Anketa e Forcave të Punës, botimi i cili raporton treguesit zyrtarë të papunësisë në Shqipëri është një “thesar” statistikor. Konsideroni vetëm dy tregues.
- Sipas Institutit të Statistikës, në tremujorin e parë të vitit numri total i të punësuarve në Shqipëri u rrit me 5 mijë vetë. Për të njëjtën periudhë, numri i të punësuarve me moshë nga 15 deri në 64 vjeç u ul më 12 mijë vetë.
Çfarë do të thotë kjo ?
Që në tremujorin e parë të vitit Shqipëria punësoi 17 mijë pensionistë me moshë mbi 65 vjeç. Me këtë panoramë, që raportojnë shifrat zyrtare të papunësisë, lokomotiva e rritjes së punësimit në Shqipëri rezultojnë pensionistët.
Por nuk mbaron këtu. Pjesa dërrmuese e rënies së punësimit në moshat 15-64 vjeç erdhi nga të rinjtë. Sipas INSTAT, në tremujorin e parë të vitit, numri i të punësuarve me moshë 15-29 vjeç u ul me 11.5 mijë vetë duke rënë në 264 mijë vetë nga 274.5 mijë që ishte në tremujorin e fundit të vitit të kaluar.
- Pra të rinjtë, ata që janë mosha më vitale ekonomikisht, kanë humbur masivisht vendet e punës. Por në rang të përgjithshëm punësimi është rritur nga armata e pensionistëve, të cilët rezultojnë se po udhëheqin rritjen e punësimit në ekonomi.
Me pak fjalë, të gjithë pensionistët në punë. Tani presim që INSTAT të raportojë sektorët nga erdhi rritja e punësimit. Sepse me këto statistika, nuk do ishte çudi më edhe po të dilte se rritja e punësimit erdhi nga sektori i IT-së apo industria aeronautike.