Ishte ora 3 e pasdites kur ish-burri im më telefonoi. Mendova çfarë do ketë ndodhur.
“Doja ta dëgjoje më parë nga unë. Kelly është shtatzënë”.
Fryma më ngeci në fyt dhe nofullën e poshtme po e shtrëngoja të mos lëshoja ndonjë lloj reagimi.
“Thjesht u treguam djemve. Është herët ende, kështu që nuk po ia tregojmë askujt tjetër”, më tha.
Ai dhe gruaja e tij, Kelly, ndodhen në Haëai. Në të njëjtin ishull ku ai më propozoi mua 20 vjet më parë. Të dy janë atje me fëmijët tanë – djemtë e tij dhe të mitë. E mendova më herët se mund të ishin duke provuar in vitro. Djemtë më kishin thënë se Kelly kishte shkuar dy ose tre herë te mjeku për disa takime urgjente, misterioze.
Është normale që ajo do të dëshironte të kishte fëmijën e saj. Ajo është 12 vjet më e re se unë, në fund të fundit. Po edhe ai do ketë dashur të ketë fëmijë me të. E kam parë mënyrën se si ai e shikon atë, është mënyra se si ai më shikonte mua dikur.
Gjithçka që isha duke menduar në telefon ishte se si do të ndikonte ky fëmijë në marrëdhëniet tona të ngrira. Doja thjesht të mbyllja telefonin dhe të bëja sikur u shkëput linja, por ai më përmendi. “Laura, thuaj diçka”.
Unë harrova edhe se si thuhej në këto raste. Pas një heshtje tjetër i thashë: Urime!
Për hir të së vërtetës, kur mendova se po bënin In Vitro, shpresoja se nuk do të ishte i suksesshëm. Unë kurrë nuk ia kam thënë askujt këtë më parë, por kjo është e vërteta. Nuk doja që ata të kishin një fëmijë, sepse kjo do të thoshte se ata do kishin familjen e tyre, të ndarë nga unë. Që prej divorcit tonë pesë vjet më parë, ndonjëherë jam ndjerë sikur fëmijët e mi i kanë huazuar ata.
Por me një fëmijë të vetin, ata do të kenë familjen e tyre. Një familje të cilën fëmijët e mi do ta donin.
Një dilemë ekzistenciale vërtitet tashmë në kokën time: Nëse nuk jam më gruaja e tij dhe nuk jam as nëna e vetme e fëmijëve të tij, atëherë kush jam unë?
Plagët nga divorci ynë janë ende të hapura.
Kelly është dikush që e njoh mbi 20 vjet. Ajo ishte e ftuar në dasmën tonë 18 vjet më parë. Në mesazhin e saj me video të dasmës për ne, ajo shprehet se gjithmonë e ka vendosur marrëdhënien tonë në një piedestal dhe se ‘dëshiron gjithçka që kemi’.
Për rreth një vit pas divorcit, doja ta mbaja me vete atë video dhe t’i tregoja të gjithëve, duke thënë: ‘Shikoni! Kjo është ajo’.
Por nuk dua ta shaj më. Shumicën e kohës, do të doja ta harroja se ata janë martuar. Por ky lajmi i fundit e bën të pamundur harresën.
Të nesërmen në mëngjes, më pushtoi dëshira për të telefonuar bijtë e mi dhe për të parë se si ndiheshin ata për këtë. Ndoshta ata e urrenin idenë e një vëllai ose motre tjetër, ndoshta edhe ata kanë frikë se çfarë do të ndodhë me familjen tonë nëse babai i tyre dhe Kelly kanë një fëmijë bashkë.
Mora në telefon djalin e madh që më tha: Babi dhe Kelly dolën në mëngjes dhe nuk janë kthyer ende.
Thashë se u çmenda. Si i kishin lënë vetëm një 8 dhe një 10-vjeçar. Mendja ime filloi të imagjinonte shumë skenarë. Sa të papërgjegjshëm.
E ku shkuan? I pyeta.
‘Mendoj se në spital’, më tha djali.
E mbylla telefonin me të dhe telefonova ish-burrin tim pa e menduar dy herë. Numrin e tij e di përmendësh. Madje e kam ende numër emergjence.
Ai u përgjigj në zilen e parë. Nga zëri dukej i pashpresë.
“Ka diçka, një infeksion të rëndë urinar, kam frikën e foshnjes”, më tha.
Ndjeca çuditërisht lotët të më binin faqeve. I thashë se edhe unë kisha pasur të njëjtën gjë në shtatzëninë e parë, por çdo gjë kishte shkuar mirë. Të mos kishin frikë.
Që në momentin që djali më tha se kishin shkuar në spital, diçka brenda meje ndryshoi. Nuk e di përse e harrova urrejtjen time dhe doja që çdo që të ishte ok për ta. Mbase fuqia i këtij fëmije, vëllait të djemve të mi.
*Artikulli i Huffington Post u përshtat në shqip nga Tiranapost.al