Konfindustria ka bërë një tjetër thirrje për Kuvendit, në kushtet e krizës energjitike. Ajo kërkon ngritjen e një komisioni hetimor për vlerësimin e menaxhimit të sistemit energjitik në vitet 2021-2022.
Gjithashtu kërkon që Enti Rregullator i Energjisë të thërritet në seancë dëgjimore për të dhënë shpjegimet për vendimet e fundit për fashën e energjisë.
Konfindustria vlerëson, se ngritja e komisionit hetimor nga Kuvendi, është tepër e vonuar dhe duhet të ishte kryer menjëherë pas shpalljes së krizës energjitike në vitin 2021.
Sipas saj, në vitin 2021 Shqipëria prodhoi 6.5% më shumë energji elektrike se nevojat për konsum të brendshëm dhe pa shpjegime kaloi në krizë.
“Ka të dhëna të shumta të besueshme, që shkaqet e kalimit në krizë energjitike në vitet 2021-22 lidhen me keqmenaxhimin skajor të sistemit. Shpjegimet lidhur me kalimin në krizë energjitike në kushtet e mësipërme duhet të hetohen dhe të bëhen të njohura për publikun nga komisioni hetimor i Kuvendit të Shqipërisë”, thotë Konfindustria.
Kjo e fundit i mëshon faktit që në kushtet e një menaxhimi normal të sistemit energjitik, Shqipëria jo vetëm nuk duhet të kishte kaluar në krizë energjitike, por duhet të kishte përfituar epersi të rëndësishme ekonomike dhe tregtare në kushtet e sotme të zhvillime ndërkombëtare energjitike.