Një i ri nga Kukësi ka tërhequr vëmendjen, pasi ka shkuar në mbrëmje të maturës me nënën e tij 69-vjeçare.
Është e zakontë që ata t’i shohim të shoqëruar me bashkëmoshatarët e tyre, por djaloshi ka bërë zgjedhjen e tij ndryshe.
I riu nga Kukësi, Sabit Tushaj, shkoi në mbrëmje të maturës, i shoqëruar nga nëna e tij, dhe për ATV thotë se donte që atë mbrëmje të veçantë ta ndante me të.
“I thashë oj nanë më mirë të shkoj me ty se me ndonjë shoqe të klasës, për shkak se tek e fundit shoqja ime e përhershme je ti”, rrëfen ai bisedën me nënën, ndërsa videon e plotë e ndiqni këtu.
Mes të tjerash ai tregon se e kishte menduar të largohej nga vendi, por nëna e kishte frenuar. Në familjen e tij, asnjë nga 12 fëmijët nuk e kishte përfunduar gjimnazin për arsye të ndryshme.
“Jemi 8 vëllezër dhe asnjëri prej tyre nuk e ka mbaruar gjmnazin. Veç me ia plotësu qejfin nanës, jam munduar ta kryej gjimnazin. Jam shoqëruar me shoqëri që nuk ishte e dhënë pas shkollës.
Donim të iknim nga Shqipëria, të mendonim për të ardhmen tonë. Kam dashur të iki, por duhet të lija shkollën. Falë mamasë tim arrita ta merrja, i vetmi ndër 12 fëmijët. Vëllezërit dhe motrat kanë emigruar jashtë, prej situatës në vendin tonë”.
Sabiti bëhet i pari që e arrin diccka të tillë dhe kështu i ka plotësuar dëshirën nënës së tij, e cila pranon se djali i tij nuk është se kishte qenë ndonjë nxënës i shkëlqyer.