– Le të duam më shumë fëmijët tanë se kryetarët e partive, motra e vëllezër! Falna zot, deri ku kemi arritur.., gati të verbër!
– Bukën e përditshme (falna zot) ta shijomë si fryt i mendjes dhe djersës tonë dhe jo si dhuratë apo kockë e hedhur e kryetarëve të partive! Oh si s’na ngec në fyt kjo kafshatë!
– Hymne dhe këngë t’u thurim njerëzve të punës e të sakrificës, heronjve, emigrantëve që na zbardhin faqen nëpër botë, dijetarëve dhe jo kryetarëve të partive! A ka popull më këtu që jo idhujt, por historinë e vet të derdhë në këngë!
– Ditë nga ditët tona marrshin vëtëm fëmijët, prindërit e gjithë të dashurit e zemrës sonë, dhe jo kryetarët e partive! Pse kaq e vështirë qenka të mos thërresim më rroftë Partia dhe xurxull të ngremë dolli për të, si dikur!
– As jetën të tjerëve mos ua marrim dhe tonën të mos e japim, për parti e për kryetar, por të japim vetëm votën tonë, për atë që ata bëjnë e jo për atë që thonë! Më mirë më pak të varfër e me dinjitet, se sa zvarranikë, servilë, vegjetues e përfitues partish pa nder! Kur lodh krahët tënd dhe e nxjerr vetë paranë, me paranë tënde ke dinjitet e personalitet, kuptohet, jo siç e kërkonte Jovan Bregu, që vdiste për pak magazinier, të administronte djersën e të tjerëve e me to të bënte nder!
– Jo për moral, por situata aktuale e përbotshme na rikujton se duhet vetëm punë që prodhon bukën, mishin, bulmetin, frutat, perimet, naftën, energjinë, veshmbathje, orendi e makineri, dhe jo thjesht punë zyre, lajme e argëtim, leku i të cilave del vetëm nga nga ajo derë (prodhimi).
Nuk them t’i urrejmë kryetarët, liderat! Jo! T’i nderojmë në misionin e tyre si vizionarë e promotorë idesh, por asnjëherë të mos harrojmë se ata dhe partitë janë shprehje e pastër e demokracisë (pjesë e së tërës), mendimit ndryshe, që përkthehet në debat e respekt dhe jo urrejtje apo ndëshkim e pushkatim, siç ndodhte kohëve të shkuara.
– Që fatkeqësisht jemi renditur të fundit në Europë për nga shkalla e zhvillimit, kjo dihet tashmë, por në ka vend në botë ku partitë dhe kryetarët e tyre, për interesa elektorale dhe inat të njëri-tjetrit, e shajnë dhe sterrojnë vendin e tyre me rrënjë e me degë, kjo vetëm këtu ndodh! Pse ky mallkim, të ndjesh kënaqësi dhe kërkosh fitore vetëm duke vrarë shpresën dhe bërë vendin tënd zi e më zi! A s’duhet thënë qoftë dhe një fjalë e vetme, mirë, për kundërshtarin, që e ke vëlla, kushri a komshi?!
– Në ka një vend ku në historinë e tij qindravjeçare tkurrjet gjeografike i ka pas të njëpasnjëshme (deri kokoshi një thelë) dhe dështimet apo humbjet i feston si fitore, ky vend jemi ne! Dhe për këtë, përgjegjësi kanë edhe udhëheqësit, prijësit apo kryetarët e saj të çdo epoke. Por paradoksi është se pavarësisht humbjeve e prapambetjes, edhe kur na kanë bërë gjëmën e kërkojnë të nusërojnë për të dytën herë, ne u thurim hymne “mbretërve”, i quajmë figura të shquara të rangjeve botërore, legjenda, lidera historikë, korifej, sidomos pas vdekjes.
– S’mjafton kjo që jemi, kështu si jemi, por jemi dhe mendjembëdhenj, duke u mburrur se jemi ne pa është bota, ne e kemi shpikur rrotën, bile s’duam t’ja dimë për askënd, se Shqipërinë e bëjmë vet, jemi sovranë, vet zot e vet shkop! Falna o zot sa shpejt harrojmë ku na i çoi brekët mburrja “me forcat e veta”!
– Në këtë vend nuk ka shumë motiv për të bërë mirë, sakrifica e therori, se në fund të fundit ata që bëjnë keq futen për mirë në histori. Nëse heroi, dëshmori, udhëheqësi apo një figurë e shquar nuk është i afërti yt, i bindjeve të tua, i sërës tënde, edhe pse nga vepra e tij kanë përfituar të gjithë, ai anatemohet e përbaltet, sepse kështu mendojnë kryetarët e partive, që marrin përsipër të bëjnë historinë.
– Jemi në kapitalizëm dhe harrojmë konkurencën e egër, që njëherësh çon dhe në zhvillim, por harrojmë dhe ligjin e xhunglës, që peshku i madh e ha të voglin, ndaj kryetarëve tanë u duhet të manovrojnë si ngjalë në këtë botë pa shpirt, dhe jo të sillen si mburravecë, për të mos folur pastaj për ata që mbajnë leksione për dinjitet, duke nënkuptur se dinjiteti ruhet vetëm kur i thyen hundët edhe një të fuqishmi, dhe jo me mençuri, largpamësi, polititika të holla e të thella.
– Ç’të them tjetër, nuk jam pesimist dhe nxirës realiteti, por i çiltër në këtë analizë, në thelb historike, ku s’dua të fsheh se e keqja nuk na ka ardhur vetëm nga të huajt, por edhe nga vetja, ku prijësat tanë e kanë vënë pasurinë dhe ngritur karrierën e tyre duke na mbajtur të përçarë si popull, duke na hedhur vëlla me vëlla në luftë, prej shekujsh. Dhe me vete mërmëris vargjet e një kënge të vjetër të anëve tona, kushtuar një Lubonjari luftëtar në krye të një çete kaçkësh kundër okupimit Osman. Në shatator 1796, një batalion alpin turk i komanduar nga Ahmet Islam Disdari, gjatë kalimit në drejtim të Ersekës për të nënshtruar “rebelët” shqiptarë, u godit në kullat e Qarrit nga kaçakët e komanduar nga Pasho Dule Lubonjari. Përleshja ishte e përgjakshme, trup me trup. U përleshën aty dhe dy bij të një nëne të mjerë nga Psari. Njëri luftonte si nizam i përbetuar i Portës së Lartë, tjetri si kaçak atdhetar i vendosur i kapedan Pasho Dules.
Kordhëtar Asllan Psari
Koka turku preu nga Qarri.
Asllan, izhdërha me pika,
Të pret Nasi, lart nga Shtika.
Thërret Nasi jatagani,
Ngreu Asllan, vdiq dushmani.
Pasho Dule Lubonjari,
Kapetan shpatë – hanxhari.
Pasho Dule ndez pusinë,
Të ndrit shpata trimërinë.
Këtë Asllanin nga Psari,
Se bëri të dilte barabari.
Asllan ku e ke vëllanë,
Nën krah, po më fle pranë.
O Asllan me shtatë nure,
Se ç’e le nënën kërcure.
Preva vëllanë o moj nënë,
Pa ditur mos qoftë thënë.
Bir, o bir, Asllan – Veli
Nënës i flini në gji.
( “Këngë Popullore të rrethit të Korçës” viti 1982, faqe 52)