrfikës të të gjitha niveleve e sidomos ata operacionale do të trajtohen financiarisht në mënyrë dinjitoze për punën me vështirësi të lartë që kryejnë.
Rrit efektshmërinë e ndërhyrjeve operacionale brenda një Drejtorie Rajonale (Zone) Zjarrfikëse.
Drejtimi, komandimi, kordinimi në ndërhyrjet e të gjitha llojeve e sidomos për ato në zjarre masive dhe me përmasa të mëdha, do të jetë efikas, rezultativ.
Mbulon të gjitha llojet e emergjencave brenda Zonës.(Drejtorisë)
Shërbimi zjarrfikës paiset me teknikë dhe paisje të reja të kohës.
Përgatitja profesionale e efektivave zjarrfikëse bëhet nga specialistët, kontrolluar dhe me standarte.
Në shërbimin zjarrfikës do të punojnë e drejtojnë profesionistët (sistemi i karierës)
Sektorët e parandalimit do të funksionojnë normalisht, sepse deri tani jane inaktivë .
Hetimi i zjarrit brenda strukturës së shërbimit zjarrfikës do të ketë efekte shumë të mira në zbulim dhe ndëshkim të keqbërsve…
Krijimi i shërbimit vullnetar zjarrfikës në Bashki rrit numrin e punonjësve zjarrfikës për përballimin e situatave pa kosto për buxhetin e shtetit.
- Shërbimi vullnetar zjarrfikës i Bashkive do të krijojë mundësi më të mira për mbrojtjen e pyjeve, kullotave nga zjarri (pronë e bashkisë), emergjenca të ndyshme si dhe do të lehtësojë punën e stacioneve të gadishmërisë së përhershme . Skuadrat speciale ose Stacione speciale që krijohen në qendër të Drejtorisë Rajonale (Zonës) zjarrfikse do të zgjidhin shumë probleme dhe do të realizojnë shumë ndërhyrje që deri më sot shërbimi zjarrfikës nuk i ka bërë dot. Domosdoshmëria e këtyre skuadrave u pa qartë në tërmetin e muajit nëntor 2019, por edhe në shumë emergjenca me pasoja të rënda që kanë ndodhur në vendin tonë.
Zjarret në pyje e kullota janë të shumta. Në shumicën e rasteve shkaktohen nga zjarrvënie të qëllimshme për djegie kullote nga blegtorët ose për shfrytëzim pylli për lëndë druri. A duhet t‘i jepet një zgjidhje këtij problemi ? A duhet të ndërhyhet edhe nga ajri në ato raste kur ndërhyrja nga toka është e pamundur, për të shpëtuar zonat e mbrojtura pyjore? A duhet të ketë shërbimi jonë mjete ajrore zjarrfikëse ?
Mendoj se ka ardhur koha që ne duhet të kemi një strategji për ecurinë e Shërbimit Zjarrfikës për 10 ose 20 vitet e ardhshme e lidhur kjo edhe me situatat e paparashikueshme të ndryshimeve klimaterike dhe emergjencave të të gjitha llojeve. Në zbatim të programit të Qeverisë sonë për një Shqipëri turistike si dhe në interes të Shërbimit Zjarrfikës të mos hezitojmë, por ta ndryshojmë ligjin aktual, sepse është i papërshtatshëm për kushtet në të cilat ndodhet sot ky shërbim. Mendoj se ky shërbim nuk mund të bëhet dhe të arrijë në parametrat e kohës pa u centralizuar. Drejtoria e Përgjithshme – Drejtoria Rajonale (Zone) Zjarrfikëse- Stacion zjarrfikës. Që të arrihet kjo duhet shumë punë e sakrificë nga ata që drejtojnë këtë shërbim, si në nivel vendor ashtu edhe në nivel qëndror, por një pjesë e mirë e Drejtuesve të Shërbimit Zjarrfikës nuk duan të prishin rehatinë, shikojnë interesat e tyre dhe jo ato t shërbimit zjarrfikës. Besimi jonë për ndryshim mbetet vetëm tek ju!
Faleminderit për mirkuptimin dhe bashkëpunimin
Komisar Zjarrfikës Kujtim BIZHGA