Komandot edhe “elitë” krimi, pjesë e organizatave të trafikut

Turqia, prej ditësh, ka lajmëruar se ka ndërhyrë për të goditur një grup shqiptaro-turk që trafikonte lëndë narkotike.

  • Policia e Shtetit, me anë të një njoftimi, tregoi se ishte arrestuar një person dhe ishin shpallur në kërkim tre të tjerë, duke saktësuar se në fakt ishin shqiptarët që çuan informacion te homologët turq, të cilët u vunë në lëvizje. Lajmërimin Policia jonë e dha më datën 9 tetor, pra, 4 ditë pasi nga aeroporti ndërkombëtar i Shqipërisë kishin kaluar çanta udhëtarësh të mbushura me hashash.

Ose të paktën ky është sinjali i nxjerrë ditën e djeshme nga Policia turke, e cila referuar operacionit antidrogë tregon se mes të arrestuarve janë një ish-komando, pjesë elite, sipas parametrave më të cilët maten elitat në vendin tone. Një efektiv i Policisë Rrugore, aktualisht efektiv i Komisariatit të Tiranës dhe një person tjetër, emri i të cilit është lënë pa skedë identifikuese nga ana e Policisë, edhe pse ka 11 ditë që nga koha e vënies në pranga të këtyre personave.

  • Informacionin për arrestimin e efektivit të Policisë dhe ish-komandos e nxori dje Policia e Shtetit, me anë të zërave të vet zyrtarë, për t’i lënë hapësirë edhe një lajmërimi tjetër, me të cilin tregoi se kryepolici i vendit, Muhamet Rrumbullaku, e ka përjashtuar përgjithmonë nga Policia efektivin në detyrë, Florenc Bicerri, një 27-vjeçar që ka pak kohë që operon në radhët e organizatës policore. Ndër të tjera, njoftimi për vendimin e kreut të Policisë tregonte edhe se kishin nisur hetime për të mësuar se si kishte mundësi që droga kishte kaluar nga aeroporti i Rinasit. E për këtë fakt është ftuar në ndihmë edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, që tashmë drejtohet nga Ardi Veliu!

KOMANDOT, EDHE ‘ELITË’ KRIMI

Prej vitesh, Shqipëria dhe shqiptarët janë orvatur të krenohen me rreshtimin e specialëve të ushtrisë sonë krah atyre më të njohur atë botës. E kjo falë komandove që merrnin pjesë në misione të ndryshme në vendet e luftës. Edhe pse pak dihej nga mënyra se si përzgjidheshin për tu bërë pjesë e këtij misioni, madje kishte edhe akuza ndaj drejtuesve të ushtrisë për këto përzgjedhje, por komandot mbetën përfaqësuesit tanë të misioneve ushtarake nëpër vendet e konflikteve, derisa, ata në pamundësi rinovimi kontratash, duke refuzuar pagat në ushtri nisën të merreshin me krimin.

  • Ose ashtu të paktën i referoi Policia, i hetoi Prokuroria dhe i dënoi Gjykata. Janë shumë raste të evidentuara nëpër media në dekadën e fundit ku emra autorësh të veprave të ndryshme penale shoqëroheshin edhe me identifikimin ish ose komando. Nga trafikantë droge, te trafikantë minash të telekomanduara, nga të dyshuar për akte terroriste deri te të përfshirë në grupe kriminale dhe të dyshuar edhe si vrasës me pagesë. Është një listë me raste, jo të gjitha, që dëshmon që komandot kanë qenë pjesë e krimit po aq sa edhe Policia e Shtetit, ndonëse kjo e fundit më e shumtë në numër, për shkak edhe të eficencës dhe kudogjendshmërisë.

RASTET 9 SHTATOR 2022

Anis Plaku arrestohet në Britaninë e Madhe. Ai ishte një ish-komando shqiptar që u arrestua në Angli, me dy bashkëkombës të tjerë, pasi u kapën me lëndë narkotike me vlerë 300 mijë paund. Anis Plaku, 29 vjeç, ish-ushtarak i Forcave të Armatosura shqiptare, që shërbeu edhe në Afganistan, u dënuan me tre vite burg.

1 SHTATOR 2020

Klodian Beshiri arrestohet për plagosje. Anëtari i Forcave të Armatosura, komando Klodian Beshiri, u bë me dije se plagosi me armë dy persona mbrëmjen e 1 shtatorit të vitit 2020, pas një sherri. Në atë kohë, Beshiri u akuzua se plagosi me armën e shërbimit Rexhep Qefalinë dhe Redi Myrton.

15 PRILL 2019

Erzen Uka arrestohet për terrorizëm. Ish-komando Erzen Uka, që shërbeu në Irak dhe Afganistan, u arrestua nga Antiterrori më 15 prill 2019. Ai u vu në pranga pas dyshimeve për prirje radikale dhe nxitjen e urrejtjes me qëllim kryerjen e veprave terroriste. Konsiderohej person me rrezikshmëri të lartë dhe survejohej prej shume vitesh.

4 TETOR 2018

Marviol Billo, komando, shpallet në kërkim për ‘masakrën’ e ish-Bllokut. Ai rezultoi i përfshirë në ngjarjen e rëndë ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha dhe u plagos Ervis Martinaj. Billo u dënua me 7 vite burgim për plagosje dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa dënimi iu reduktua në 4 vite e tetë muaj dhe më pas iu konvertua në shërbim prove.

