Joachim Low qëndron pushim prej korrikut të vitit 2021, kur i dha fund aventurës 15-vjeçare si trajneri i kombëtares gjermane.
Emri i tij është lidhur me klube të ndryshme, por rikthimi në stol nuk po vjen. Së fundmi përflitet se do të tërhiqet përfundimisht nga karriera si trajner.
63-vjeçari ka thyer heshtjen në një prononcim për Bild, duke u dhënë fund dilemave rreth së ardhmes së tij.
“A do të tërhiqem? Absolutisht jo. Është e vërtetë që qëndroj pushim prej dy vitesh, por ishte e rëndësishme për mua të distancohesha disi.
Kam disa plane dhe ide në mendje. Kam marrë disa oferta, por do të rikthehem vetëm nëse do të jem 100% i bindur se mund të bëj diferencën aty ku do të shkoj”, u shpreh Low.
Trajneri fitoi Kupën e Botës Brazil 2014 me kombëtaren gjermane. Ai drejtoi Pancerat në 198 ndeshje, ndërkohë që dëshira e tij e madhe është të marrë drejtimin e një skuadre të njohur europiane.