Bizneset e mbarështimit të shpendëve po përballen me goditje të shumëfishta këtë vit. Fillimisht, rritja e kostove të lëndëve të para, ushqimit dhe energjisë elektrike dhe, së fundmi, shfarosja e 8% të pulave të gjalla në vend nga gripi, po vënë në dilemë ekzistencën e disa pularive. Operatorët lajmërojnë se rikuperimi i dëmeve nga gripi kërkon të paktën pesë muaj kohë. Deri më tani, humbjet nga ngordhja e pulave llogariten në 3,5 milionë euro, ndërsa çmimi i vezës në tregjet me pakicë është rritur në një vit me 65%. Paniku nga gripi po krijon humbje edhe për pularitë e painfektuara, ndërkohë që shkenca nuk njeh raste të transmetimit të gripit te njerëzit
Sektorii mbarështimit të shpendëve, më i konsoliduari në bujqësinë shqiptare, i vetmi që plotësonte nevojat e konsumit me mish pule dhe vezë, po përjeton krizë të fortë, që nisi me rritjen e çmimeve të lëndëve të para vitin e kaluar dhe tani me gripin “H5N8” që ka prekur tre pularitë më të mëdha në vend, fillimisht në zonën e Durrësit.
Përhapja e gripit në qarqet e Durrësit, Dibrës Fierit, Divjakës dhe Devollit po sjell efekte negative zinxhir për pularitë në të gjithë vendin, pasi paniku që ka përfshirë qytetarët, ka ulur konsumin mishit dhe vezëve, duke shkaktuar humbje të mëdha për të gjithë sektorin.
Deri më datë 24 mars, Ministria e Bujqësisë raportoi se për shkak të gripit kishin ngordhur mbi 380 mijë shpendë. Deri më këtë datë ka humbur gati 8% e shpendëve të gjallë.
Sipas INSTAT, në vitin 2020, numëroheshin rreth 5 milionë pula në të gjithë vendin, pjesa dërmuese e tyre në 63 stabilimente të organizuara dhe të specializuara për rritjen e shpendëve.
Duke iu referuar vlerës së tregut që aktualisht ka një pulë – mbi 3 euro, vlera e pulave në të gjithë vendin i kalon të 15 milionë eurot, pa llogaritur vezët. Humbjet në pularitë e prekura rezultojnë rreth 3.5 milionë euro.
Problemet që po kalon sektori i shpendarisë po reflektohet te konsumatorët. Çmimi i vezëve, që kishte nisur të rritej edhe para gripit, pësoi një goditje tjetër pas gripit. Në pikat shitjes me pakicë, çmimi i vezës u rrit 15-20%, pas epidemisë së gripit, duke arritur në 24 lekë për kokërr.
Arsyeja e shtrenjtimit të vezëve është përgjysmimi i prodhimit ditor për shkak të ngordhjes të pulave nga influenca aviare, sipas operatorëve prodhues të vezëve. Gripi, i cili ka prekur stabilimentet e pulave për prodhime veze, pritet të sjellë çrregullime në treg, së paku për disa muaj, thotë eksperti Sami Gjergji.
Gripi po shkakton humbje të menjëhershme të kapitalit të pularive të mëdha, teksa zëvendësimi i një pule për vezë, përveç kostove, kërkon të paktën pesë muaj kohë, tha z. Gjergji.
Klima në biznesin e shpendëve dhe vezëve është përkeqësuar që vitin e kaluar, ku çmimet e lëndëve të para, ushqimit dhe energjisë elektrike u rritën. Luan Fagu, i cili zotëron dhe administron pularinë “Veza e Mëngjesit”, tha se, nga mesi i vitit 2021 dhe pas luftës në Ukrainë, kostot e lëndës së parë, (ushqimit) janë rritur me 100%. Sipas tij, paniku i krijuar ditët e fundit nga gripi po dëmton shitjen e produkteve në tregje, duke vënë në vështirësi edhe stabilimentet që nuk kanë probleme.
