Ish-deputeti socialist Ervin Bushati ka pranuar se shpopullimi është dështim që duhet ta pranojnë.
Në emisionin Now në Euronews Albania, Bushati u shpreh se në këtë fenomen ka ndikuar rënia shumë e madhe e lindshmërisë në vend dhe emigrimi i kualifikuar me diplomë.
“Ne kemi dështuar në këtë pikë, dhe kjo është një gjë që duhet ta pranojmë. Që nga ‘90 na është larguar 1.3 e popullatës, por kjo sëmundje është e gjithë Evropës Lindore.
Kemi lindje të ulëta, 1,3 për çift, 1,3 e ka Greqia dhe 1, 25 Italia; pra jemi mes vendeve me nivelin më të ulët të lindshmërisë.
Përveçse kemi nivelin më të ulët, kemi edhe largimin masiv që për disa kohë ishte për punë krahu, sot po bëhet e kualifikuar; shkojnë me diploma dhe punojnë jashtë”, tha Bushati.
Sipas tij, kjo ikje është një hemorragji shumë e madhe dhe po largohen njerëzit më kërkues për jetën.