Sali Berisha, në kuadër të strategjisë mbrojtëse pas shpalljes ‘non grata’ nga SHBA për korrupsion, deklaron në çdo studio televizive se pasuria e tij është vetëm një apartament dhe 100 mijë euro kursime nga pagat. E vërteta është se Familja Berisha ka një pasuri me vlerë dhjetëra milionë euro.
Kjo pasuri është në emër të dy fëmijëve, Shkëlzenit dhe Argitës, si dhe dhëndrit Jamarbër Malltezi. Pasuria me vlerë marramendëse, ku përfshihen pallate, fabrika, apartamente dhe qindra mijëra euro, është krijuar kryesisht pas vitit 2006, që përkon me ardhjen në pushtet të Sali Berishës.
Ky fakt konfirmon se treshja Shkëlzen-Argita-Jamarbër është pasuruar nën hijen e pushtetit të Berishës si kryeministër, siç është provuar edhe nga investigimet e Report Tv gjatë këtij viti. Dhe përdorimi i pushtetit për të pasuruar familjen e tij është edhe një nga bazat ku mbështetet vendimi i Departamentit Amerikan për përfshirjen e Sali Berishës dhe familjes së tij në listën e zezë.
Pas ardhjes në pushtet të Berishës, Argita dhe Jamarbri lanë super paga në Kosovë dhe u zhvendosën në Tiranë, ndërsa të njëjtën rrugë ndoqi edhe Shkëlzeni, i cili la Suedinë dhe erdhi për të bërë miliona në Tiranë si sekser i klientëve të ndryshëm të qeverisë së babait kryeministër.
Nga viti 2008, kur ka deklaruar për herë të parë pasurinë, deri në vitin 2015, Shkëlzen Berisha deklaron mbi 650 mijë euro të ardhura nga puna si sekser, konkretisht shumat 82 mijë euro dhe 6.9 mijë euro në 2008, 200 mijë euro në 2009, 150 mijë euro në 2010 dhe 220 mijë euro në 2015.
Mbi 260 mijë USD Shkëlzen Berisha i ka fituar përmes konsulencës juridike. Ka blerë dy makina në vlerë 85 mijë euro dhe 18 mijë euro. Në vitin 2013 ka blerë një apartament në Tiranë 346 mijë euro, të cilin e ka shitur tre vite më pas për 600 mijë euro.
Në mënyrë të dyshimtë, Shkëlzen Berisha ka ngritur edhe një fabrikë për përpunimin e boronicave në Gërdec. Në vitin 2018, ka blerë 3 parcela arë 6.183 metra katrorë, 3 parcela truall 14.220 metra katrorë dhe 5.066.5 metra katrorë godina në Gërdec, me një kredi 1.8 milionë euro,
duke lënë si kolateral këto prona, ndonëse vlera e tyre është më e ulët se sa vlera e kredisë dhe më e ulët akoma nëse llogarisim edhe interesat. Por, më e dyshimtë është shuma 1.9 milionë euro për blerje pajisje për përpunim boronicash, pasi nuk dihet asgjë për burimin e këtyre parave.
Ndërkaq, Argita Berisha, në deklaratën e parë të pasurisë, deklaron 10 pasuri të paluajtshme me vlerë qindra mijëra euro.
Konkretisht ka deklaruar apartament 200 m2 me vlerë 100 mijë euro, apartament 120 m2 me vlerë 150 mijë euro, apartament 141 m2 me vlerë 100 mijë dollarë, apartament plus parking, me sipërfaqe 188 m2, me vlerë 125 mijë dollarë,
apartament 77 m2 përfituar nga privatizimi, apartament 95 m2 dhe garazh, gjysmë vile në Gjiri i Lalëzit 56 mijë euro, shtesa anësore e pallatit me sipërfaqe 60 m2, dyqan 33 m2 26 mijë euro si dhe 3 mijë m2 tokë me vlerë 6 milionë lekë. Burimi i këtyre pasurive janë të ardhurat nga paga që Argita dhe Jamarbri kanë fituar në Kosovë si pjesë e UNMIK deri në vitin 2006.
Kur erdhën në Shqipëri në vitin 2006, Argita Berisha ka deklaruar se, bashkë me bashkëshortin, Jamarbër Malltezi, i kishin mbetur vetëm 40 mijë USD, pasi paratë e mbledhura i kishte investuar në pasuri të paluajtshme. Megjithatë, sot, Jamarbër Mallezi rezulton pronar me 35-50 % i 20 kullave në Tiranë, 17 të ndërtuara dhe 3 në proces ndërtimi.
Bëhet fjalë për kullat e ngritur mbi ish-Klubin Partizani, që shënon një nga skandalet më emblematike të qeverisë së Sali Berishës, i cili ka përdorur pushtetin në mënyrë të paskrupullt për interesa të familjes. SPAK po kryen një verifikim se ku i ka gjetur paratë Jamarbër Mallezi për të realizuar këtë investim. Vlera e 20 kullave është pa dyshim mbi 120 milionë USD.
Ndërkaq, pas zbarkimit në Shqipëri, të ardhurat vjetore të Argita Berishës janë të ‘frikshme’. Mbi 100 mijë euro janë të ardhurat vjetore në vitin 2008, konkretisht 52 mijë USD nga aktiviteti i avokatisë, 36 mijë euro nga mësimdhënie në një fakultet privat në Kosovë, rreth 24 mijë euro nga dhënie me qera e apartamenteve, 9 mijë euro nga OKB etj.
Siç duket, burimi kryesor i të ardhura të Argitës është nga avokatia, aktivitet i cili është konsideruar si dera ku hynin investitorët e huaj për të Shqipëri gjatë pushtetit të Sali Berishës, nga mësimdhënia në Kosovë dhe qiratë. Vijon të mbetet mister se cili kusht janë njerëzit që fshihen pas këtij fakulteti privat në Kosovë që ka paguar Argitën me dhjetëra mijëra euro.
Në vitin 2010, Argita blen një tjetër apartament me vlerë 200 mijë euro. Një vit më pas, të ardhurat vjetore të Argitës arrijnë mbi 170 mijë euro nga ekspertiza, mësimdhënia dhe qiratë. Në vitin 2015, Argita blen një tjetër apartament 128 m2 me vlerë 179 mijë euro dhe parking 26 mijë euro.
Pas largimit nga pushteti të Sali Berishës nga pushteti në vitin 2013, të ardhurat e Argitës bien ndjeshëm. Nëse në vitin 2013, kur Berisha ishte në pushtet, deklaron 6.5 milionë lekë të ardhura nga mësimdhënia në universitete private, në vitin 2014 deklaron vetëm 1.4 milionë lekë. Kostoja e një banese me qira në Tiranë ka ardhur duke u rritur me kalimin e viteve.
Çuditërisht ndryshe ka ndodhur me Argitën, pas largimit të Berishës nga pushteti. Nëse në vitin 2013 Argita deklaronte 59 mijë euro të ardhura nga qeratë, në vitin 2018, pra 5 vite më pas, deklaron 28 mijë euro nga qeratë e apartamenteve.