9 SHKURT 2017

Marviol Billo, komando, shpallet në kërkim për ‘masakrën’ e ish-Bllokut. Ai rezultoi i përfshirë në ngjarjen e rëndë ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha dhe u plagos Ervis Martinaj. Billo u dënua me 7 vite burgim për plagosje dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa dënimi iu reduktua në 4 vite e tetë muaj dhe më pas iu konvertua në shërbim prove.

9 SHKURT 2017

Ditjon Memlika dhe Naim Avdulaj arrestohen për grabitje. Policia bëri me dije asokohe se arrestoi 4 nga 8 grabitësit e 3.2 milionë dollarëve të një banke të nivelit të dytë në Rinas. Mes të arrestuarve ishin edhe dy ishkomandot, Ditjon Memlika dhe Naim Avdulaj. Të dy komandot e arrestuar kanë qenë të angazhuar në misione të rëndësishme me Forcat e Armatosura.

8 NËNTOR 2016

Medat Hasani arrestohet për terrorizëm. U tha se një akt terrorist u parandalua në Shkodër paraditen e së shtunës, ndërkohë që në Shkodër, në Kishën e Madhe të saj, mbahej Mesha e Madhe me përfaqësues nga gjithë bota. Por hetimi bëri me dije se sulmi ishte planifikuar për ndeshjen Shqipëri-Izrael, që do të luhej në stadiumin Loro Boriqi. Në atë operacion të iniciuar nga shërbimet izraelite u arrestua komandoja Medat Hasani që prodhoi bombën me telekomandë. 4 ditë para zhvillimit të ndeshjes u finalizohet operacioni me arrestimin e 18 personave të dyshuar për lidhje me ISIS, mes tyre komando Hasani, që kishte qenë edhe në Siri.

15 QERSHOR 2016

Romin Davidhi arrestohet për drogë. Në sajë të operacionit “Fast”, Policia arrestoi edhe komandon e Forcave Detare dhe Arjan Tabakun. Ata u kapën në makinë me një sasi prej 10 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit kanabis sativa, një trup pistolete bashkë me tytën dhe fishekë të kalibrit 7.62 mm. Një helikopter i mbushur me 800 kg hashash është rrëzuar në Malaga të Spanjës, gjatë ndjekjes nga Policia. Njëri prej pilotëve dyshohet se është Sokol Feka, instruktor i Bazës Ajrore të Farkës në Tiranë.

29 JANAR 2015

Sokol Feka, një pilot shqiptar, major i Forcave të Armatosura, aksidentohet në Malaga dhe humb jetën. U tha se po transportonte 800 kilogramë hashash me helikopter nga Maroku në Spanjë. Ministria e Mbrojtjes konfirmoi se helikopteri me drogë është rrëzuar gjatë ndjekjes nga Guarda Civile e Spanjës dhe se njëri prej pilotëve ishte majori shqiptar, Sokol Feka. Kryeministri Edi Rama ishte i pari që njoftoi implikimin e një piloti të ushtrisë shqiptare në këtë ngjarje. Ministria e Mbrojtjes bëri me dije përmes një deklarate për mediat se rrëzimi i helikopterit me drogë ka ndodhur mëngjesin e së martës. “Si pasojë e rrëzimit të helikopterit, piloti ka vdekur. Bazuar në dokumentet e gjetura mendohet se ky person mund të jetë Sokol Feka, major, me detyrë instruktor të Bazën Ajrore të Farkës”, u tha nga Ministria e Mbrojtjes.

17 SHTATOR 2014

Ndriçim Balla dënohet me 35 vjet burg për vrasje. Mbase një prej ngjarjeve më të diskutueshme, me shumë dritëhije, por Gjykata e Tiranës vendosi ta dënonte me 35 vjet burg ish-oficerin e Forcave të Armatosura. Ai u akuzua për vrasjen me dashje të Majlinda Hoxhës dhe plagosjen e Elton Fushës në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Në fakt, Balla nuk e ka pranuar kurrë atë vrasje, madje ditën e krimit për të cilin ai u akuzua ishte në mision me një atashe ushtarak turk, për vizitën e të cilit u bë jo pak bujë.

15 KORRIK 2014

Fran Kola, Kleo Gjinkola dhe Alban Donaj arrestohen për prodhim të minave të telekomanduara. Policia e Durrësit arrestoi tre komandot, të cilët montonin e tregtonin mina me telekomandë. Në atë kohë policia pretendoi se minat janë përdorur në tre atentate, në vrasjen e biznesmenit Xhemal Çela, të Baki Xhabaftit dhe plagosjen e Fredo Berberit, atentate që tronditën vendin.

21 MARS 2014

Diamant Rasha, Erjon Alia, Artur Balla dhe Leonard Përlika, katër komando i bashkohen ISIS. Dy prej tyre vriten në atë ‘mision’. Hetimet e Prokurorisë për shqiptarët që shkonin të luftonin në Siri zbuluan edhe një fakt tronditës me zbulimin që katër komandot ishin bërë pjesë. Rasha dhe Alia u vranë ndërsa për dy të tjerët nuk u mor gjë vesh më tej, pasi Prokuroria ndërhyri duke çuar në pranga një mori personash në vendin tonë.

6 QERSHOR 2013

Aldo Morina dënohet pasi u akuzua se vrau Mehmet Beqirin. Gjykata e Tiranës e dënoi me 12 vite burg oficerin e forcave komando, pikërisht për akuzën e vrasjes së taksistit Mehmet Beqiri. Ditën e vrasjes, më 1 janar 2013, u dorëzua në polici dhe pranoi krimin, me pretendimin se viktima i dhunonte nënën. Beqiri dhe nëna e të pandehurit kishin një lidhje jashtë martesor. /Panorama.al/

Author: jehona