Çfarë hanin paraardhësit tanë gjatë Epokës së Gurit, asaj periudhe të historisë sonë që filloi rreth 2.5 milion vjet më parë, dhe përfundoi midis 10.000 dhe 7.000 vjet më parë, kur ne filluam të punojmë me bronzin?
Pyetja është shumë domethënëse, sidomos kur diskutohen avantazhet (dhe disavantazhet) e mundshme të së ashtuquajturës dietë paleolitike, pra një dietë që imiton atë të Homo Sapiens-it të parë.
Dieta prehistorike
Për të zbuluar se çfarë përfshihej në atë dietë, një grup studiuesish nga Universiteti i Tel Avivit, kryen studimin më të madh dhe më të detajuar të zakoneve të të ngrënit njerëzor gjatë Epokës së Gurit, botuar në Revistën Amerikane të Antropologjisë Fizike.
Studimi në fjalë zbuloi se paraardhësit tanë ishin super-grabitqarë, dhe për një kohë të gjatë hëngrën pothuajse vetëm mish. Perimet në dietën e tyre erdhën vetëm pas zhdukjes së megafaunave në të gjithë botën.
Studimi, i udhëhequr nga paleoantropologu Miki Ben-Dor, është një punë ndërdisiplinore që kombinon të dhënat e mbi 400 studimeve të tjera, të cilat në një mënyrë apo tjetrën e kanë trajtuar temën “Çfarë hëngrën njerëzit e parë?”.
Ekipi i studiuesve mori në konsideratë të dhënat gjenetike, fiziologjike, morfologjike, dhe madje edhe ato të lidhura me metabolizmin nga paraardhësit tanë, dhe i krahasoi ato me njohuritë tona arkeologjike dhe paleontologjike të periudhës në fjalë.
Përfundimi janë 25 të dhëna të ndryshme që të çojnë në të njëjtin drejtim:për rreth 2 milion vjet, Homo Sapiens ishte një super-grabitqar që hante pothuajse vetëm mish, dhe merrte prej tij rreth 70 për qind të nevojave për energji.
Stomaku si test për bakteret
Disa shembuj? Stomaku ynë ka një shkallë shumë më të lartë të aciditetit, se ai i gjithçka-ngrënësve të tjerë, dhe është i krahasueshëm me atë të super-grabitqarëve të sotëm. Dhe kjo pasi për 2 milion vjet jemi ushqyer vetëm me mish, që është i pasur me baktere, kundër të cilave vepron si barrierë aciditeti i stomakut.
Një provë tjetër në favor të traditës sonë mishngrënëse, është mënyra se si e ruajmë dhjamin: omnivoret (ata që hanë mish dhe produkte bimore) e ruajnë atë në disa qeliza të mëdha dhjamore.
Ndërkohë ne, ashtu si mishngrënësit e tjerë, kemi shumë qeliza, por më të vogla. Sipas autorëve të studimit, situata ndryshoi rreth 85.000 vjet më parë, me zhdukjen e shpejtë të megafaunës, gjë që na nxiti të diversifikojmë dietën tonë. Pikërisht atëherë, ne filluam të kultivonim fruta dhe perime, dhe të transformonim zakonet tona të ngrënies.
Gjithçka-ngrënësit
Ky ndryshim, dëshmohet ndër të tjera edhe nga një konsideratë arkeologjike. Gjatë fazës “mishngrënëse”, njerëzit përdorën pak mjete, që ishin të ngjashme në të gjithë botën. Ndërsa me fillimin e të korrave të para, mjetet u shumëfishuan dhe ishin të larmishme nga vendi në vend, pasi secila zonë ka një kulturë të sajën, dhe secila kulturë ka nevoja specifike. /Bota.al