Historia e ngritjes së Mbretërisë Shqiptare lidhet me procesin e pavarësisë kombëtare, daljes së Shqipërisë si subjekt i së drejtës ndërkombëtare dhe i ngritjes së shtetit shqiptar. Mbretëria Shqiptare u ngrit vetëm në çerekun e dytë të shekullit XX, më 1928, pra, gati një shekull më vonë se fqinjët ballkanikë.
Kjo epokë të mbretërisë në vitet 30, e qeverisur nga Ahmet Zogu ka pasur veçoritë e saj, një pjesë e të cilave kosideroheshin si më të mirat nga admiruesit e nga disa të tjerë përbuzeshin.
Në këtë periudhë e veçantë ka qenë dhe pasaporta që lëshohej për shtetasit shqiptar. Përveç të dhënave të zakonshme identifikuese të një individi, që vihen re edhe tek pasaportat e ditëve të sotme, bie në sy një detaj interesant. Bëhet fjalë për një listë të gjatë me pika që ishin në hyrje të pasaportave të asaj kohe. Në fakt më shumë ngjajnë me udhëzime dhe mesazhe sesa me një paradhënie.
Këto 6 pika ishin në hyrje të pasportave të asaj kohe:
T’a dish dhe të jesh i sigurtë, se fatbardhësia dhe lumtunija jote gjindet në Shqipëri e cila t’ep nder dhe të fal emrin shqiptar.
Ruaje mirë karakterim komtar dhe kryenaltësinë shqiptare: bindju ligjevet dhe urdhanvet të vendit kudo që të jesh.
Çdo shqiptar është vllau Yt: nderoje kurdoherë dhe ndihmoje kur të ketë nevojë.
Mos e përbuz gjuhën e nanës s’ate tue folë në gjuhë të huej kur nuk asht nevoja.
Ndero flamurin e atdheut tand: kush nuk e nderon shejën e komsisë shenderon vehten e vet.
Dashunija për atdhe ndihet ma tepër në mërgim, prandaj këtë dashuni ruaje edhe kur të kthehesh në vendin t’and.