“Mami Albana”. Kështu e prezanton Ardit Gjebrea mysafiren e parë të rubrikës “Ka Një Mesazh Për Ty”. Albana vjen nga Durrësi dhe sapo është bërë nënë e një mrekullie të vogël, por rrugëtimi për ta pasur në jetën e saj nuk ka qenë aspak i lehtë. Sot, teksa ajo e ndan këtë përvojë të vështirë në programin “E diela shqiptare” në Tv Klan, thotë se për të i detyrohet një engjëlli të veshur me të bardha.
Albana: Erdhi shtatzënia e parë dhe nuk e realizova dot. E përjetova, u tjetërsova, s’doja të shihja njeri. Isha njeri i humbur, thjesht kisha trup, shpirt nuk kisha. Pas 4-5 vjetësh erdhi shtatzënia e dytë. Nuk e dija të jem e sinqertë. Një ditë rutinë i them bashkëshortit “po shkoj të bëj analizat” dhe aty ndodhi mrekullia. Ndërkohë që bashkëshorti po vinte të më merrte, unë mora gjithë familjen dhe nuk iu thosha që jam shtatzënë, po iu thosha “o njerëz unë do bëhem nënë”. Paçka që unë shpresat te vetja i kisha humbur, por te Zoti asnjëherë.
Ardit Gjebrea: Si të shkoi shtatzënia?
Albana: Papritmas, më shpërtheu hemorragji. Mjeku roje që ishte te materniteti “Mbretëresha Geraldinë” më thotë që “duhet të shtrohesh urgjent në spital. Unë si e përhumbur e pyeta, “kam rrezik?”, “po” më tha. Shkova në dhomën e spitalit, u shtriva, e humbur. Aty po mendoja sekondat e fundit të jetës sime për herë të parë. Në mëngjesin e kësaj nate kaq të gjatë për mua, të dhimbshme, në dhomën time erdhi një engjëll. Një doktoreshë, gjinekologe Teuta Bari dhe unë nuk flisja sepse mendoja që jam për pak kohë aty, mbaroj punë shpejt dhe largohem. Zbresim dhe shoh në monitor që unë akoma nuk e kisha humbur fëmijën, e kisha brenda vetes.
Ardit Gjebrea: Sa muajshe ishe?
Albana: Një muajshe. Si engjëll, Teuta Bari më shoqëroi gjatë gjithë kohës, 8 muaj.
Ardit Gjebrea: Ai moment i vështirë kaloi dhe 8 muaj ti e shtyve përpara me ndihmën e doktoreshë Teutës.
Albana: Po.
Ardit Gjebrea: Po ti ke dalë apo ke ndenjur në spital?
Albana: Në spital.
Ardit Gjebrea: 8 muaj pa dalë?
Albana: 8 muaj pa dalë, pa ngritur kokën nga krevati. Unë nuk e them dot me fjalë çfarë ndiej për të. Unë nuk e di kur ka pasur pushim ajo, kur ka pasur festë, nuk e di kur ka qenë e hënë për të a e diel se ajo ishte çdo ditë në dhomën time./tvklan.al./shqiperiaime.com.al