Ish-ministri i Shëndetësisë: “Dhurata” e fundvitit e Ramës për mjekët, flakja në rrugë! Frikë e panik nga fjala e lirë, njëlloj si vendimet e Ramizit

Ish-ministri i Shëndetësisë dhe ish-deputeti i PD-së Tritan Shehu e sheh shkarkimin e mjekut Ilir Allkja si shprehje të frikës dhe panikut nga fjala e lirë. Ai e krahason këtë vendim me ato të ish-presidentit Ramiz Alia në fillim të viteve ’90.

Në një postim në “Facebook”, Shehu shkruan se flakja në rrugë është dhurata e kryeministrit Edi Rama për mjekët në fundvit. Sipas tij, me këtë veprim autokrati kërkon të godasë jo thjesht atë doktor, por të anatemojë cilindo që guxon të shprehet hapur, të ngrejë problemet reale ditore të punës, të kërkojë mbrojtje teknike ndaj infeksionit, kujdes ndaj pacientit, etj.

POSTIMI I PLOTË
“Dhurata” e Ramës së fundvitit për mjekët, flakja në Rrugë!
Ajo që ndodhi me Dr. Ilirin më shumë se urrejtje, përçmim ndaj mjekëve tanë si një nga grupimet më progresive të vendit, shpreh dhe diçka tjetër të vërtetë:
—Frikë e panik nga “Fjala e lirë”, demokracia, nga njerëzit me integritet e kurajë, njëlloj si në vendimet e Ramizit në fillim të viteve 90-të.
Diktatorët e autokratët në natyrën e tyre, të parët mbi të cilët derdhin komplekset ku ndërthuret egërsia me terrorin që përjetojnë kur ndjejnë “tërmetin” demokratik që po fillon, janë grupet liberale, profesionistët, intelektualët, ndër të cilët mjekët zënë një vend të veçantë.
Prandaj dhe sot, në momentet më të vështira për sistemin tonë shëndetësor, kur numri i mjekeve tek ne është më i ulëti në Europë, kur duheshin mobilizuar të gjitha këto kapacitete, Autokrati nën panik persekuton duke iu kthyer Nenit të dikurshëm 55 për Agjitacion e Propagandë, një koleg.
Me këtë veprim Autokrati kërkon të godasë jo thjesht atë doktor, por të anatemojë cilindo që guxon të shprehet hapur, të ngrejë problemet reale ditore të punës, të kërkojë mbrojtje teknike ndaj infeksionit, kujdes ndaj pacientit, etj etj, t’u mbylle gojën të gjithëve.
Frikën më të madhe diktaturat e kanë nga “Gojët e hapura”, në fakt këtu fillon dhe fundi i tyre!
Prandaj tashmë kjo betejë nuk është vetëm e Ilirit, që u godit, por është e të gjithëve që aspirojnë në të drejtat themeltare të njeriut e profesionale, në fjalën e jetën e lire, në “Betimin e Hipokratit”, pa të cilat nuk ka as zhvillim profesional, shkencor, standarde europiane e aq më pak demokraci.

Author: admin