Zëri i fizikanit me famë botërore Albert Einstein do të rijetëzohet. Falë rezultatit të një eksperimenti të dy kompanive zëri i tij sintetizohet për t’u huazuar në një program të inteligjencës artificiale, duke i dhënë jetë zërit të babait të relativitetit. Ky eksperiment synon të hedhë bazat e bisedave ndërvepruese midis qenieve njerëzore dhe inteligjencës artificiale.
Dy kompanitë “Aflorithmic”, e cila merret me prodhimin e përmbajtjes audio dhe “UneeQ”, e cila merret me ndërtimin e platformave digjitale, kanë bashkuar forcat për të krijuar një prototip të inteligjencës artificiale.
“Qëllimi është t’u ofrojë përdoruesve mundësinë për t’i bërë platformës digjitale pyetje praktike në lidhje me jetën dhe punën shkencore të Albert Einsteinit, ashtu si të ishin duke biseduar me fizikanin e famshëm”, thuhet në njoftimin e kompanive.
Kompanitë filluan me regjistrime historike të zërit të Einsteinit. Një zë i butë, i zhytur në mendime, i ngadaltë dhe me një theks të fortë gjerman. Dy shoqëritë sqarojnë se kanë zgjedhur figurën ikonike të Einsteinit për reputacionin e tij si një gjeni, për të cilin supozohet se ka shumë pyetje.