Kur Roza Lati dhe Stine u shfaqën si çift në “Dance with me’’, të gjithë menduam për një ribashkim të mundshëm mes kantautorit dhe moderatores së njohur, por ndodhi krejt e kundërta. Jo vetëm që nuk pati asgjë mes tyre, por Stine një vit më vonë u bë baba i një vajze. Por nëse mendoni se të shihni dy isha në ekran ishte një akt i guximshëm, atëherë nuk keni marrë vesh gjë: Roza Lati dhe Graciela Pashaj, ish-gruaja e Stines, kanë realizuar një intervistë të paparë mbrëmjen e djeshme.
Pas ndarjes me Stinen, Gracia vijon normalisht jetën e saj. Ajo këndon live në një prej club-eve të njohura në Tiranë. Përveç planeve dhe projekteve në muzikë, Grazia foli edhe për Estian, vajzën e saj dhe Stines, e cila që tani ka nisur të kuptojë situatat në shtëpi, siç tha këngëtarja.
Pyetjes si është Stine si baba, ajo iu përgjigj: “Është një baba shumë i mirë dhe shumë i përkushtuar. Nuk e mendoja kështu, sepse ne kemi 10 vjet që njihemi me njëri-tjetrin, por nuk e kam parë në këndvështrimin si do ishte si baba. E kam parë gjithmonë si Nesti, Stine, këngëtar, aventurier, por është baba shumë i përkushtuar. Madje, edhe Estia bën shumë pas Nestit. Ndonjëherë edhe thotë “mos më vish ti, por babi”.
Gracia foli gjithashtu edhe për një thashethem që bëri namin kohë më parë, ku sipas shtypit rozë Stine dhe Roza u kapën mat. Por ja që lajmi paska një të vërtetë tjetër – në club ishte bashkë me ta edhe Grazia. “Po ku u kapët mat ju? Aty isha dhe unë. Madje ishim të tre, ishim një u bëmë tre…” – tha ajo me të qeshur duke hedhur poshtë në këtë mënyrë të gjitha aludimet për një raport të ri të Rozës dhe Stines.