Në vitin 2020, kompanitë më të mëdha të prodhimit të vezëve në vend realizuan të ardhura 2,4 miliardë lekë, me rritje vjetore 17%, por fitimet pësuan rënie të konsiderueshme.
Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKB) të 7 operatorët e mëdhenj raportuan vetëm 30 mijë euro fitime së bashku, me rënie 94% në raport me vitin 2019. Bizneset e shpendarisë po vuajnë rritjen e kostove, mungesën e subvencioneve dhe informalitetin e lartë.
Humbjet nga gripi mbi 3.5 mln euro, shuhen 8% e pulave
Një nga tre operatorët e mëdhenj të tregut të pulave për vezë, i prekur nga influenca aviare e gripit H5N8, pohoi se humbjet deri në mbrëmjen e datës 24 mars përllogariteshin 700 mijë euro.
Humbjet e përgjithshme në tre operatorët e prekur nga gripi, deri më tani, përllogariten deri në 3.5 milionë euro. Kompanitë e prekura aktualisht po merren me administrimin e emergjencës, duke groposur pulat e ngordhura, duke dezinfektuar ambientet në përpjekje për të shpëtuar pjesën që nuk është prekur.
Influenca aviare “H5N8” është një lloj virusi, i cilësuar si gripi i shpendëve dhe shumë vdekjeprurës për zogjtë e egër dhe pulat e buta. H5N8, megjithëse ka nisur të përhapet që në vitin 1983, deri më tani nuk ka të dhëna të përhapjes te njerëzit.
Virusi H5N8 manifestohet në mënyra të ndryshme, nga asimptomatike dhe subklinike dhe shkakton ngordhje deri në 75% tek shpendët. Pavarësisht se Shqipëria u përball me një epidemi të ngjashme në vitin 2006, sërish strukturat e Ministrisë së Bujqësisë u treguan të vonuara në administrimin e situatës.
Ngordhja e shpendëve, që nisi masivisht më 12 mars në pularitë e Durrësit, fillimisht nuk u pranua nga Ministria e Bujqësisë, e cila e konsideroi një laringit të thjeshtë. Epidemiologët shpjegojnë se, nëse situata do të ishte pranuar në kohë dhe do të kishte nisur karantina e hershme, edhe dëmet do të kishin qenë më të vogla.
Ministria e Bujqësisë lajmëroi se në të gjithë territorin e vendit, deri në mbrëmjen e 23 marsit, numëroheshin 382,672 shpendë të ngordhur. Veterinerët zyrtarë të AKVMB kanë kryer vizita e kontrolle në të gjithë 63 stabilimentet shpendërritëse dhe deri tani nuk ka raste të dyshuara.
Ministria pohoi se, nga kontrollet zyrtare në komplekset intensive të mbarështimit të shpendëve me drejtim për prodhimtarinë e mishit, rezultatet tregojnë se janë të pastra. Tashmë është në fuqi urdhri për marrjen e masave kufizuese për parandalimin e sëmundjes së influencës aviare në shpendë në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla.
Urdhri do të zbatohet në tre qarqet ku është konfirmuar vatra e sëmundjes: Durrës, Dibër, Korçë. Urdhri ndalon shitjen dhe tregtimin e shpendëve të gjalla në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla në këto qarqe, si dhe lëvizjen e shpendëve të gjallë nga ferma në fermë dhe nga ferma në tregjet e kafshëve të gjalla.
Ministria gjithashtu sqaroi se, nuk ka asnjë rrezik nga konsumi i mishit dhe vezëve të gatuara me temperaturë më të larta se 70 gradë Celsius, siç është dhe procedura normale e gatimit.
Deri në fund të javës së kaluar, pularitë e prekura nuk kanë marrë premtime për mbështetje financiare nga qeveria.
Në bazë të ligjit për Shërbimin Veterinar në Republikën e Shqipërisë, fermat e prekura duhet të dëmshpërblehen për dëmet nga gripi, por deri tani nuk ka asnjë premtim nga ana e Ministrisë së Bujqësisë për dëmshpërblim, tha një nga operatorët e prekur.
