Angel Di Maria është goditja e parë e Juventusit këtë merkato, me sulmuesin argjentinas që premton shumë për “Zonjën”. Në një intervistë, 34-vjeçari ka thënë fjalët e tij të para si bardhezi, duke u shprehur shumë i lumtur për këtë transferim dhe se do të japë shumë për Juventusin.
Si fillim ai foli për pjesën nëse do të jetë një futbollist i Juventusit për një kohë të gjatë, ku u shpreh: “Kurrë mos thuaj kurrë. Në futboll gjërat ndryshojnë shumë shpejt. Çdo gjë me Juven po shkon shumë mirë që nga kontaktet e para. Tani le të mendojmë për këtë vit. Le të përpiqemi të fitojmë sa më shumë të mundemi dhe më pas koha do të jetë ajo që do të mendojë për të ardhmen”.
Më pas ai foli dhe për Kupën e Botës, duke u shprehur: “Mendja ime tashmë është vetëm te Juventusi. Erdha këtu për të fituar dhe për të punuar me një klub të madh. Më vonë do të mendojmë për kombëtaren”.
Në fund ai foli se përse zgjodhi Juventusin. “E zgjodha Juven sepse është klubi më i madh në Itali dhe kanë mundur të fitojnë aq shumë tituj. E di që është një skuadër e fortë dhe unë dua të jem pjesë e saj. Nëse ata më kanë kërkuar, atëherë do të thotë që unë isha pjesë e planeve të tyre”, përfundon Di Maria.