Zëvendësimi kërkon të paktën 5 muaj kohë
Zëvendësimi i pulave të ngordhura nga gripi kërkon kohë dhe likuiditet të shpejtë. Sipas Luan Fagut, nga “Veza e Mëngjesit”, për të rritur një pulë për vezë duhen së paku pesë muaj.
Rritja e zogjve kërkon 21 ditë dhe rritja e pulës deri në prodhimin e vezës kërkon edhe katër muaj të tjerë, tha ai. Mirëpo, në këto momente, tregu paraqet vështirësi, pasi nuk ka zogj për prodhim veze, të gatshëm në treg dhe çmimet për një të tillë aktualisht arrijnë edhe deri në 10 euro.
Sami Gjergji, ekspert i fushës, thotë se, zogjtë për vezë nuk prodhohen në Shqipëri, ndryshe nga ata për mish. Janë vezë specifike që vijnë nga tufat prindërore dhe zakonisht pularitë i porositin jashtë.
Aktualisht tregu europian ka problematika dhe çmimi një i zogu për vezë po arrin edhe 10 euro, dhe blerjet bëhen me porosi, pasi në tregje nuk ka zogj të gatshëm.
Që nga porosia e deri në marrjen e vezës së parë duhen së paku pesë muaj, thonë operatorët e tregut, të cilët lajmëruan se gjatë këtij viti, tregu do të përballet me vështirësi. Aktualisht nevojat e konsumit në vend po përballohen nga pularitë e shëndetshme dhe nga importi.
Sektori i shpendarisë është më i konsoliduari në bujqësinë shqiptare. Ndryshe nga degët e tjera të bujqësisë, pularitë plotësojnë nevojat e tregut të brendshëm për vezë dhe mish ule dhe madje janë potencial për eksport.
Sipas të dhënave nga databaza e tregtisë së Kombeve të Bashkuara, eksportet shqiptare të vezëve në vitin 2020 ishin 523 mijë euro, nga 347 mijë euro në vitin 2019. Tregu kryesor i eksportit për vezët është Kosova.
Paniku dhe sëmundja po krijon humbje zinxhir në të gjithë sektorin
Pularitë, të cilat nuk janë prekur nga gripi i shpendëve, po përballen me humbje të mëdha, për shkak të panikut të krijuar te konsumatorët.
Humbjet kanë përfshirë edhe stabilimentet e pulave për mish, pasi konsumatorët po refuzojnë blerjet nga frika e përhapjes së sëmundjes. Edhe pse nuk ka raste të njohura të transmetimit te njerëzit, konsumatorët të frikësuar nga pandemia e Covid-19 po marrin masa mbrojtëse, duke mos konsumuar mish pule.
“Prej ditësh, nuk ka kërkesë për mish dhe vezë dhe kjo situatë po na krijon humbje. Reduktimi i shitjeve është humbje e madhe për ne, pasi ne çdo ditë përballemi me shpenzime”, tha z. Fagu nga “Veza e Mëngjesit”. Ai shprehet se, çdo ditë duhet një sasi ushqimi prej tetë tonësh për të ushqyer pulat, nëse prodhimet nuk shiten në një ditë të vetme, humbjet janë shumë të mëdha.
Në zonën e Beratit, ku ndodhet pularia e tij, nuk ka raste të gripit dhe qarku nuk është në karantinë, mirëpo kërkesa për mish dhe vezë ka rënë në mënyrë të dukshme, tha ai, duke vështirësuar mbarëvajtjen e biznesit. Tregtarët në pikat e pakicës në Tiranë pohojnë se kërkesa për mish pule ra ndjeshëm pas gripit.
Pikat e shumicës në zonën e Uzinës Dimano në Tiranë pohuan se kërkesa për mishin e pulës nisi rënien që pas luftës në Ukrainë dhe ra më tej pas gripit.
Orientimi i konsumit drejt miellit, vajit dhe ushqimeve të industrializuara të importit nga frika e luftës ulën kërkesën për mish pule, thanë tregtarët. Samiu, me përvojë të gjatë në shitjen me pakicë, për të ulur rrezikun këto ditë po furnizohet me mish pule importi.
Paniku i krijuar nga gripi duket se po sjell më shumë humbje se sa vetë gripi. “Bashkë me të thatin, po digjet edhe i njomi” tha z. Fagu. Entet publike që po merren me administrimin e gripit të shpendëve nuk janë koordinuar për të garantuar publikun dhe konsumatorët nëse ka rrezik për konsumin e pulave vendase.
Biznesi i pularive, nën presionin e kostove të larta
Bujqësia shqiptare vuan kosto të larta dhe fitime të ulëta, për shkak se modeli mbi të cilin ajo është zhvilluar është problematik, ku sektorët prodhues nuk janë të mbështetur nga zinxhirë furnizimi efikas.
Në Shqipëri ka rreth 63 stabilimente që mbarështojnë pula, por nuk ka politika dhe biznese që prodhojnë ushqime për pularitë dhe fermat blegtorale. Mbarështimi i shpendëve dhe kafshëve në stalla mbështetet tërësisht në import.
Ashtu si edhe inputet e tjera bujqësore, ushqimi për kafshë në tregjet globale që nga mesi i vitit 2021 dhe tani pas luftës në Ukrainë është rritur me 100%. Kostot e larta të transportit pas pandemisë u rritën shumë, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në çmimet e mallrave.
Operatorët e tregut pohojnë se çmimi për 1 ton ushqim për pula kushtoi 50% më shumë në gjysmën e dytë të vitit 2021 se në vitin 2020, por pas luftës në Ukrainë, çmimi për të njëjtën njësi është rritur edhe me 50%. Ukraina është eksportuesi më i madh global për sojë dhe misër, baza e ushqimit për pulat dhe blegtorinë.
Stabilimentet e pulave janë edhe një konsumator i madh i energjisë elektrike. Pularitë e mëdha që tani janë në tregun e liberalizuar të energjisë, po paguajnë tarifa tre herë më të larta se vitin e kaluar.
Çmimi i vezëve, rritje vjetore 65%
Në muajin mars të vitit 2021, çmimi mesatar i një kokërr veze në tregjet e pakicës, sipas INSTAT, ishte 14.5 lekë. Aktualisht një kokërr vezë shitet nga 20-24 lekë, me rritje 40-65% në raport me një vit më parë.
Gjysma e rritjes ndodhi para gripit të shpendëve, duke reflektuar kostot e rritura të lëndëve të para (ushqimit dhe energjisë), ndërsa pjesa tjetër e rritjes ndodhi pas gripit të shpendëve.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2020, në të gjithë vendin u prodhuan rreth 861 milionë kokrra vezë, me rënie 0.4% në krahasim me vitin 20219. Prodhimi vjetor i vezëve ishte 307 kokrra për frymë. Sipas të dhënave të Organizatës Globale të Ushqimit (FAO), Shqipëria renditet ndër vendet me konsumin më të lartë të vezëve në Europë.
Sipas të dhënave krahasimore nga Eurostat, shqiptarët kanë shpenzime të larta për bulmet dhe vezë në raport me rajonin. Një individ shqiptar shpenzon mesatarisht 267 euro në vit për vezë, qumësht dhe djathë. Serbët shpenzojnë për të njëjtat produkte 163 euro, ose 40% më pak.
Maqedonia e Veriut shpenzon 198 euro, Mali i Zi, 263 euro, dhe Bosnjë-Hercegovina 249 euro. Të dhënat i referohen vitit 2020, ndërsa Kosova nuk është e përfshirë në këto statistika.
Në raport me Prodhimin e Brendshëm bruto, shpenzimet për këto produktet janë më të lartat në Europë, në 5.8% të PBB-së, shumë më e lartë sesa mesatarja e Bashkimit Europian prej 1%. E dyta pas Shqipërisë renditet Bosnjë- Hercegovina, me 4.9% të PBB-së, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut, me 3.8% të PBB-së.
Por, më shumë sesa konsum i lartë, shpenzimet e shtuara rezultojnë se vijnë nga çmimet më të shtrenjta të këtyre produkteve, ndonëse ato janë pothuajse prodhim vendas.
Po sipas të dhënave të Eurostat, indeksi i nivelit të çmimeve i Shqipërisë për grupin vezë, qumësht dhe djathë në vitin 2020 në krahasim me mesataren e Bashkimit Europian (me 27 shtete) ishte 109, që do të thotë se konsumatorët vendas i blejnë këto produkte 9% më shtrenjtë sesa në pjesën më të madhe të vendeve europiane.
Pularitë, rriten shitjet më 2020, por fitimet ranë ndjeshëm
Për një pjesë të madhe të bizneseve në vend, viti 2020 ishte i vështirë për shkak të problemeve që krijoi pandemia Covid-19 në shumë linja të tregtisë, por konsumi i vezëve u nxit për shkak të kanalizimit të shpenzimeve në produktet ushqimore.
Të shtatë operatorët kryesorë të tregut realizuan një xhiro të përgjithshme nga shitjet me 2.4 miliardë lekë, me rritje vjetore 17%.
Të ardhurat nga shitjet në rritje nuk ishin të vlefshme për të gjithë operatorët. Kompania më e madh në vend, Aiba, me stabilimentet në zonën e Shijakut, realizoi 1,2 miliardë lekë të ardhura më 2020, me rritje vjetore 17%, por kompania raportoi në QKB bilanc me humbje, pasi në vitin 2020 fitimi para taksave rezultoi negativ me 13 milionë lekë.
Operatori tjetër, Rea’s, raportoi të ardhura me rënie rreth 7% në vitin 2020, por kompania raportoi fitime para taksave pozitive, po jashtëzakonisht të ulëta. Operatori i treti më i madh në treg, Ovital, raportoi të ardhura nga shitjet 274 milionë lekë, në vitin 2020, me rënie në raport më 2019, duke deklaruar bilanc me humbje.
Kompania tjetër, Beata, ruajti pozicion më të mirë, duke rritur të ardhurat me 48% në të njëjtin vit, teksa normat e fitimit u raportuan 38% më të larta se më 2019. Të ardhurat me ritme dyshifrore u rritën edhe për kompaninë Coco-al, e cila gjithashtu raportoi rritje vjetore me 19% të fitimeve më 2020.
Operatorët pohuan se operojnë në një terren të vështirë. Para krizës pandemike, sektori po përballej me problemet e tregut të brendshëm nga konkurrenca e pandershme dhe informaliteti i lartë, teksa pas pandemisë problemet u bënë më të mprehta për shkak të rritjes së kostove të lëndëve të para dhe tani, gripi i shpendëve.
Shqipëria, suficitare në prodhimin e vezëve. E dyta në rajon, pas Serbisë
Të dhënat nga Organizata Globale e Ushqimit, tregojnë se Shqipëria është prodhuesi kryesor i vezëve dhe mishit të pulës në rajon pas Serbisë. Të dhënat nga FAOSTAT tregojnë se në vitin 2019, Serbia ishte prodhuesi më i madh i vezëve në rajon me prodhim gjithëvjetor rreth 89 mijë tonë.
Pas Serbisë, Shqipëria renditet e dyta në Ballkanin perëndimor me 54.5 mijë tonë vezë të prodhuara në një vit. Më tej, Bosnjë-Hercegovina, me 24 tonë, Maqedonia e Veriut, 7 mijë tonë dhe Mali i Zi, 4.5 mijë tonë.
Ashtu si edhe artikujt e tjerë ushqimorë, edhe çmimi i vezës në tregjet e huaja ka shënuar rritje të ndjeshme pas pandemisë. Sipas të dhënave të BE-së “100 kilogramë” vezë po kushtojnë aktualisht 168 euro, nga rreth 130 euro në fillim të vitit 2109. Në rang global, Turqia është eksportuesi më i madh i vezëve me rreth 190 mijë tonë në vit.
Sipas FAO, Shqipëria është një ndër vendet që ka konsumin më të lartë të vezëve në Europë, duke u renditur e treta pas Danimarkës dhe Austrisë, me rreth 315 kokrra vezë për frymë, sipas të dhënave që i referohen vitit 2017./MONITOR/shqiperiaime.com.al